КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
привреда

Бране нису приоритет у Нацрту буџета за 2027. годину

Предмет Владе Косова

Предмет Владе Косова

Projektbuxheti për vitin 2027 parasheh 4.2 miliardë euro shpenzime, por pjesa më e madhe e tyre do të shkojë për paga, subvencione dhe skema sociale. Për investime kapitale janë planifikuar rreth 1 miliard euro, ku përfshihen investime në autostrada, magjistrale dhe blerja e pajisjeve për FSK-në. Megjithatë, disa nga projektet që kryeministri Albin Kurti i kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore nuk janë përfshirë në ndarjet buxhetore për vitin e ardhshëm

Afër 60 për qind e buxhetit për vitin e ardhshëm është planifikuar të shkojë për paga, subvencione, skema sociale e transfere të tjera. E 40 për qindëshi i mbetur është paraparë të shpenzohet në projekte kapitale dhe blerje të mallrave dhe shërbimeve. 

Për pagat e 91 mijë punonjësve publikë, shteti do të shpenzojë 1 miliard e 84 milionë euro, e që është rritur për 100 milionë krahasuar me buxhetin e 2026-s. Kategoria e subvencioneve dhe transfereve ia merr buxhetit 1.4 miliard euro, edhe këtu rritje prej afro 100 milionë euro në dallim me buxhetin e sivjetmë.

Kjo rritje shpjegohet me njoftimin e kryeministri Albin Kurti për rritje të pagave për punëtorët e shtetit, por edhe nga rritja e shtesave për fëmijë. 

Në mbledhjen e qeverisë, të mbajtur të hënën, Kurti bëri të ditur edhe nisjen e disa projekteve kapitale.

Në Projektbuxhetin që Qeveria më 2 nëntor e dorëzoi në Kuvend, janë paraparë 1 miliard e 70 milionë euro investime kapitale, e rreth 20 për qind nga to hyjnë në kuadër të buxhetit të komunave.

Projekti infrastrukturor për të cilin është paraparë ndarja më e madhe e mjeteve është zgjerimi dhe rehabilitimi i rrugës magjistrale Prishtinë-Pejë, për të cilën janë paraparë të shpenzohen 25 milionë euro gjatë 2027-s.

Për rrugën Prizren-Tetovë janë planifikuar 15 milionë euro, e për autostradën e Gjilanit 12 milionë euro, ndërsa 33 milionë të tjera janë paraparë për vitin 2028 për këtë projekt. 

Kryeministri Kurti përmendi edhe lidhjen e autostradave “Ibrahim Rugova” me atë Arbën Xhaferi nëpërmjet segmentit Duhël-Banullë, por për këtë projekt për vitin e ardhshëm nuk është ndarë asnjë mjet. 

Kurti premtoi edhe ndërtimin e auto-udhës së Dukagjinit, për çka janë planifikuar 1 milion euro për 2027-n.

E njëjta shumë është planifikuar edhe për Unazën e Kryeqytetit.

Ndërkaq, për ndërtimin e digave, për të cilat Kurti kishte premtuar pesë të tilla, janë paraparë të ndahen 1.5 milion euro për vitin e ardhshëm.

Ndërkaq, kostoja e paraparë pritet të jetë rreth gjysmë miliardi euro për to, por në projeksionet buxhetore për vitin 2028 dhe 2029, nuk figurojnë mjete për këto projekte.

Në kuadër të investimeve kapitale është paraparë blerja e Ambasadave për të cilën janë ndarë 15 milionë euro. 

Për blerje të sistemeve, pajisjeve dhe artikujve për mbrojtje për Forcën e Sigurisë janë planifikuar 69 milionë euro. Krahas kësaj shume, janë planifikuar edhe 28 milionë euro të tjera për automjete dhe kamionë.

Projekti me shumën më të madhe të mjeteve të planifikuara në kuadër të investimeve kapitale është ai i titulluar “Rikonstruktimi dhe zgjerimi i rrugëve rajonale”, për të cilin janë paraparë 40 milionë euro. Megjithatë, në buxhet nuk specifikohet se për cilat rrugë bëhet fjalë.

Gjatë fushatave zgjedhore, pas përfundimit të mandatit të dytë, kryeministri Kurti kishte thënë se mandati i ardhshëm do të jetë i hekurudhave.

Ai pati premtuar një linjë hekurudhore që do t’i lidhte Bujanocin dhe Gjilanin me Ferizajn e Prizrenin, si dhe linjën Prishtinë-Durrës. Megjithatë, asnjëri prej këtyre projekteve nuk është përfshirë në buxhetin për vitin e ardhshëm.

Për transportin hekurudhor, gjatë vitit 2027, janë paraparë 11 milionë euro, ku pjesa më e madhe e mjeteve është destinuar për rehabilitimin e linjës X, Fushë-Kosovë-Han i Elezit.

Në buxhet figuron edhe ndërtimi i linjës hekurudhore Prishtinë-Aeroport, por për vitin 2027 nuk është paraparë ndarja e asnjë mjeti. Për këtë projekt, në vitin 2028, janë planifikuar 3.5 milionë euro.

Buxheti i përgjithshëm për vitin e ardhshëm do të jetë 4 miliardë e 256 milionë euro, që është më i larti i miratuar ndonjëherë.

Projektbuxheti është proceduar pas afatit të përcaktuar me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, sipas të cilit data e fundit për dorëzimin e tij në Kuvend ka qenë 31 tetori. Por ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Qeveria e ka përmbushur afatin, me arsyetimin se kjo datë ka rënë në ditë të shtunë dhe jo në ditë pune.