КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Кошарка

Трепча у Грузији за следећу европску победу

Трепча

Fitorja ndaj Splitit në Kroaci i dha krahë skuadrës së Trepçës. Fitorja e 14 tetorit u pasua me fitoren 89:80 ndaj Opavas çeke më 21 tetor në “Minatori”. Dhe tashmë kampionia e Kosovës në basketboll është fuqishëm në garë për avancim nga stinori i rregullt i FIBA Europe Cup.

Pas xhiros së tretë, Trepça i ka pesë pikë në Grupin A. Ndeshjen e parë e humbi nga skuadra greke, Patras. Pesë pikë i ka edhe Patrasi grek, që mban vendin e dytë ndërsa Trepça të tretin, për shkak të koshdallimit më të mirë. Trieri gjerman ka fituar tri ndeshjet e para dhe është lider me gjashtë pikë.

Poshtë Trepçës janë Spliti e Opava me nga një fitore e dy humbje, përkatësisht me nga katër pikë, dhe Batumi gjeorgjian, që ka humbur tri ndeshjet e para dhe ka tri pikë.

Pikërisht me Batumin, Trepça e luan ndeshjen e radhës, të mërkurën prej orës 17:00 në Tbilisi. Një fitore në Gjeorgji do të rriste edhe më shumë gjasat e “xehetarëve” për suksesin e madh evropian.

Dy të parët në grup, pas dhjetë xhirosh, avancojnë në fazën e dytë. Trepça ka rreshtuar edhe tri fitore në Superligë, ndërsa ka bërë edhe përforcime. Në Gjeorgji pritet të debutojë JP Tokoto. 

Të mërkurën prej orës 19:00 ndeshje evropiane luan edhe Bashkimi. Skuadra prizrenase e pret në “Sezai Surroi”, ekipin francez, Elan Chalon.

Chaloni ka dy fitore e një humbje në Grupin F, që është plotësisht i hapur. Bashkimi ka luajtur dy ndeshje, ndërsa e ka një fitore ndaj Valmieras së Letonisë dhe një humbje nga Kalevi estonez. Ndeshjen në udhëtim ndaj Manchesterit nuk e ka luajtur ende për shkak të telasheve me viza.

Korfezi turk, Kalevi dhe Elan Chaloni kanë nga dy fitore e një humbje në grupin e Bashkimit. Valmiera ka një fitore e dy humbje, Bashkimi fitore e humbje, kurse Manchesteri ka humbur dy ndeshjet e deritashme. Edhe Bashkimi është fuqishëm në garë për avancim nga stinori i rregullt i FIBA Europe Cup.

Prizrenasit në fundjavë fituan me shumë mund ndaj Pejës. Dhe të mërkurën presin reagimin e radhës, ndërsa llogarisin në përkrahjen e tifozëve.