KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Додаток за култура

Патријархот Порфириј – од студент по археологија до фигура на противречности

Една од најочигледните противречности на фигурата на Порфирија се појави на 7 септември 2026 година, кога тој лично ја водеше погребната служба за Ратко Младиќ, поранешниот командант на Војската на Република Српска (Фото: Танјуг)

Една од најочигледните противречности на фигурата на Порфирија се појави на 7 септември 2026 година, кога тој лично ја водеше погребната служба за Ратко Младиќ, поранешниот командант на Војската на Република Српска (Фото: Танјуг)

Një profil i Porfirije Perićit: nga studimet për arkeologjinë dhe murgërimi në Deçan, te karriera akademike, kreu i Kishës Ortodokse Serbe dhe debati mbi kujtesën e Ratko Mladićit. Arkeologjia heq shtresat për të mbërritur te faktet. Politika e kujtesës shpesh vendos shtresa të reja mbi to. Por nën to mbeten dëshmitë, vendimet gjyqësore dhe, mbi të gjitha, viktimat

Para se të bëhej murg, teolog, profesor universitar, mitropolit dhe, më në fund, Patriark i Kishës Ortodokse Serbe, Prvoslav Perić kishte zgjedhur arkeologjinë. I lindur më 22 korrik 1961 në Bečej, në Vojvodinë, ai përfundoi gjimnazin në Novi Sad më 1980 dhe më pas ndoqi studimet për arkeologjinë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit. Nuk rezulton t’i ketë përfunduar ato studime dhe nuk u diplomua si arkeolog. Po ashtu, në dokumentacionin publik të njohur deri më sot, nuk është identifikuar ndonjë e dhënë e besueshme për lokalitetet ku mund të ketë marrë pjesë në gërmime arkeologjike studentore. Fakti, megjithatë, mbetet interesant: Patriarku i sotëm i Kishës Ortodokse Serbe e nisi formimin universitar si student i arkeologjisë.

Kur Prvoslav Perić u bë Porfirije
Në mesin e viteve tetëdhjetë, Perić u orientua drejt teologjisë dhe jetës monastike. Në Manastirin e Deçanit u murgërua dhe mori emrin Porfirije. Emri rrjedh nga greqishtja, “Porphyrios”, e lidhur me “porphyra” – purpurin, ngjyrën që në botën antike dhe bizantine shoqërohej me dinjitetin dhe autoritetin. Më i rëndësishëm se simbolika e emrit është vetë Deçani. Aty Prvoslav Perić mori identitetin monastik me të cilin më vonë do të ngjitej deri në majën e hierarkisë së Kishës Ortodokse Serbe

Teologu dhe profesori

Pas kalimit në teologji, Porfirije vazhdoi studimet në Beograd dhe Athinë, ku më vonë përfundoi edhe doktoratën. Paralelisht me ngritjen kishtare, ai ndërtoi një karrierë akademike. Që nga viti 2004 është i lidhur me Fakultetin e Teologjisë Ortodokse të Universitetit të Beogradit, ku sot figuron si profesor i rregullt në Katedrën e Dhiatës së Re. Puna e tij akademike është përqendruar kryesisht në teologjinë e Dhiatës së Re, Apostullin Pal dhe teologjinë pastorale.

Në vitin 2014 u bë Mitropolit i Zagrebit dhe Lubjanës, ku kultivoi profilin e një kleriku të orientuar drejt dialogut ortodoks-katolik dhe komunikimit ndërmjet serbëve dhe kroatëve.

Më 18 shkurt 2021, Porfirije u zgjodh Patriarku i 46-të i Kishës Ortodokse Serbe.

Kosova: nga Deçani te froni i Pejës

Raporti i Porfirijes me Kosovën është njëkohësisht biografik dhe institucional. Në Deçan mori emrin monastik, ndërsa si patriark mban edhe titullin e Kryepeshkopit të Pejës. Më 2022 u fronëzua në Patriarkanën e Pejës. Në diskursin e tij dhe të Kishës që drejton, Kosova paraqitet vazhdimisht si hapësirë qendrore e historisë dhe identitetit shpirtëror serb. Ky është qëndrimi i Kishës Ortodokse Serbe.

Nga dialogu i Zagrebit te funerali i Mladićit

Një nga kontradiktat më të dukshme të figurës së Porfirijes u shfaq më 7 shtator 2026, kur ai drejtoi personalisht shërbesën mortore për Ratko Mladićin, ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Serbe. Mladić vdiq duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Porfirije nuk u kufizua vetëm në ritin fetar. Ai mbajti edhe fjalimin mortor. Një medium rajonal e përmblodhi ngjarjen me titullin: “Porfirije služio opijelo ratnom zločincu Ratku Mladiću” (Porfirije kreu shërbesën mortore për kriminelin e luftës Ratko Mladić). Por më shumë se titulli, rëndësi kanë faktet: shërbesën e drejtoi vetë Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, ndërsa në fjalimin e tij foli edhe për “mirënjohjen e thellë” që, sipas tij, një pjesë e popullit ortodoks serb ndien ndaj Mladićit. Këtu çështja nuk është më vetëm liturgjike.

Lutje apo rehabilitim simbolik?

Një Kishë ka të drejtë të lutet për një të vdekur. Kjo është pjesë e misionit të saj fetar. Por kur lutjen e drejton vetë kreu i Kishës dhe ajo shoqërohet me një fjalim publik për mirënjohjen ndaj një personi të dënuar për gjenocid dhe krime të tjera ndërkombëtare, ceremonia merr edhe dimension publik e politik. Nuk bëhet fjalë për rehabilitim juridik. Vendimet e gjykatave ndërkombëtare nuk zhbëhen me një shërbesë fetare. Por mund të flitet për rehabilitim simbolik. Për mënyrën se si një figurë e dënuar për krime të rënda rikthehet në kujtesën kolektive përmes imazhit të komandantit, ushtarit apo mbrojtësit të popullit të vet. Për viktimat, Ratko Mladić nuk është figurë abstrakte e historisë. Emri i tij lidhet me Srebrenicën, Sarajevën dhe me krime të dokumentuara e të gjykuara. Prandaj ceremonia nuk mund të shihet vetëm si akt liturgjik.

Nga arkeologjia te kujtesa

Këtu biografia e Porfirijes mbyll një rreth të pazakontë. Në rini nisi të studionte arkeologjinë – disiplinën që heq shtresat e kohës për të mbërritur te dëshmia. Nuk u bë arkeolog. Dekada më vonë, si Patriark i Kishës Ortodokse Serbe, ai drejton një institucion me ndikim të madh në mënyrën se si ndërtohet kujtesa historike. Arkeologjia heq shtresat për të mbërritur te faktet. Politika e kujtesës, shpesh, vendos shtresa të reja mbi to. Por nën to mbeten dëshmitë, vendimet gjyqësore dhe, mbi të gjitha, viktimat. Porfirije nuk u bë arkeolog. Por si Patriark ka sot autoritetin për të ndikuar në mënyrën se si e kaluara kujtohet. Për këtë arsye, përgjegjësia e tij nuk matet vetëm me lutjen që shqipton para altarit, por edhe me kujtesën që fjalët dhe veprimet e tij ndihmojnë të ndërtohet jashtë tij. Pajtimi nuk kërkon që të harrojmë të vdekurit tanë. Kërkon që të mos harrojmë viktimat e të tjerëve.