КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Патријархални начин размишљања у школским уџбеницима, Курти упозорава на ревизију наставног плана и програма

Аљбин Курти - 30.09.2026

Фото: Дритон Пацхарада

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ka folur për vrasjen e Arlinda Zekajt, duke kërkuar përgjegjësi nga të gjithë zyrtarët institucionalë që kanë dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre.

Kurti ka thënë se rasti i Zekajt e ka përballur shoqërinë me një të vërtetë të rëndë që edhe pas denoncimit të dhunës dhe kërkimit të mbrojtjes nga institucionet, një grua mund të përfundojë e vrarë.

“Vrasja e Arlinda Zekajt na ka përballur edhe një herë me një të vërtetë të rëndë se një grua mund të ndjekë të gjitha rrugët që i parasheh ligji, të denoncojë dhunën, të kërkojë mbrojtje, madje të paralajmërojë me shkrim se i rrezikohet jeta, dhe prapë të përfundojë e vrarë. Arlinda bëri atë që institucionet u kërkojnë grave të bëjnë kur përballen me dhunë. Dje, ndamë më publikun rrjedhën e rastit dhe lëshimet e evidentuara zingjirore në institucionet përkatëse, me përjashtim të atyre që refuzuan të bashkëpunojnë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka ritheksuar se do të angazhohen deri në fund që secili zyrtar përgjegjës që nuk e ka kryer detyrën të japë përgjegjësi, përfshirë edhe përgjegjësinë disiplinore dhe penale.

“Me këtë rast e ritheksoj që do të angazhohemi deri në fund që secili zyrtar përgjegjës që nuk e ka kryer detyrën të jap përgjegjësi, edhe disiplinore, por edhe penale. Secili përgjegjës dhe secila përgjegjësi e secilës hallkë duhet të hetohet. Kushdo që ka neglizhuar punën apo ka bërë shkelje të detyrimeve ligjore, duhet të jap përgjegjësi e do të përballet me masa disiplinore e penale”, ka thënë ai.

Në fjalën e tij, Kurti është ndalur edhe te mendësia patriarkale në shoqëri, duke thënë se ajo vazhdon ta konsiderojë gruan si pronë dhe ta shohë pavarësinë e saj si mosbindje ndaj autoritetit mashkullor.

“Vrasja e Arlindës na përballi edhe me një problem më të thellë shoqëror. Me një mendësi patriarkale që ende e konsideron gruan si pronë apo objekt mbi të cilin burri mund të ushtrojë pushtet e forcë, që pavarësinë e saj e sheh si mosbindje dhe vendimin për t’u larguar nga një marrëdhënie si cenim të autoritetit mashkullor. Kjo mendësi nuk ndryshon vetëm me ligje. Ajo kërkon përballje të vazhdueshme në familje, në shkolla, në institucione dhe brenda vetë organizimeve tona politike”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar se ndryshimi i kësaj mendësie duhet të nisë që nga edukimi i fëmijëve, duke paralajmëruar rishikimin e mëtejshëm të kurrikulave arsimore në të gjitha nivelet.

“Por ndryshimi i kësaj mendësie duhet të fillojë shumë më herët, që në edukimin e fëmijëve. Do t’i rishikojmë edhe më tutje kurrikulat, duke filluar nga edukimi parashkollor e duke vazhduar në të gjitha nivelet e arsimit, ashtu që barazia, respekti për tjetrin, autonomia personale dhe zgjidhja e konflikteve pa dhunë të mësohen që në fëmijëri, në mënyrë të përshtatshme për secilën moshë”, ka thënë ai.

Kurti ka kritikuar edhe mënyrën tradicionale të edukimit të vajzave dhe djemve, duke theksuar se rolet e trashëguara gjinore duhet të shqyrtohen edhe në tekstet shkollore dhe në edukimin familjar.

“Nuk mund të vazhdojmë t’i edukojmë vajzat që të jenë të dëgjueshme e të durueshme, ndërsa djemtë që të jenë dominues. Këto role të trashëguara duhet t’i shqyrtojmë me guxim, edhe në tekstet shkollore, edhe në mënyrën se si i edukojmë fëmijët tanë. Emancipimi i një shoqërie matet edhe me lirinë që ua njeh grave, por edhe me burrat që ajo edukon. Prandaj, lufta kundër femicidit kërkon edhe një politikë të mirëfilltë arsimore, e cila e trajton barazinë gjinore si pjesë të formimit të qytetarit, që nga fëmijëria e hershme”, ka deklaruar kryeministri.

Kreu i Qeverisë është ndalur edhe te pabarazia ekonomike, duke thënë se patriarkati riprodhohet përmes pabarazisë në pronë, punës së papaguar që rëndon mbi gratë dhe mundësive të pabarabarta në punësim e vendimmarrje.

“Veç kësaj duhet ta kuptojmë se patriarkati nuk mbahet gjallë vetëm nga mendësitë e vjetra. Ai riprodhohet edhe përmes pabarazisë ekonomike, përmes pronës që u lihet djemve e jo vajzave, përmes punës së papaguar që rëndon mbi gratë, përmes mundësive të pabarabarta në punësim dhe vendimmarrje. Prandaj emancipimi do të vazhdojë të jetë pjesë e politikave tona arsimore, ekonomike e sociale”, ka thënë Kurti.

Në fund, Kurti ka thënë se barazia gjinore duhet të dëshmohet përmes vendimeve dhe politikave konkrete, si dhe përmes mënyrës se si institucionet i mbrojnë gratë kur jeta e tyre është në rrezik.

“Barazia gjinore duhet të dëshmohet në vendimet që marrim, në politikat që zbatojmë dhe në mënyrën se si i mbrojmë gratë kur u rrezikohet jeta. Në këtë drejtim kemi bërë shumë dhe kemi përgjegjësi politike të kërkojmë llogaridhënie për çdo shkelje të konstatuar”, ka përfunduar Kurti.