Festivali ndërkombëtar i muzikës “DAM” ka mbushur dy dekada të veprimtarisë me koncertin e Orkestrës së të Rinjve të Ballkanit Perëndimor, duke u kthyer te një prej arsyeve themelore për të cilat ishte themeluar dy dekada më parë: krijimi i një hapësire për muzikantët e rinj. Koncerti i hapjes së edicionit të 20-të, të enjten mbrëma, është mbajtur në sheshin “Adem Jashari”, pranë monumentit “Vëllazërim-Bashkimi”, nën dirigjimin e Desar Sulejmanit.
Monumenti është ndriçuar me dritë të kaltër dhe ka qenë pjesë e skenografisë së koncertit që ka shënuar jubileun e festivalit. Por hapësira e përzgjedhur për një koncert simfonik në ambient të hapur ka sjellë edhe kufizimet e veta. Zhurmat e qytetit kanë qenë pjesë e pandashme e një koncerti që, për nga natyra, kërkon përqendrim të lartë si nga interpretuesit ashtu edhe nga publiku.
Kjo është një prej kontradiktave që e ka shoqëruar “DAM”-in në jubileun e tij. Festivali, i cili ka arritur të mbijetojë për 20 vjet dhe të sjellë në Prishtinë muzikantë e emra të njohur të skenës ndërkombëtare, vazhdon të funksionojë pa një infrastrukturë të qëndrueshme dhe pa siguri të plotë financiare.
Drejtori i “DAM”-it, Dardan Selimaj, ka kujtuar se ideja për festivalin kishte nisur në fund të vitit 2005, në një kohë kur studentët e Fakultetit të Arteve kishin pak mundësi për të prezantuar punën e tyre.
“Është themeluar në vitin 2006, ose në fund të vitit 2005 kanë filluar bisedat e para për ta organizuar një festival në një kohë kur studentët e Fakultetit të Arteve, Dega e Muzikës nuk kishin shumë mundësi për të prezantuar punët që ata bënin gjatë vitit”, ka thënë Selimaj.
такође
„DAM“ се враћа са јубилејем који спаја младост, експериментисање и музички дијалог
Në fillim, festivali ishte i përqendruar kryesisht te studentët dhe te kolegët e tyre që studionin në akademi të ndryshme evropiane. Me kalimin e viteve, ai u zgjerua dhe mori karakter ndërkombëtar.
“Pastaj gradualisht u rrit, u bë festival ndërkombëtar dhe rrugëtimi i tij ka qenë herë me më shumë sukses, herë me më shumë sfida, por e rëndësishme është që për njëzet vjet festivali ka mbijetuar dhe ka ardhur në këtë pikë”, ka thënë Selimaj.
Por mbijetesa nuk ka nënkuptuar edhe stabilitet.
“Edhe sot festivali nuk është stabil në kuptimin financiar, që ka një strukturë organizative prapa tij. Vazhdon të jetë një organizatë jashtëzakonisht e vogël, e cila varet shumë nga mbështetja e miqve dhe e përkrahësve dhe çdo vit rrezikon të mos organizohet”, ka thënë ai.
Pikërisht mungesa e infrastrukturës kulturore ka qenë një prej problemeve që është shfaqur edhe në 20-vjetorin e festivalit. Koncerti i orkestrës së madhe është organizuar në ambient të hapur, ndërsa skena nuk ka ofruar hapësirë të mjaftueshme për të gjithë muzikantët.
Selimaj ka thënë se ky problem nuk është i ri për skenën kulturore të Kosovës.
“Nuk e kam menduar asnjëherë që njëzet vjet pas, kur e kam mbajtur fjalimin e hapjes së edicionit të parë në vitin 2006, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, festivali të vazhdojë dhe jo vetëm festivali, por skena e muzikës së Prishtinës dhe në Kosovë, të ballafaqohet me probleme serioze të infrastrukturës kulturore”, ka thënë ai.
Sipas tij, edhe hapësirat që ekzistojnë nuk janë në gjendje të mirë.
“Ne vazhdojmë të mos kemi hapësira, edhe ato që i kemi pasur nuk janë të mirëmbajtura, të renovuara. Kujtoj kohën kur Salla e Kuqe ka qenë më mirë në kohën kur është themeluar festivali, njëzet vjet më parë, se sa që është sot”, ka thënë Selimaj.
Koncerti i hapjes ka qenë edhe një ilustrim i një problemi më të gjerë të skenës muzikore në Kosovë: mungesa e sallave të përshtatshme për performanca të mëdha klasike. Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor, me muzikantë nga vende të ndryshme të rajonit, është dashur të përshtatet me një skenë të konceptuar për një ngjarje në ambient të hapur.
Dirigjenti Desar Sulejmani ka thënë se vendosja e disa instrumentistëve jashtë skenës, megjithatë, në një masë ka qenë e lidhur edhe me vetë karakterin e programit.
“Kam parë madhësinë e saj, hapësirën e saj, instrumentistët ishin jashtë, sepse është dramaturgjia e pjesës së tillë, për të sjellë tingull ndryshe, tingull shumëdimensional, në anë të ndryshme të ambientit”, ka thënë Sulejmani.
Sipas tij, interpretimi në ambient të hapur është sfidë më vete, por amplifikimi ka ndihmuar që muzika të arrijë te publiku.
такође
Косово у политичким наукама се проучава из перспектива које пролазе кроз Београд.
“Publiku që na ndoqi sot, ndjeu forcën tonë, e ndjeu forcën artistike të orkestrës”, ka thënë Sulejmani.
Për të, koncerti i gjashtë i Orkestrës së të Rinjve të Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e saj artistik është zhvilluar me sukses, pavarësisht kufizimeve të hapësirës.
Programi i koncertit e ka vendosur orkestrën përballë një repertori të larmishëm, duke nisur me uverturën “Poeti dhe fshatari” të Franz von Suppé. Vepra e hapur me karakter festiv dhe ritme të gjalla ka sjellë atmosferën e operetës dhe ka vendosur një hyrje energjike për mbrëmjen.
Pas saj është interpretuar “Rapsodia Rumune nr. 1” e George Enescut, e cila mbështetet në ritmet dhe meloditë e muzikës popullore rumune, duke i shndërruar ato në një vepër të pasur për orkestër.
Në program ka qenë edhe “Me dashni nga Shkodra” e Gerti Drugës, duke sjellë një tjetër lidhje me traditën muzikore rajonale.
Uvertura e “Tannhäuser”-it të Richard Wagnerit ka sjellë dimensionin dramatik të romantizmit gjerman.
Përmes masave të fuqishme orkestrale, kontrasteve dhe tensionit gradual, vepra ka krijuar një prej momenteve më monumentale të pjesës së parë të koncertit.
Në pjesën e dytë është interpretuar “Pishat e Romës” e Ottorino Respighit. Vepra është ndërtuar në katër tablo muzikore që përshkruajnë pika të ndryshme të Romës. Orkestra ka sjellë një lloj portreti muzikor të qytetit, duke e çuar veprën drejt fundit të fuqishëm.
Dirigjenti Hajrullah Syla ka vlerësuar përbërjen e re të orkestrës dhe karakterin rajonal të saj.
“Duke u nisur prej faktit që Orkestra, kryesisht anëtarët e orkestrës janë të rinj dhe i përfshin të gjithë Ballkanin. Mendoj se është një kualitet i mirë”, ka thënë Syla.
Ai ka vlerësuar edhe mënyrën se si programi lidh materiale të vjetra me forma të reja të interpretimit.
“Ka përpunime, ndoshta, të temave të vjetra ose këngëve popullore, të cilat sjellin një formë të re, në frymë të re dhe po besoj që për këtë arsye edhe tingëllojnë bashkëkohore”, ka thënë Syla.
Dy dekada pas themelimit, “DAM” e ka nisur edicionin jubilar pikërisht me muzikantë të rinj. Kësisoj e bën të qartë se festivali është rikthyer te ideja prej së cilës kishte nisur në vitin 2006, kur një grup studentësh kërkonte një skenë për të interpretuar.
такође
„Сваки пут“ осваја „Срце Сарајева“ за третман бола и туге
Por 20-vjetori ka sjellë edhe një tjetër kujtesë. Përkundër se “DAM” është rritur nga një festival i vogël i studentëve në një ngjarje ndërkombëtare të muzikës, infrastruktura kulturore në Prishtinë nuk ka ecur me të njëjtin ritëm.
Në sheshin “Adem Jashari”, koncerti është zhvilluar midis tingujve të orkestrës dhe zhurmës së qytetit. Njëzet vjet pas koncertit të parë në Sallën e Kuqe, “DAM” vazhdon të kërkojë hapësirë për muzikën. Dhe jubileu i tij, në vend të vetëm një shënimi festiv, është kthyer edhe në rikujtim se sa e brishtë vazhdon të jetë infrastruktura mbi të cilën mbështetet skena muzikore në Kosovë.