КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
ФУДБАЛ

Циљ Албаније - победа без примљеног гола

Албанија

Përzgjedhësi i Shqipërisë në futboll, Rolando Maran, të mërkurën në konferencë për shtyp ka përmendur dy gjëra që pret nga lojtarët e tij në ndeshjen kundër Finlandës, të enjten mbrëma. E para, që sipas tij nuk duhet të diskutohet është fitorja, kurse e dyta që fitoren ta arrijnë pa pranuar gol.

Ndeshja Shqipëri – Finlandë luhet nga ora 20:45 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Është ndeshje vendimtare për vend të parë në Grupin C1 të Ligës së Kombeve.

Shqipëria është lidere me nëntë pikë, dy më shumë se Bjellorusia dhe Finlanda.

San Marino është në pozitën e fundit pa pikë.

“Ne do të futemi në fushë për të shënuar dhe për të mos pësuar gol. Ndeshja me San Marinon e ka vënë në dyshim këtë proces për të cilin po punojmë. Ndeshja me Finlandën tregoi se shënuam shpejt dhe mund të kishim shënuar sërish, por u vendos nga episodet. Skuadra është e vetëdijshme për atë që duhet të bëjë”, ka thënë Maran.

Ai ka theksuar se prania e shikuesve në tribuna shton përgjegjësitë për futbollistët në fushë. Për ndeshjen ndaj Finlandës janë shitur të gjitha biletat.

“Fakti që janë kaq shumë njerëz në stadium, do të thotë se ata besojnë. Te djemtë kam parë dëshirë të madhe për të mbajtur këto vlera. Unë i vlerësoj shumë tifozët dhe besimin që kanë te ne. Këtë krenari të madhe që kanë tifozët, ta transmetojmë në fushë me përgjegjësi të madhe, sepse përfaqësojmë diçka të madhe siç është kombi”, është shprehur tekniku italian.

Maran ka thënë se vetëm duke dhënë maksimumin, lojtarët mund të dalin me fitore nga fusha.

“Gjëja më e rëndësishme është që secili individualisht duhet të dalë nga fusha pa pengje, që ka dhënë gjithçka që mundej, edhe nëse ndonjëherë ka ndonjë gabim, por e di që ka dhënë gjithçka. Çdo pikë djerse, çdo përkushtim të mundshëm, çdo vëmendje të mundshme, të gjithë zemrën, të gjithë dëshirën për rezultat, çdo gjë që nevojitet, atëherë sipas meje ka bërë ndeshjen. Rezultati nuk dihet, por e di që nëse vihet kjo në fushë, përqindja e arritjes së rezultatit rritet shumë”, tha Maran.

Në konferencë për shtyp u paraqit edhe mbrojtësi Ardian Ismajli.

Ai tha se Shqipëria e ka obligim vendin e parë në grup.

“Jemi përgatitur mirë, e dimë rëndësinë e ndeshjes. Normalisht, e kemi edhe obligim vendin e parë. Duhet ta dëshmojmë në fushë”, ka thënë Ismajli.

Ai ka shtuar se faktorë të rëndësishëm do të jenë shikuesit.

Përzgjedhësi i Finlandës, Jacob Friis, ka vlerësuar Shqipërinë. Por ka shtuar se synojnë fitore ndaj “kuqezinjve”.

“Shqipëria ka lojtarë me eksperiencë, ka lojtarë të mirë, por ne duhet të fokusohemi te puna jonë. Ne duhet të sigurohemi që të bëjmë një ndeshje të mirë. Jemi të entuziazmuar që do të luajmë në një stadium të mbushur plot. Të dyja skuadrat e duan fitoren. Ne duhet të kemi kujdes nga goditjet standarde”, ka thënë Friis.

Shqipëria e luan të dielën ndeshjen e fundit kundër Bjellorusisë në Budapest.