KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Додаток за култура

Театарот е во постојана потрага по публика, соочувајќи се со уметност која е предизвикана

Дискусијата на тема „Зошто сè уште се собираме: Театар на нестабилна основа“ се фокусираше на причините што ги држат луѓето поврзани со театарот, но и на неизвесностите што го предизвикуваат овој однос.

Дискусијата на тема „Зошто сè уште се собираме: Театар на нестабилна основа“ се фокусираше на причините што ги држат луѓето поврзани со театарот, но и на неизвесностите што го предизвикуваат овој однос.

Ka raste kur imazhet dëshmojnë vargun e njerëzve në një shfaqje teatrore, kur s’ka më bileta, e nëpër rrjete sociale afishohen njoftime si “sold out”. Por për ata që merren me teatrin dhe veçmas qëmtojnë raportin e tij me publikun, këto nuk mjaftojnë. “Pse ende mblidhemi: Teatri në terrene të lëkundura”, ka qenë diskutimi në të cilin panelistë nga vendi e jashtë, kanë kërkuar përgjigjen e formulën që komuniteti ta shohë teatrin si pjesë të jetës. Në një kohë kur inteligjenca artificiale sfidon edhe konceptin për artin, teatri merr frymë në terrene të lëkundura

Në terrene të lëkundura, ku institucionet kulturore përballen me pasiguri financiare, publiku nuk është i garantuar në teatër dhe inteligjenca artificiale po ndryshon raportin me artin. Ai vazhdon të mbështetet te nevoja njerëzore për t’u mbledhur, për ta përjetuar atë së bashku. Sfidë mbetet krijimi i një komuniteti që e sheh teatrin si pjesë të jetës, kapërcimi i barrierave që i mbajnë njerëzit larg tij dhe reflektimi i vetë krijuesve mbi mënyrën se si komunikojnë me publikun.

Këto çështje kanë qenë në qendër të panelit “Pse ende mblidhemi: Teatri në terrene të lëkundura” të së shtunës në qendrën “Barabar” në Prishtinë, në kuadër të edicionit zero të festivalit ndërkombëtar të teatrit “La Rremë”, i cili ka për mision pikërisht rinjohjen e peshës së teatrit në shoqëri.

Moderuar nga menaxherja e kulturës Aurela Kadriu, diskutimi është përqendruar tek arsyet që i mbajnë njerëzit të lidhur me teatrin, por edhe te pasiguritë që e sfidojnë këtë raport. Për pjesëmarrësit, mbledhja e publikut për një shfaqje të vetme nuk mjafton. Teatri duhet të krijojë marrëdhënie të qëndrueshme me njerëzit, ndërsa kjo kërkon jo vetëm përpjekje artistike, por edhe mbështetje shoqërore, qasje më të hapur dhe njohje të pengesave që e kufizojnë pjesëmarrjen.

Kadriu ka theksuar se vetë natyra e teatrit mbështetet te bashkimi i njerëzve.

“Pse vazhdojmë të mblidhemi rreth teatrit? Teatri është, në thelb, një veprimtari kolektive. Për të krijuar teatër, bashkohen artistët, ekipet teknike, duhet të sigurohen burimet financiare dhe publiku mblidhet përreth veprës që prezantohet. Në të njëjtën kohë, duhet të bashkohen edhe njohuritë, përvojat dhe këndvështrimet e ndryshme”, ka thënë Kadriu në nisje të diskutimit.

Ka ngritur pyetjen se çfarë ndodh kur kushtet që e bëjnë të mundur këtë bashkim bëhen gjithnjë e më të pasigurta.

“Po jetojmë në një periudhë kur institucionet kulturore përballen me forma të ndryshme presioni, financimi publik për kulturën në përgjithësi, e rrjedhimisht edhe për teatrin, vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje. Organizatat e pavarura artistike përpiqen të mbijetojnë financiarisht, ndërsa bashkëpunimi ndërkombëtar ndikohet nga rrethanat politike, qasja e pabarabartë në burime dhe kufizimet e lëvizjes. Njëkohësisht, zhvillimet teknologjike, veçanërisht inteligjenca artificiale, po ngrenë pyetje të reja për punën krijuese, autorësinë dhe vetë mënyrën se si prodhohet dhe përjetohet arti”, ka thënë ajo.

Për dramaturgun, regjisorin dhe skenaristin slloven Marko Bratush, nevoja për t’u mbledhur me të tjerët dhe për të ndarë një përvojë është pjesë e natyrës njerëzore. Sipas tij, kjo nevojë e mban teatrin të rëndësishëm edhe në rrethana kur mënyrat e komunikimit dhe të përjetimit të artit ndryshojnë.

“Edhe nëse je introvert, herë pas here ke nevojë të dalësh mes njerëzve, jo vetëm për të shkuar në dyqan, por për të përjetuar diçka në një nivel më të lartë. Prandaj, po, përgjigjja ime është se kemi vërtet nevojë për këtë. Kjo është e lehtë për t’u kuptuar”, ka thënë Bratush.

Por ai ka theksuar se kjo nevojë nuk e garanton vetvetiu pjesëmarrjen në teatër. Përvoja e tij ka treguar se krijimi i një komuniteti kërkon kohë dhe punë të vazhdueshme, përtej interesimit të përkohshëm për një shfaqje.

“Nevoja njerëzore për shoqëri, për të krijuar lidhje me njerëzit e tjerë, është gjithmonë e pranishme. Prandaj mendoj se asgjë nuk do të mund ta shkatërrojë teatrin si të tillë, sepse gjithmonë do ta kemi këtë nevojë për të qenë pranë njëri-tjetrit. Por kjo ishte qasja teorike. Në praktikë, duhet të dalim dhe të shohim se cilët janë këta njerëz. Nuk bëhet fjalë thjesht për të shitur një biletë, sepse kjo nuk mjafton. Kur fillon të krijohet një komunitet, ai rritet dhe, natyrisht, shtohet edhe interesi”, ka thënë Bratush.

Këtë dallim midis mbledhjes së përkohshme dhe krijimit të një komuniteti e ka theksuar edhe studiuesi kroat i teatrit, Darko Lukiq. Ka thënë se sfida nuk qëndron te bindja e njerëzve për të ardhur një herë në teatër, por te krijimi i arsyeve që ata të kthehen.

“Nga përvoja ime, është mjaft e lehtë t’i mbledhësh njerëzit përkohësisht për një ngjarje të vetme. Kjo nuk është ndonjë punë e vështirë. Problemi i madh është t’i bësh ata të kthehen, të bëhen pjesë e komunitetit. Këtu qëndron një dallim shumë i rëndësishëm mes shoqërisë dhe komunitetit. Shoqëria, në këtë kuptim, është një bashkim i përkohshëm, pa detyrime, ndërsa komuniteti nënkupton lidhje dhe marrëdhënie. T’i bësh njerëzit të ndihen pjesë e një komuniteti është puna më e vështirë që bëjmë në teatër, veçanërisht në festivalet teatrore”, ka thënë Lukiq, gjithashtu shkrimtar e dramaturg.

Ai është shprehur se krijuesit duhet të kuptojnë se kush janë njerëzit përreth tyre, çfarë u intereson, çfarë i shqetëson dhe cilat pengesa i mbajnë larg skenës.

“Gjatë 12 vjetëve të fundit jam marrë kryesisht me publikun dhe zhvillimin e tij. Nga kjo përvojë mund të them se nuk ekziston diçka e tillë si ‘publiku’ në një kuptim të vetëm e të përgjithshëm. Ekzistojnë vetëm njerëz gjithandej, të cilët mund të bëhen publik ose mund të mos bëhen kurrë të tillë. Pra, problemi ynë nuk është publiku, por mënyra se si e kuptojmë atë. Problemi qëndron te supozimet tona se disa njerëz janë këtu, të tjerë atje dhe se mjafton t’i thërrasim, t’i bindim e t’i ftojmë të vijnë. Por një grup i tillë, i gatshëm dhe i përcaktuar paraprakisht, nuk ekziston”, ka thënë ai.

Çmimet e larta të biletave, distanca gjeografike, gjendja ekonomike, arsimimi janë disa nga faktorët që, sipas Lukiqit, mund të ndikojnë në largimin e njerëzve nga teatri.

Regjisorja, skenaristja, producentja dhe aktorja bullgare Ilina Perianova ka thënë se nuk është e lehtë ta bindësh publikun të vijë në teatër.

“Vazhdoj të mendoj se si mund ta bind dikë në rrugë që të vijë në teatër. Si mund ta marr për dore dhe t’i them: ‘Eja, eja shikoje këtë shfaqje, eja shikoje këtë film, eja përjeto diçka që mund të të ndihmojë të zhvillosh empatinë’. Kur flasim për teatrin, mendoj se nuk ka asgjë më të bukur sesa të ulesh në një sallë me njerëz të tjerë, të shohësh aktorët teksa marrin frymë në skenë dhe ta përjetosh së bashku me të tjerët këtë organizëm të gjallë, si një trup i vetëm, si grup”, ka thënë ajo.

Ajo ka përmendur edhe gjuhën si një nga pengesat e mundshme, duke sjellë shembullin e një shfaqjeje në Bullgari, ku aktorët kanë folur për 15 minuta në greqisht, pa titra. Për të, përvoja të tilla mund ta largojnë shikuesin nga shfaqja dhe të thellojnë distancën midis krijuesve dhe publikut.

“Një nga pengesat është edhe gjuha. Së fundmi pashë një shfaqje në Bullgari, ku aktorët folën për 15 minuta në skenën e Teatrit Kombëtar në greqisht, madje në një greqishte të sajuar. Në atë moment mendova: ‘Këtu vërtet më keni larguar nga shfaqja’. Si mund ta kuptoj atë që po ndodh, kur as titra nuk ka? Meqë kam kaluar mjaft kohë në Greqi, e kuptoja se ajo gjuhë nuk ishte as greqishtja e vërtetë”, ka thënë Perianova.

Dramaturgia dhe skenaristja Doruntina Basha e ka vënë theksin tek edukimi teatral dhe nevoja që teatri të bëhet pjesë e përvojës shkollore që në fëmijëri.

“Ka disa çështje që duhen trajtuar. Njëra lidhet me edukimin teatral, jo në kuptimin e përgatitjes universitare për t’u bërë aktor apo diçka e ngjashme, por me mënyrën se si e sjellim teatrin në shkolla, duke ua shpjeguar fëmijëve se çfarë është teatri dhe çfarë mund të bëjë ai”, ka thënë Basha.

Ajo ka kujtuar se, edhe në rrethana represive gjatë fëmijërisë së saj, organizoheshin vizita shkollore në teatër dhe shkuarja në shfaqje ishte pjesë e jetës arsimore.

“Më kujtohet se kur isha fëmijë, ndonëse pjesa më e madhe e shkollimit tim fillor u zhvillua nën masa represive, në një sistem shtypës, ne përsëri arrinim të shkonim për të parë shfaqje teatrore. Gjithmonë ekzistonte ndonjë organizim që i merrte nxënësit e shkollave për t’i çuar në teatër. Nuk më kujtohet saktësisht se cili ishte ai organizim, por shkuarja në teatër ishte pjesë e zakonshme e jetës shkollore. Shkonim në shkollë dhe shkonim edhe në teatër. Duhet të kujtojmë, gjithashtu, se teatri është zhvilluar në rrethana jashtëzakonisht të vështira”, ka thënë ajo.

Paneli “Pse ende mblidhemi: Teatri në terrene të lëkundura” ka nxjerrë në pah se në terrene të lëkundura, teatri sfidohet jo vetëm nga pasiguritë financiare e teknologjike, por edhe nga nevoja për ta rishikuar mënyrën se si komunikon me shoqërinë.