Përmbysja e fatit të Gjermanisë nënvizohet nga një statistikë befasuese: që nga fundi i vitit të kaluar (2025), Gjermania tani blen më shumë nga Kina sesa shet në Kinë, pikërisht në kategoritë ku kompanitë gjermane dikur dominonin: makina, kamionë, autobusë, trena, avionë, makineri fabrikash dhe pajisje mjekësore.
Për dekada me radhë, zemra e ekonomisë gjermane ishte prodhimi dhe eksporti i mallrave të mëdha dhe komplekse, që i japin jetë biznesit global: nga veturat luksoze dhe lokomotivat, te makineritë e fabrikave, avionët dhe buldozerët.
Ky model rritjeje po përballet me presion serioz nga një konkurrent i ri, eksportet e të cilit shpesh mund të konkurrojnë me ato të Gjermanisë për nga cilësia, por shiten me çmime shumë më të ulëta. Ai konkurrent është Kina.
Kompanitë gjermane dikur korrnin fitime të mëdha duke shitur në Kinë.
Por situata është përmbysur, pasi qeveria kineze mbështet kompanitë në sektorë të synuar, shpesh pikërisht në ato fusha ku kompanitë gjermane prodhojnë të njëjtat mallra.
Këto produkte, qofshin vetura elektrike, panele diellore apo vinça të mëdhenj që përdoren në porte për ngarkimin dhe shkarkimin e mallrave nga anijet, nuk po gjejnë mjaftueshëm blerës në ekonominë aktualisht të plogësht të Kinës.
“Goditja kineze”
Prandaj, këto produkte po drejtohen drejt tregjeve të eksportit, përfshirë Evropën.
“Goditja kineze”, siç e quajnë ekonomistët, po shfaqet si një nga arsyet kryesore të stagnimit kronik ekonomik të Gjermanisë që prej pandemisë.
Ekonomia e dobët ka ndikuar që koalicioni qeverisës i kancelarit Friedrich Merz të humb mbështetjen popullore përpara zgjedhjeve të 6 shtatorit në rajonin lindor të Saksonisë-Anhalt, ku e djathta ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), ka deri tani shansin më të madh për të siguruar guvernatorin e saj të parë në një land.
Ekonomia gjermane, më e madhja në Evropë, është vetëm pak më e madhe se sa ishte në fund të vitit 2019.
Edhe pse papunësia është e ulët sipas standardeve historike, gjermanët kanë lexuar tituj shqetësues për shkurtimet e vendeve të punës në kompanitë që kanë përcaktuar ekonominë gjermane për dekada: 50 mijë vende pune në Volkswagen, ndërsa mediat kanë raportuar për plane për deri në 50 mijë shkurtime të tjera; 8 mijë largime vullnetare nga puna të punonjësve që nuk merren me prodhimin në BMW deri në fund të vitit 2027, si dhe shkurtimin e 13 mijë vendeve të punës në kompaninë e teknologjisë automobilistike Bosch deri në vitin 2030.
Gjendja nuk po përmirësohet as nga inflacioni.
Gjermania është ndër ekonomitë e mëdha globale që po preket më së shumti nga politikat e Kinës, për shkak të varësisë së saj të madhe nga eksportet e mallrave të ngjashme me ato që Kina po mbështet dhe subvencionon.
Ekonomi të tjera të mëdha, si Britania, Italia dhe Franca, kanë sektorë më të vegjël prodhues, ndërsa tarifat amerikane bllokojnë shumë produkte kineze, veçanërisht automjetet.
Përmbysja e fatit të Gjermanisë nënvizohet nga një statistikë befasuese: që nga fundi i vitit të kaluar (2025), Gjermania tani blen më shumë nga Kina sesa shet në Kinë, pikërisht në kategoritë ku kompanitë gjermane dikur dominonin: vetura, kamionë, autobusë dhe trena, avionë, makineri fabrikash dhe pajisje mjekësore.
“Evropa ka nevojë për një politikë tregtare më të ashpër, duhet të mbrojë tregun e saj nga disa prej pasojave të politikave industriale të vetë Kinës”, thotë ekonomisti Brad Setser, studiues i lartë në “Council on Foreign Relations”.

Излазак из кризе
Por, një përgjigje për kompanitë gjermane mund të jetë: Nëse nuk mund t’i mposhtësh, bashkohu me to.
Kompania gjermane “Jungheinrich”, prodhuese e pirunëve ngritës dhe automjeteve për magazina, po përballet me sfidën kineze duke bashkëpunuar me prodhuesin kinez “EP Equipment” për të prodhuar “AntOn”, një pirun ngritës të nivelit fillestar, i cili mund të konkurrojë me rivalët për nga çmimi.
Bashkëpunimi shfrytëzon shkallën e madhe të prodhimit dhe kostot më të ulëta të prodhimit të “EP Equipment” në Kinë, të kombinuara me rrjetin global të shitjeve të “Jungheinrich” dhe reputacionin e saj si një nga tri kompanitë më të mëdha në botë në këtë sektor.
“AntOn” ilustron sfidën që vjen nga produktet industriale kineze. Ato mund të mos përputhen plotësisht me produktet gjermane për nga veçoritë dhe cilësia, por janë mjaftueshëm të mira dhe kushtojnë përgjysmë më lirë.
“AntOn”, i cili vjen në një ngjyrë vjollcë të ndezur për t’u dalluar nga e verdha e makinerive të nivelit të lartë të “Jungheinrich”, ka një hapësirë më të thjeshtë për drejtuesin, me leva bazë në vend të një leve komandimi, nuk ka ndarje për telefonin dhe portofolin dhe ka një sedilje pa amortizim.
Por, me një çmim zyrtar prej 18.100 eurosh, ai ka kosto sa rreth gjysma e modelit ekuivalent të nivelit më të lartë.
Ai synon klientët që mund të mos kenë nevojë për të gjitha veçoritë e një makinerie të nivelit të lartë, e cila mund të funksionojë në tri turne nga tetë orë në ditë, çdo ditë.
“Sfida është se po vjen një valë masive produktesh dhe ofertash kineze në Evropë, por edhe në tregjet ndërkombëtare. Dhe pyetja kryesore është: si reagoni ndaj kësaj?”, ka thënë drejtoresha e shitjeve, Nadine Despineau.
Ajo e sheh kërkesën për automjete të nivelit fillestar si një mundësi biznesi për të arritur te klientë të rinj.
“Për ne, kjo është një mundësi. Besojmë se duhet të marrim parasysh këtë mundësi. Dhe përgjigjja jonë është të ofrojmë një gamë produktesh të teknologjisë së mesme”, ka thënë ajo për Associated Press.
Qasja “në Kinë, për Kinën”
Volkswagen gjithashtu ka adoptuar qasjen “në Kinë, për Kinën”, duke ngritur një qendër zhvillimi automjetesh në Hefei, për të krijuar vetura të përshtatura për tregun vendas.
Politika industriale e Partisë Komuniste Kineze do të thotë se sektorët kryesorë marrin lloje të ndryshme mbështetjeje, përfshirë kredi me kamata të ulëta dhe lehtësisht të qasshme, lëndë të para me kosto të ulët, tokë të lirë ose pa pagesë dhe, në disa raste, kërkesa për “prodhim në Kinë”.
Punëtorët kinezë fitojnë më pak se ata në Evropë dhe ekonomistët thonë se Kina punon për ta mbajtur monedhën e saj artificialisht të dobët, duke i bërë produktet e saj më konkurruese për nga çmimi.
Dhe ndërsa eksportet janë rritur ndjeshëm, importet nuk po rriten, që do të thotë se partnerët tregtarë nuk mund ta kompensojnë këtë duke shitur më shumë produkte në Kinë.
Në mallrat e prodhuara, Kina ka një suficit tregtar vjetor prej rreth 2 trilionë dollarësh amerikanë, afërsisht sa madhësia e gjithë ekonomisë së Italisë.
Por, fuqia eksportuese e Kinës bazohet në më shumë sesa vetëm te ndihma e qeverisë.
Kompanitë kineze përballen me konkurrencë të ashpër për çmimin në ekonominë e plogësht vendase, duke i detyruar kompanitë të mbajnë kostot të ulëta dhe të garojnë për të përvetësuar teknologjitë e reja.
Madhësia e jashtëzakonshme e tregut kinez favorizon ekonomitë e shkallës, që do të thotë se prodhuesit mund t’i shpërndajnë kostot fikse në një numër më të madh shitjesh.
Nga ana e saj, qeveria gjermane është përpjekur të përmirësojë rritjen ekonomike duke krijuar një fond prej 500 miliardë eurosh për financimin e rrugëve dhe linjave të reja hekurudhore.
Një paketë e propozuar në korrik përfshin ulje të taksave mbi të ardhurat për tatimpaguesit me të ardhura të mesme dhe të ulëta, si dhe reduktime të burokracisë.
Debati politik shpesh përqendrohet te çështje të tjera, si çmimet e larta të energjisë apo burokracia e tepërt.
Por Setser thotë se statistikat tregtare tregojnë se “goditja kineze” është shkaku kryesor dhe më i rëndësishëm i gjendjes së vështirë ekonomike të Gjermanisë.
Përgjigjja për Gjermaninë mund të jetë jashtë kontrollit të kompanive, dhe përgjegjësia përfundimtare i takon politikës tregtare të BE-së, e cila drejtohet nga Komisioni Evropian në Bruksel.
“Duhet të ketë pak më shumë simetri... pjesa tjetër e botës nuk mund të mbetet e hapur ndaj një Kine që vetë nuk është e hapur ndaj importeve të reja”, tha ai.
“Njerëzit po blejnë produkte kineze sepse janë të lira dhe ju po thoni: shikoni, ne nuk do të përqendrohemi vetëm te çmimi i ulët. Duam gjithashtu ekuilibër. Dhe nëse politikat tuaja nuk po krijojnë ekuilibër, ne do të kufizojmë qasjen tuaj në tregun tonë”, shtoi ai.