КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Мурати: Проблем је што су трошкови живота порасли, али узроци су глобални

Хекуран Мурати

Фото: Дритон Пацхарада

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh. Gjatë prezantimit para anëtarëve të komisionit, Murati ka thënë se buxheti është hartuar duke u mbështetur në pritjet për rritje ekonomike, rritje të të hyrave dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike. Ai ka thënë se është problem që kostoja e jetesës në Kosovë është rritur, por sipas tij, kjo ka dy shkaktarë që nuk janë në kompetencën e institucioneve të Kosovës, por ka të bëjë me zhvillimet globale. 

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik

“Pra, një buxhet që e sjellim para jush me optimizëm dhe besim, sepse mbështetet mbi një ekonomi që rritet, mbi një trend pune që zhvillohet dhe mbi financat publike të shëndosha. Sa i përket buxhetit për vitin e ardhshëm, po kaloj direkt te shifrat. Bëhet fjalë për një buxhet prej 4 miliardë e 268.7 milionë euro në anën e shpenzimeve buxhetore. Ndërkaq, këto shpenzime financohen kryesisht nga hyrjet që janë 4 miliardë e 2 milionë euro, si dhe pjesa tjetër është financim i deficitit, që është në kuadër të rregullës fiskale”, deklaroi Murati.

Ai bëri të ditur se deficiti buxhetor për vitin 2027 parashihet të jetë 2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, i cili vlerësohet në 13.3 miliardë euro, ndërsa nevoja për financim arrin në 266 milionë euro.

“Sipas kësaj, ne i jemi përmbajtur rregullës fiskale, por në të njëjtën kohë jemi munduar që të reflektojmë rritjen ekonomike, e cila shfaqet përmes rritjes së të hyrave dhe në anën tjetër jemi munduar që këto të hyra pra t’i shpërndajmë në mënyrë sa më të drejtë, por njëkohësisht edhe duke zbatuar dhe duke u mbështetur në prioritetet e qeverisë”, tha ministri.

Sa i përket ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, Murati prezantoi se për paga janë planifikuar 1 miliard e 84.9 milionë euro, për mallra dhe shërbime 588 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, për rezervën rrjedhëse 11.9 milionë euro, ndërsa për interesin e borxhit publik 55 milionë euro.

“Ndërkaq, tek investimet kapitale, parashikohet shuma prej 1 miliard e 70 milionë euro, e këtu duhet të theksoj edhe faktin që nga viti i ardhshëm, pra s’ka më klauzola investimesh, me fjalë të tjera, pra e gjithë shuma e investimeve kapitale të parapara është e financuar nga granti buxhetor, por edhe nga deficiti, dhe e gjitha pra përfshihet në kuadër të 2% deficitit të paraparë sipas rregullës fiskale. Pra, nuk ka tejkalim mbi nivelin 2%, siç e kemi pasur deri në vitin aktual pra me rregullën fiskale ku financimet apo projektet kapitale të financuara nga klauzola e investimeve kanë qenë të përjashtuara”, deklaroi Murati.

Ai e cilësoi buxhetin si një planifikim me nivel rekord të të hyrave dhe shpenzimeve, duke kërkuar që projektligji të procedohet tutje.

“Marrë parasysh, pra, këtë buxhet dhe këtë nivel rekord të të hyrave, por edhe të planifikimit të shpenzimeve, konsideroj se është tejet e rëndësishme pra që të procedohet tutje”, përfundoi ministri.

Pas prezantimit të ministrit, anëtari i komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Mergim Lushtaku, kritikoi planifikimin dhe realizimin e investimeve kapitale, duke thënë se, sipas tij, Qeveria ka vazhduar të planifikojë shuma të mëdha për këtë kategori, por realizimi ka mbetur i ulët.

“Por realisht, duke e marrë përballë edhe duke e krahasuar edhe me raportet e auditorit, edhe të shpenzimeve 2026, 2025 e tutje, ne vazhdimisht që kemi pasur këtë qeveri, ka planifikuar shumë në investime kapitale, por realisht zbatueshmëria ka qenë e dobët”, tha Lushtaku.

Ai iu referua edhe një raporti të Institutit GAP për periudhën 2021-2024, sipas të cilit, mbi një miliard euro nuk janë shpenzuar nga investimet e planifikuara.

“Madje në disa raporte, siç është ai raporti i GAP-it 2021-2024, mbi 1 miliard euro nuk janë shpenzuar në investimet e planifikuara. Kjo e ndikon drejtpërdrejt te qytetarët, do të thotë me më pak rrugë, më pak ura, shkolla të pandërtuara, qendra të pandërtuara, dhe shumë projekte që e lehtësojnë jetën e qytetarëve. Sigurisht kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në ekonominë familjare, si dhe te shtrenjtimi i jetës qytetare”, deklaroi ai.

Lushtaku theksoi se rritja e vlerës nominale të buxhetit nuk nënkupton domosdoshmërisht përmirësim të mirëqenies së qytetarëve, duke e ndërlidhur këtë me nivelin e inflacionit.

“Numri i madh i buxhetit, apo buxheti me shifra të mëdha, nuk do të thotë që është mirëqenia më e mirë, sepse inflacionin e kemi pasur tepër të lartë. Në disa raporte të ndryshme kemi të paraqitura shifra të ndryshme. Për shembull, rasti është 7.8% inflacioni, ndërsa të tjerat deri në 7.1% deri në tetor 2026. Projeksionet nominale me ato reale i bie që zhvillimi diku ka kapur rreth 1%, sepse paratë që i ke pasur në 2026-ën nuk janë shpenzuar, dhe sigurisht i kanë humbur vlerën edhe në vitet dhe ditët e vjet”, u shpreh Lushtaku.

Ai foli edhe për dallimin ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve të planifikuara, duke përmendur një mungesë prej rreth 258 milionë eurosh.

“Prandaj, planifikimi buxhetor dhe të hyrat buxhetore dihet se janë 4 miliardë e 20 milionë, ndërsa shpenzimet që planifikohen për investime janë deri në 4 miliardë e 268 milionë euro, që i bie se jemi mangët rreth 258 milionë euro përafërsisht”, tha ai.

Në përgjigjen e tij ndaj kritikave të Lushtakut, ministri Hekuran Murati tha se niveli i ulët i ekzekutimit të investimeve kapitale nuk është problem që paraqitet vetëm në vitet e fundit, por një çështje që, sipas tij, është përsëritur ndër vite.

“Sa i përket ekzekutimit të projekteve kapitale, është një situatë kronike, nuk është vetëm në këtë vit, apo në disa prej viteve paraprake, që prej mbaj mend, dhe që prej secili që ka punuar në sektorin publik, dhe që është marrë me çështjen e financave publike e din që ekzekutimi i projekteve ka ngecur në vazhdimësi. Edhe në vitin 2010, 2011 edhe 2012, e kështu me radhë, çdoherë ekzekutimi ka qenë nën buxhetim”, tha Murati.

Ai përmendi disa faktorë që, sipas tij, ndikojnë në mosrealizimin e plotë të investimeve kapitale, duke veçuar kapacitetet zbatuese të ministrive të linjës, komunave dhe procedurat që shpeshherë nuk mund të parashikohen saktësisht gjatë planifikimit buxhetor.

“Kjo vjen kryesisht për shkak të disa faktorëve që janë përtej Ministrisë së Financave. Fillimisht bëhet fjalë për kapacitetet zbatuese nëpër ministri të linjës sa i përket planifikimit, këtu hyn pastaj edhe niveli lokal tek organizatat buxhetore, pra janë edhe komunat. Bëhet fjalë edhe për procedurat që shpeshherë nuk mund të përfshihen në planifikime të sakta, sepse mund të zgjasin”, u shpreh ministri.

Megjithatë, Murati tha se në ekzekutimin e investimeve kapitale vërehet përmirësim i trendit.

“Sa i përket çështjes së ekzekutimit të investimeve kapitale, mund të them se ka përmirësim të trendit”, deklaroi ai.

Duke iu përgjigjur kritikave për inflacionin dhe rritjen e kostos së jetesës, Murati tha se kjo është një sfidë që nuk prek vetëm Kosovën, por edhe vendet e tjera të botës.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, shtoi Murati.