КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
СВЕТ

Ко је жена у центру Нвидијиног кинеског шпијунског скандала?

Алис Хуанг

Фото: Ассоциатед Пресс

Alice Huang, ish-drejtuese e një kompanie të inteligjencës artificiale (AI) me bazë në Singapor, është në qendër të një skandali të dyshuar spiunazhi kinez, pasi drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, pranoi se kishte pasur një lidhje jashtëmartesore.

Hetimi ngre pikëpyetje nëse inteligjenca kineze është përpjekur të sigurojë qasje në teknologjinë e Nvidia-s dhe te drejtori i saj ekzekutiv përmes Alice Huang, në një kohë kur SHBA-ja dhe Kina po konkurrojnë në garën për inteligjencën artificiale.

Gjatë fundjavës, Jensen Huang ka pranuar në një letër drejtuar punonjësve të Nvidia-s se kishte pasur një marrëdhënie romantike me një grua të dyshuar si spiune kineze.

Edhe pse ai nuk e ka përmendur me emër Alice Huang, letra është publikuar pasi The New York Times raportoi fillimisht në tetor se autoritetet amerikane besonin se ajo ishte spiune kineze, shkruan Axios.

Fotografitë e realizuara në vitet 2024 dhe 2025 tregojnë Alice Huang dhe Jensen Huang së bashku.

Edhe pse kanë të njëjtin mbiemër, Alice dhe Jensen Huang nuk kanë lidhje familjare dhe nuk janë të martuar me njëri-tjetrin. Jensen Huang është i martuar me Lori Huang prej 40 vjetësh.

Dihet pak për Alice Huang. Ajo ka drejtuar një kompani me bazë në Singapor, të quajtur Megaspeed International, e cila operon në fushën e kompjuterëve cloud dhe qendrave të të dhënave dhe që u bë një nga klientët e Nvidia-s me blerje në vlerë prej miliarda dollarësh.

The New York Times ka raportuar të hënën se Departamenti i Tregtisë po drejtonte hetimin ndaj Megaspeed, përpara se çështja t'i kalonte Departamentit të Drejtësisë, pasi Nvidia kishte kontaktuar autoritetet lidhur me rastin.

Kush është Alice Huang?

Huang, e njohur edhe si Huang Le, është shtetase kineze, me një të kaluar profesionale që raportohet se përfshin gazetarinë dhe financat.

Një hetim i Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP) zbuloi një profil në internet, sipas të cilit ajo kishte punuar më parë në kompaninë e shërbimeve financiare HSBC dhe në televizionet CCTV dhe Hunan TV.

Megjithatë, AFP-ja ka thënë se nuk kishte mundur t'i verifikonte në mënyrë të pavarur këto të dhëna.
Sipas The New York Times, ministria kineze e Sigurisë Shtetërore e kishte rekrutuar Alice Huangun për të mbledhur informacione rreth Jensen Huangut dhe për të ndikuar në qëndrimin e tij lidhur me shitjen e çipave të inteligjencës artificiale kompanive kineze.

Megjithatë, ende nuk është e qartë se çfarë informacionesh i ka dhënë ajo Pekinit dhe nëse ka arritur të sigurojë ndonjë informacion nga Jensen Huang.

Bordi drejtues i Nvidia-s thotë se nuk ka arsye të besojë se Alice Huang ka siguruar sekrete tregtare të kompanisë. Edhe Kina i ka mohuar akuzat.

Lidhjet e Megaspeed me Nvidia-n

Megaspeed u bë partnere zyrtare e Nvidia-s në ofrimin e shërbimeve cloud në vitin 2023, sipas Bloomberg, dhe bleu çipa të Nvidia-s në vlerë prej më shumë se 4.8 miliardë dollarësh gjatë një periudhe prej rreth dy vjetësh, sipas Associated Press (AP).

Sipas The New York Times, Alice Huang ishte mburrur me lidhjet e saj me Jensen Huangun dhe kontaktet në Nvidia për të siguruar financime për bizneset e saj.

Një punonjës i Megaspeed i tha Culper Research se Jensen Huang e vizitonte herë pas here kompaninë, duke shtuar se ai dhe Alice kishin një marrëdhënie “shumë të afërt”.

Bilanci financiar i Megaspeed u rrit nga 33 milionë dollarë në fund të vitit 2023 në afro 3 miliardë dollarë një vit më vonë, sipas dokumenteve të kompanisë të shqyrtuara nga Culper, një kompani që përfiton financiarisht nga rënia e vlerës së aksioneve të Nvidia-s.

Një pjesë e madhe e kësaj rritjeje përfshinte rreth 2.9 miliardë dollarë depozita të rimbursueshme nga një burim i paidentifikuar, sipas Culper.

Ky financim ngre pikëpyetje të tjera për marrëdhëniet e Megaspeed me kompanitë kineze.

Në fillim të vitit 2025, Alice Huang dhe partneri i saj i biznesit, Kang Ëei, u thanë investitorëve se nuk kishin “asnjë problem për të siguruar procesorë grafikë (GPU)” dhe përmendën gjigantin kinez Alibaba si klient të një projekti të ri për ndërtimin e një qendre të të dhënave, sipas Financial Times.

Çfarë po hetojnë autoritetet?

Autoritetet amerikane, përfshirë Departamentin e Tregtisë dhe Departamentin e Drejtësisë, kanë hetuar nëse Megaspeed ka ndihmuar kompanitë kineze të sigurojnë procesorë të avancuar të Nvidia-s dhe nëse kjo ka shkelur kufizimet amerikane për eksportin e teknologjisë.

Kompania i ka kundërshtuar në dhjetor të vitit 2025 pretendimet për transferim të paligjshëm të çipave.

Ajo ka deklaruar se planifikon të bashkëpunojë me autoritetet amerikane gjatë hetimit.

Tre kryetarë republikanë të komiteteve të Dhomës së Përfaqësuesve kanë kërkuar një informim me dyer të mbyllura nga Jensen Huang, më 18 nëntor, lidhur me kontaktet e tij me Alice Huang dhe mënyrën se si Nvidia mbron veten nga kërcënimet e huaja.