КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
колона

Проклетство једне макабре забаве

Përderisa Vuçiqi përdor një kufomë kriminale për të mbajtur në këmbë një narrativë hyjnore dhe mitike të Serbisë së Madhe, rinia dhe qytetarët serbë po marrin pjesë në protesta masive, duke kërkuar diçka krejtësisht tokësore dhe ekzistenciale: llogaridhënie, drejtësi dhe shtet ligjor. Thënë ndryshe një regjim që e kërkon legjitimitetin te krimet e së kaluarës e ka të pamundur t'i ofrojë të ardhme shoqërisë së vet

Vuçiq ka zhvilluar një formulë standarde e cila karakterizon vendimmarrjen e tij. Anglisht i bie “Strategic Ambiguity”, në shqip ndoshta përkthimi më i mirë do të ishte “Fleksibiliteti Strategjik”. Pra kemi të bëjmë me një person i cili paqartësinë dhe kontradiktën i sheh si vlerë dhe aset në marrëdhënie ndërkombëtare. Një qasje e tillë i lejon të krijojë narracione dhe realitete të ndryshme për audienca të ndryshme.

Kësisoj, Vuçiq ka dhënë jetë asaj që ka marrë emrin e “politikës së disa karrigeve”. Pra në vend të zgjedhjes së një kursi orientimit të politikës së jashtme, ai preferon një marrëdhënie të balancuar “a la carte” me fuqitë kundërshtuese të botës. Kjo i lejon Vuçiqit që për çështje të caktuara të krijojë aleancat e caktuara: Amerikanëve mbështetje ushtarake për Ukrainën, Rusisë gazin, kinezëve infrastrukturën, francezëve Rafalet, gjermanëve litiumin, e kështu me radhë. Kjo lloj qasjeje i lejon Vuçiqit hapësirë manovrimi karshi secilit aleat, e në anën tjetër qytetarëve serbë kjo qasje i servohet si pavarësi patriotike në skenën ndërkombëtare.

Ose merrni shembull sulmin terrorist që orkestroi mbi Kosovën në Banjskë. Përkundër se ishte shumë e qartë që i gjithë organizimi ishte inspiruar, organizuar dhe mbështetur nga shteti serb, Vuçiq interpretoi gjithë ngjarjen si një zhvillim lokal i cili nuk kishte miratimin nga Beogradi. Kur fliste me perëndimorët ai shprehte keqardhje për ngjarjen dhe premtonte se përgjegjësit do të sillen para drejtësisë, në anën tjetër për audiencën e brendshme ai shpallte ditë zie për “heronjtë”.

Episodi i fundit i këtij “fleksibilitetit strategjik” ishte varrimi i kriminelit të luftës Ratko Mlladiq. Vuçiqi u kujdes që në gjithë optikën varrimi të ketë të gjitha marifetet e një varrimi shtetëror, por në anën tjetër të mos ketë vulën formale të varrimit shtetëror. Pra për audiencën e brendshme ai ofroi transportin me aeroplan shtetëror, pritjen ceremoniale të arkivolit, përcjellje policore, nderimet ushtarake, protokoll zyrtar ushtarak dhe fetar në krye me patriarkun serb, prezencën e pothuaj gjithë skenës politike serbe, spektaklin në tribunat e futbollit, transportin e organizuar të qytetarëve për homazhe, dhe në fund propagandën e gjithë kësaj neverie në të gjitha mediumet e pushtetit. Por e gjithë kjo nuk e parandaloi Vuçiqin që audiencës perëndimorë t’i ofronte garanci se kjo nuk ishte varrim shtetëror, pasi nuk plotësonte teknikalitetet e një varrimi shtetëror, pra nuk kishte një vendim formal institucional për varrimin, nuk kishte pjesëmarrje të presidentit apo kryeministrit dhe varrimi ishte bërë në një hapësirë private dhe jo në varrezat zyrtare shtetërore.

Sado absurd dhe kontradiktor të tingëllojë ky arsyetim i Vuçiqit koha na ka dëshmuar se ka mjaft persona në BE të cilët janë të gatshëm të pranojnë këtë arsyetim të tij. Për shembull disa ditë pas Banjskës ish-kryeministri i Hungarisë Viktor Orban akuzonte Kosovën për provokim dhe jo Serbinë.

Por nga ana tjetër “fleksibiliteti strategjik” i Vuçiqit është lojë e rrezikshme. Ai kërkon gjykim të mprehtë se sa larg mund të shkosh në manipulimin e palëve të ndryshme. Kërkon një manipulim kompleks të realiteteve dhe interesave të kundërta. Me ceremoninë makabre të varrimit të Mlladiqit Vuçiqi ka hyrë në një territor të ri politik duke shtyrë në ekstreme kufijtë e tolerancës së BE-së. Fillimisht BE-ja reagoi duke anuluar vizitën e komisioneres së Zgjerimit, Marta Kos, ndërsa tani reagimi ka eskaluar më tutje me dënimin e gjithë ngjarjes nga ana e presidentes së Komisionit Evropian dhe presidentit të Këshillit Evropian. Se a do të ndalet BE-ja këtu ngelet të shihet.

Por përplasja e madhe nuk është ajo në mes Vuçiqit dhe BE-së, por në mes Vuçiqit dhe popullit të tij. Përderisa Vuçiqi përdor një kufomë kriminale për të mbajtur në këmbë një narrativë hyjnore dhe mitike të Serbisë së Madhe, rinia dhe qytetarët serbë po marrin pjesë në protesta masive, duke kërkuar diçka krejtësisht tokësore dhe ekzistenciale: llogaridhënie, drejtësi dhe shtet ligjor. Thënë ndryshe një regjim që e kërkon legjitimitetin te krimet e së kaluarës e ka të pamundur t'i ofrojë të ardhme shoqërisë së vet.

(Autori është drejtor ekzekutiv i institutit EPIK dhe koluminist i rregullt i KOHËS)