Laura Brand i ka dalë në mbrojtje bashkëshortit të saj, komedianit britanik Russell Brand, gjatë gjyqit ku ai përballet me shtatë akuza për sulme seksuale. Ajo e përshkroi atë si një bashkëshort të kujdesshëm dhe një baba të mrekullueshëm, ndërsa ai i mohon të gjitha akuzat, ka shkruar БиБиСи.
Të enjten duke dëshmuar në Gjykatën e Southwark në Londër, Laura ka thënë se i shoqi është një njeri që e kupton dhe e respekton.
“Ai është i kujdesshëm, i sjellshëm dhe një baba i mrekullueshëm për fëmijët tanë”, ka deklaruar ajo para trupit gjykues.
E pyetur nëse Brand e respekton kur ajo nuk dëshiron të kryejë marrëdhënie seksuale, Laura u përgjigj: “Po, absolutisht”.
Ajo ka shtuar se marrëdhënia e tyre bazohet te sinqeriteti dhe mirëkuptimi, duke theksuar: “Ndihem e kuptuar prej tij. E dua shumë”.
Laura, vajza e ish-golfistit Bernard Gallacher dhe motra e prezantueses televizive Kirsty Gallacher, u martua me Brand në vitin 2017. Çifti ka tre fëmijë.
Ajo ka treguar se ishte njohur me komedianin në vitin 2006, gjatë festivalit të Edinburgut, dhe se marrëdhënia e tyre kishte pasur vështirësi për shkak të tradhtive të tij të përsëritura. Pas një periudhe ndarjeje, ata u ribashkuan në vitin 2015.
Shtatë akuza, Brand i mohon të gjitha
Russell Brand përballet me tri akuza për përdhunim, tri për sulm seksual dhe një për tentativë sulmi të pahijshëm seksual. Akuzat lidhen me pretendime të ngritura nga gjashtë gra për ngjarje të periudhës 1999-2009.
Aktori dhe komediani i ka mohuar të gjitha akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm.
Një ditë para dëshmisë së bashkëshortes, Brand kishte dalë vetë para gjykatës, ku tha se akuzat kishin pasur pasoja shkatërruese për marrëdhëniet e tij me miqtë dhe kolegët.
Ai ka pranuar se kishte pasur marrëdhënie me shumë gra, por ka theksuar rëndësinë e pëlqimit në marrëdhëniet seksuale.
“Pëlqimi është thelbësor, i domosdoshëm dhe, në shumë mënyra, më i rëndësishëm edhe se vetë seksi”, ka deklaruar ai.
Dëshmojnë edhe ish-partneret
Gjatë seancës dëshmuan edhe dy ish-partnere të Brand. Elia Alvarez Diaz e ka përshkruar atë si një person të dashur dhe të butë, por edhe si një karakter kompleks dhe bindës. Ajo ka thënë se marrëdhënia e tyre përfundoi për shkak të tradhtive të përsëritura.
Edhe Amanda Alguero Alejos foli për tradhtitë e tij gjatë lidhjes së tyre.