KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Додаток за култура

Алгоритмот на незнаењето

Алгоритмот на незнаењето

Ne kemi algoritëm jodigjital të trashëguar që tanimë vetëm ka ndërruar mediumin, por funksionon në nivel pothuajse të njëjtë dëshpërues. Nëse artisti, akademiku, shkrimtari e intelektuali ia lënë hapësirën krejtësisht boshe, atë hapësirë dikush do ta mbushë. Po besoj emrin e atyre që do ta mbushin, tanimë e keni në mendje

Dhe algoritmi, me bindjen mekanike të një shërbëtori perfekt, na ka dhënë gjithnjë e më shumë nga ajo që kemi kërkuar. Pra me pak fjalë, idiotësinë, konfliktin, poshtërimin, injorancën. Ne e shpërblejmë të paditurin me vëmendje, të diturin me indiferencë, vulgarin me audiencë dhe pastaj habitemi pse kemi përfunduar këtu, në ekonominë e injorancës

Në menynë e pakufishme të bukurisë së artit e muzikës, të sportit dhe rekreacionit, të përzgjedhjes së materialeve që i shërbejnë shpirtit e shëndetit; në korpusin e gjerë e diapazonin pothuajse të pakufishëm të estetikës dhe mirëqenies, në spektrin me miliona nuanca të kulminacionit estetik dhe kultivimit personal e shoqëror – kjo shoqëri ka vendosur që ushqim bazë ta ketë këtë bërllok ndër më të pështirët që shërbehet pakufishëm në rrjetet sociale.

Shoqëria jonë ka vendosur që monitorët e saj të shtrenjtë, në ngrohtësinë e kolltukëve të lëkurës, t’i përdorë për ta përcjellë me ëndje pamendimin shoqëror, regresin estetik, belbëzimin deduktiv, mizerjen konceptuale, llumin politik, kronikën e gjakosur që dikur quhej rubrika rozë, gangsterllëkun e pashoq, krekosjen e bretkosave arrogantë, zbrazëtinë e epistemave të ndryshkura, kundërthëniet e liderëve që i tërheqin masat në pole të kundërta, prej nga pastaj vjellin vrer mbi njëri-tjetrin, pështymën në televizion, kërcënimin nga postoçia e odave, kanunet e tejkaluara që vazhdojnë të sillen si hije në odat e “pakushtetueshme”, lakuriqësinë shpirtërore, botoksin e kalbur, ditarin e fyerjeve, skutat e bërrylave.

Të gjitha i kemi aty, një klik larg. Dhe…

Në këtë katrahurë, në këtë çorientim, duket se pa ide, pa qëllime, pa angazhim dhe breshkërisht janë strukur intelektualët, akademikët, artistët, hipsterët, rokerët, shkrimtarët.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve, e mbushur me vjershaxhinj, duket se nuk ndien pothuajse asnjë përgjegjësi për këtë shoqëri që padijen e ka bërë kajak për të lundruar në l(ll)umin e theqafjes kulturore.

Një institucion i financuar me para publike, i mbushur me njerëz që shoqëria (demek) supozohet se i ka vendosur në majën e mendimit të saj, duket se në prioritete ka gjithçka përveç analizimit të kësaj theqafjeje shoqërore.

Vjershaxhinjtë i heshtin heshtat e tyre vjershërore përballë dekompozimit shoqëror, të cilin e shohin me një indiferencë të frikshme.

Akademikë që krejt akademikisht refuzojnë përgjegjësinë e tyre intelektuale, shkencore e, ndoshta, edhe morale.

Nuk është se akademiku duhet të dalë çdo mëngjes në televizor e të komentojë gjithçka. Nuk është kjo puna e tij. Por kur një shoqëri rrëshqet në budallallëk, kur debati publik reduktohet në sharje, kur argumenti zëvendësohet me klithmë të padurueshme, kur kultura e diskutimit shndërrohet në luftë krahinash, familjesh, partish e portalesh, atëherë heshtja e atyre që pretendojnë se përfaqësojnë mendimin nuk është më neutralitet.

Akademia dhe akademikët (të supermbivlerësuarit) janë pjesë e problemit.

Në platenë e kësaj theqafjeje shoqërore, artistët bëjnë sehir sikur nuk u përket asgjë. Sikur ajo që po ndodh është jashtë domenit të tyre. Sikur arti fillon te dera e teatrit, kinemasë apo galerisë –  dhe përfundon te hapësirat e festivalit, prezantimit apo përfaqësimit.

Dhe arrogancën e vetëmbivendosjes kulturore, shpesh krejt artificiale, mbi mesataren e qytetarëve të tyre e përdorin si argument për ta justifikuar indiferencën totale. Nëse kjo diskutohet, ata paturpësisht nxjerrin nga goja karremin më të pështirë që ua ka hedhur politika: Artistët nuk duhet të merren me politikë. Si ka mundësi që artistë të njëmendtë ta kenë ngrënë këtë lloj karremi? Si mund të besojë një artist se nuk duhet të merret me politikë? Si mundet me vetëdije ta përjashtojë veten nga jeta publike dhe të mendojë se politika nuk i përket atij? Në fakt, politika vendos për gjithçka rreth tyre, dhe nëse këta nuk do të merren me politikë, atëherë, politika merret do të merret me ta.

Ta shohim edhe nga një dimension tjetër krejt këtë “refuzim estetik” të artistëve përballë dështimit të shoqërisë kosovare.

Shumica e artistëve në Kosovë provojnë me mish e me shpirt të duken apolitikë. Sigurisht, kjo është një përpjekje e dështuar apriori. Edhe heshtja është pozicion. Edhe mungesa e reagimit prodhon efekt. Edhe tërheqja është zgjedhje. Madje, në disa momente, është zgjedhje shumë më politike sesa një status në Facebook.

Shumica absolute e tyre qëllim bazë kanë realizimin e projekteve të veta. Mund të kapërcejnë përgjegjësinë personale, artistike, intelektuale e morale, vetëm e vetëm që të mos pengojnë qëllimet që lidhen ekskluzivisht me projektet e tyre.

Ndërsa kur pyeten për politikën, provojnë të thonë se kritikën e tyre e bëjnë përmes artit.

Cilit art?

Artit që konsumohet kryesisht nga ata që kanë më së paku nevojë për kritikën tonë?

Artit që e shohin pesëdhjetë, njëqind apo pesëqind njerëz, ndërkohë që një idiot me një telefon arrin te qindra mijëra brenda një pasditeje?

Artit që ndonjëherë detyrohemi ta sjellim me vonesë para audiencës sonë të paktë, sepse më parë duhet t’i ruajmë premierat, festivalet, aplikimet, “fluturimin ndërkombëtar”?

Artit që në pretendojmë se e bëjmë për shoqërinë, ndërsa në praktikë shoqërinë e shohim si problem, si mungesë emancipimi, si ngecje?

Pse artistët nuk marrin pjesë në njëfarë obligimi shoqëror, qoftë përmes shkrimeve, emisioneve, debateve, reagimeve publike apo edhe një statusi në Facebook? Asnjëherë nuk sugjeroj, por edhe nuk e shoh si problem kyçjen e drejtpërdrejtë në parti politike, por angazhimi politik mund të bëhet shumë i fuqishëm edhe pa u tjetërsuar (empirikisht) përmes një partie politike. Fundja, cili është misioni i tyre? Realizimi i disa ëndrrave të vogla meskine? Grant, subvencion, pak tepih të kuq, pak lavdi meskine?

Në secilën premierë ne i duartrokasin njëri-tjetrit dhe pastaj kthehen në një shoqëri që çdo ditë bëhet më e paaftë ta dallojë argumentin nga ulërima, një shoqëri për të cilën kemi përgjegjësi. Edhe njëherë, për të shmangur cektësinë analitike mbi këtë shkrim, unë asnjëherë nuk dëshiroj që arti nuk duhet të shndërrohet në megafon partiak. Përkundrazi artisti që shndërrohet në tifoz të verbër të një partie pushon së qeni i dobishëm pikërisht aty ku mendon se po bëhet i dobishëm.

Por ndërmjet militantit partiak dhe mumies ekziston një hapësirë e pafundme. Quhet qytetari, mendim, përgjegjësi. Një pjesë e artistëve e kanë kuptuar se reagimi, refuzimi dhe përplasja me politikën kanë kosto personale të padiskutueshme. Këta i kuptoj, ndonëse nuk i mirëkuptoj.

Sepse një artisti të njëmendtë kalkulimet e tilla do të duhej t’i dukeshin qesharake, e jo më të ndërtonte sjelljen e vet mbi këto premisa të cekëta.

Por këtu fillon problemi tjetër. Ne shpesh gabimisht mendojmë se kjo që po ndodh është vetëm pasojë e rrjeteve sociale. Sikur Facebook-u na e ka prishur shoqërinë. Sikur TikToku na e ka shpikur budallallëkun. Sikur algoritmi diku në Kaliforni është ulur dhe ka vendosur se çfarë budallenjsh duhet të bëhemi ne në Kosovë. Jo. Algoritmi nuk ka shpikur asgjë. Ai vetëm ka mësuar prej nesh. I kemi treguar çdo ditë çfarë duam. Konfliktin para argumentit. Sharjen para mendimit. Skandalin para dijes. Fytyrën para idesë. Poshtërimin para debatit. Trupin para shpirtit. Krekosjen para punës. Klithmën para fjalisë.

Dhe algoritmi, me bindjen mekanike të një shërbëtori perfekt, na ka dhënë gjithnjë e më shumë nga ajo që kemi kërkuar. Pra me pak fjalë, idiotësinë, konfliktin, poshtërimin, injorancën.

Ne e shpërblejmë të paditurin me vëmendje, të diturin me indiferencë, vulgarin me audiencë dhe pastaj habitemi pse kemi përfunduar këtu, në ekonominë e injorancës.

Por algoritmi nuk do të mund të kishte kaq shumë sukses po të mos ekzistonte një algoritëm tjetër, shumë më i vjetër se Facebook-u.

Algoritmi ynë shoqëror. Ne kemi algoritëm jodigjital të trashëguar që tanimë vetëm ka ndërruar mediumin, por funksionon në nivel pothuajse të njëjtë dëshpërues.

Nëse artisti, akademiku, shkrimtari e intelektuali ia lënë hapësirën krejtësisht boshe, atë hapësirë dikush do ta mbushë. Po besoj emrin e atyre që do ta mbushin, tanimë e keni në mendje. Por sigurisht këta më shumë se për gjykim, kane nevojë për ndihmë, për dikë që jeta i ka dhënë mundësi, por edhe përgjegjësi që këtyre të ju ofrojnë diçka që u ndihmon.

Duke mos marrë përgjegjësi ata që duhet, sigurisht se pastaj nuk mund as të habitemi se si niveli i diskutimit bie, si estetika zhbëhet, si gjuha shëmtohet, si argumenti vdes, si banaliteti bëhet normë dhe si budallallëku, pak nga pak, shndërrohet nga fenomen në sistem.

Nuk e di nëse artisti në këtë rast duhet ta shpëtojë shoqërinë. Me siguri jo.

Nuk e di nëse akademiku mund ta shpëtojë. Me siguri as ai. Por një gjë e di:

Nëse ata që supozohet se kanë mjetet për ta artikuluar realitetin, për ta analizuar, kundërshtuar, deformuar artistikisht, shpjeguar, ironizuar dhe sfiduar atë, vendosin të bëjnë sehir, atëherë nuk mund të çuditen kur realitetin ua artikulojnë të tjerët.