КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Кошарка

Трепча са низом победа на Косову и у Европи

КБ Трепца

Tri fitore rresht në Superligë, tri në Evropë. Fitoren e tretë rresht në FIBA Europe Cup, Trepça e shënoi të mërkurën ndaj Batumit në Tbilisi të Gjeorgjisë. 

Kampionia e Kosovës i ka edhe dy udhëtime të tjera. Një në Prishtinë dhe një në Trier të Gjermanisë.

Nga të dyja udhëtimet, “xehtarët” synojnë të kthehen me fitore.

“Ne punojmë edhe gjatë verës të jemi në këtë pozitë ku jemi tash. Sa u përket garave vendore, ne pretendojmë gjithmonë trofe, sepse Trepça viteve të fundit ka dëshmuar në bazë të rezultateve dhe aspektit organizativ se jemi ekipi më i mirë në Kosovë. Në garat ndërkombëtare, kemi zhvilluar katër ndeshje deri më tani. Ndeshjen e parë e humbëm në Mitrovicë nga klubi grek Patrasi. Me pak fat e fitonim edhe atë ndeshje”, ka thënë drejtori i Trepçës, Izet Tahiri, për KOHËN të enjten. 

Ai thotë se seria prej tre fitoreve rresht është për t’u vlerësuar.

“Seria prej tri fitoreve rresht që nga ndeshja me Splitin, pastaj Opavas çeke dhe së fundi Batumit të Gjeorgjisë na ka dhënë energji pozitive si ekip. Do të mundohemi ta japim maksimumin edhe në ndeshjet e tjera, pavarësisht se dueli ndaj ekipit gjerman Trier është sfiduese. Por ne udhëtojmë të martën në Gjermani të zhvillojmë të mërkurën ndeshjen me pretendimin për t’u paraqitur sa më mirë, nëse është e mundshme të fitojmë”, është shprehur Tahiri.

Trepça i dha fund serisë prej katër humbjeve rresht, në Superkupën e Kosovës, Superligë dhe në FIBA Europe Cup pas fitores së arritur në fillim të muajit ndaj Vëllaznimit. 

Ndeshjen e radhës në Superligë e kanë të dielën kundër Sigal Prishtinës. Klubi i kryeqytetit nuk është në momentin më të mirë të tij. Së fundmi e humbi derbin e qytetit thellë 76:57 nga Bora.

Aktualisht Sigal Prishtina është e sanksionuar nga Tribunali i Arbitrazhit të Basketbollit (BAT) të FIBA-s. Javën e kaluar Prishtina u sanksionua nga BAT-i i FIBA-s për një rast të humbur. Ndërkohë të martën figuroi në faqen zyrtare të FIBA-s që Prishtina është e sanksionuar për dy raste të ndryshme të humbura.

Por Tahiri vlerëson Prishtinën.

“Të dielën jemi mysafirë në Prishtinë. Rivaliteti është i madh, është ‘El Clasico’. Pavarësisht se a ka qenë Prishtina në pozitë të keqe, apo Trepça në pozitë të keqe, gjithmonë këto ndeshje janë llogaritur si derbi. Prishtina nuk është skuadër që duhet nënçmuar. Ka në mesin e saj lojtarë të huaj, të mirë dhe cilësorë. Ka disa probleme siç dihet, por ne udhëtojmë për të fituar. Shpresojmë ta shënojmë fitoren e katërt rresht në Superligë”, është shprehur Tahiri.

Trepça në vitet e fundit ka dominuar në basketbollin kosovar, duke i fituar gjithë trofetë e mundshëm. Kupën e Kosovës e ka fituar pesë herë rresht dhe titullin e kampionit e ka fituar tri herë rresht. Por nuk ia doli ta fitojë Superkupën. 

Me fitoren e arritur ndaj Batumit të mërkurën, Trepça ka rritur edhe më shumë gjasat për avancim nga Grupi A.

“Për momentin, grupi ku jemi është grupi më i komplikuar. Përveç Trierit që nuk ka asnjë humbje, ne me një humbje, ndërsa ekipet përcjellëse me të cilat do të përballemi sërish, kanë nga dy humbje, pra jemi një fitore më shumë se dy përcjellëset tona. Sukses do të ishte kalimi i grupit. Edhe arritja prej tre fitoreve rresht nuk është pak, marrë parasysh cilësinë dhe historinë që kanë klubet që po paraqiten në këtë nivel. Ne jo vetëm që po e përfaqësojmë klubin, qytetin tonë në mënyrën më të mirë, ne po e përfaqësojmë edhe Kosovën”, ka theksuar Tahiri.

Trepça është e dyta me shtatë pikë në Grupin A, një më pak se Trieri që nuk di për humbje nga katër ndeshje.

Spliti dhe Patrasi janë në pozitat tre dhe katër me gjashtë pikë. Opava është e pesta me pesë pikë, ndërsa Batumi në vendin e fundit me katër pikë.

Në FIBA Europe Cup po paraqitet edhe Bashkimi.

Bashkimi është i pesti në Grupin F me katër pikë. Ka një fitore e dy humbje.