Aktorja britanike Rosamund Pike do të jetë protagoniste dhe producente e filmit të ri horror “Feed”, i cili trajton anën e errët të rrjeteve sociale, famës dhe ambicieve prindërore, ka shkruar Краен рок.
Data e lansimit të filmit nuk është bërë e ditur ende.
Ylli i filmit “I Care a Lot” do të interpretojë Erin, një nënë të dëshpëruar, e cila zbulon një suplement të pazakontë të bukurisë që premton ta shndërrojë vajzën e saj, një gjimnaste e re, në një yll absolut të rrjeteve sociale. Por, ndërsa fama dhe suksesi i vajzës rriten, ajo nis të pësojë një transformim të frikshëm.
Filmi do të drejtohet nga Leslye Headland, e njohur për serialin “Russian Doll”, ndërsa skenari është shkruar nga Daniella Isaacs dhe është frymëzuar nga filmi finlandez “Hatching”, i vitit 2022.
“Feed” përshkruhet si një histori e pazakontë dhe shqetësuese nënë e bijë, që trajton ambiciet prindërore, iluzionin e mbrojtjes dhe kufirin e hollë mes viktimës dhe grabitqarit.
Pike ka treguar se prej kohësh dëshironte të realizonte një film që trajton në mënyrë provokuese varësinë nga rrjetet sociale dhe obsesionin modern për famën dhe përsosmërinë.
“Prej kohësh kam dashur të realizoj një film që luan me obsesionin tonë ndaj rrjeteve sociale, përmirësimit të vetes dhe dëshirës për famë pa pasur domosdoshmërisht ndonjë talent të veçantë. Por edhe me anën e frikshme të mëmësisë moderne”, u shpreh aktorja.
Ajo ka shpjeguar se personazhi i saj, Erin, është një nënë që dëshiron ta shohë vajzën të dominojë botën dixhitale, duke besuar se suksesi dhe fama do ta mbrojnë atë nga vështirësitë e jetës.
“Filmi trajton dëshirën e errët të komuniteteve online, një botë të rrjeteve sociale që fiton para nga rinia dhe bukuria, ambicien e një nëne për suksesin e vajzës së saj dhe etjen e një adoleshenteje për famë, pavarësi dhe kontroll në marrëdhënien me të ëmën”, ka deklaruar Pike.
Ndërkohë, regjisorja Leslye Headland e ka cilësuar skenarin si një histori shqetësuese, por thellësisht njerëzore, duke vlerësuar edhe guximin artistik të Rosamund Pike.
“Është një histori e guximshme, shqetësuese dhe thellësisht njerëzore. Rosamund është një nga aktoret më të guximshme që punojnë sot dhe nuk mund të kërkoja bashkëpunëtore më të mirë për të eksploruar anët më të errëta të kësaj historie”, u shpreh ajo.