Për përrallën politike të “kthimit në fenë e të parëve”, të vënë përballë mitit politik të shprehur në formulën “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, si dhe për përrallën politike të “partive të krahut të luftës” të vënë përballë mitit politik të luftës çlirimtare si ndërmarrje e përbashkët kombëtare
Le të fillojmë me një dallim konceptual ndërmjet dy lloje rrëfimesh që synojnë ta natyralizojnë, legjitimojnë ose përfytyrojnë një rend politik ekzistues apo të aspiruar. Dallimi qëndron në orientimin e tyre politik dhe normativ: disa prej këtyre rrëfimeve mbështesin qëllime emancipuese dhe progresive, ndërsa të tjerat shërbejnë për të legjitimuar marrëdhënie dominimi, përjashtimi dhe shtypjeje. Të parat i kam quajtur “mite politike”, ndërsa të dytat “përralla politike”.
Duke u nisur nga ky dallim, në këtë artikull synoj të përqas dy përralla politike me dy mite politike shqiptare, për të shqyrtuar mënyrat e ndryshme se si këto rrëfime prodhojnë kuptim politik, legjitimojnë rendin shoqëror dhe orientojnë përfytyrimin kolektiv për të tashmen dhe të ardhmen. E kam fjalën konkretisht për përrallën politike të “kthimit në fenë e të parëve”, të vënë përballë mitit politik të shprehur në formulën “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, si dhe për përrallën politike të “partive të krahut të luftës” të vënë përballë mitit politik të luftës çlirimtare si ndërmarrje e përbashkët kombëtare.
Miti “Feja e shqiptarit është shqiptaria”
Intelektualët e lëvizjes kombëtare shqiptare të Rilindjes, sajuan një sistem mitesh, me anë të të cilit synonin të ndikonin në formimin e qëndrimeve politike dhe të mobilizonin sjelljen politike të popullatave shqiptare në kohën kur rendi politik në të cilin jetonin kishte filluar të shthurej. Në atë sistem mitesh, u formuan edhe ide që përfytyronin një identitet mbarshqiptar mbi shenjuesit kulturor e dallimet rajonale të popullsive shqipfolëse. Ndër to, doli një mit politik që u shpreh me formulën elegante “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.
Vetë formulimi është i rilindasit Pashko Vasa, mirëpo kuptimi i formulës shpreh një ndër mitet më të rëndësishme të Rilindjes shqiptare. Ky mit synonte të krijonte shqiptarinë politike që do të kapërcente dallimet kulturore ndërmjet popullsive shqiptare, përfshirë edhe ato fetare. Nuk do mend, feja përbënte një shenjues të rëndësishëm kulturor e identitar për këto popullsi, ndërsa përkatësia fetare luante një rol të rëndësishëm në organizimin shoqëror dhe përcaktimin e përkatësive kolektive. Popullsitë shqipfolëse, ndërkaq, i përkisnin tri bashkësive kryesore fetare: myslimane, ortodokse dhe katolike, përkatësi që pasqyroheshin edhe në pozicionimin e tyre brenda strukturave shoqërore dhe institucionale në sistemin e mileteve osmane.
Natyrisht, veprimtarët intelektualë të Rilindjes shqiptare, nuk e sajuan këtë mit sepse donin të thonin se ekziston ose duhet të shpiket një fe e re që do të quhej “shqiptari” dhe se duhet braktikur fetë në të cilat shqiptarët bënin pjesë. Në të vërtetë, miti i fesë shqiptare u sajua si një rrëfim për të vendosur themelin e qeverisjes shekullare të shqiptarëve të bashkuar në një identitet politik kombëtar që ngrihej mbi të gjitha dallimet e brendshme.
Miti i luftës çlirimtare si ndërmarrje e përbashkët
Një mit politik më i vonshëm i shqiptarëve është ai i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i luftës së saj çlirimtare, të përfytyruar si ndërmarrje e përbashkët kombëtare, e të gjithë shqiptarëve dhe për të gjithë shqiptarët e Kosovës. Natyrisht, kjo nuk nënkupton se të gjithë shqiptarët e Kosovës e kanë mbështetur UÇK-në në mënyrë të njëtrajtshme dhe pa rezerva. Një pretendim i tillë do të ishte empirikisht i pambrojtshëm dhe do të shpërfillte dallimet politike dhe strategjike që ekzistonin në mesin e shqiptarëve gjatë asaj periudhe.
Sidoqoftë, ajo që bëhet përmes këtij miti politik është diçka tjetër: themelimi simbolik i karakterit të përbashkët dhe mbarëkombëtar të luftës së UÇK-së. Në këtë rrëfim, UÇK-ja nuk paraqitet thjesht si organizatë e një grupi të caktuar politik a ideologjik, por si shprehje e një përpjekjeje kolektive për çlirim nga sundimi serb dhe për krijimin e një rendi të ri politik në Kosovë.
Ai prodhon gjithashtu një “ne” kolektive që ngrihet mbi dallimet politike në të shkuarën dhe të tashmen, në të cilin lufta nuk u përket vetëm luftëtarëve, strukturave të UÇK-së apo një krahu të caktuar politik, por zë vend në kujtesën publike si përpjekje e përbashkët e një bashkësie më të gjerë – e të gjithë shqiptarëve. Mu këtu qëndron dimensioni mbarëkombëtar i këtij miti: lufta paraqitet si e ndërmarrë në emër të lirisë që nuk ishte pronë e një grupi, organizate a partie politike, por një e mirë politike e përbashkët – për të gjithë shqiptarët.
Funksioni politik i këtij miti është të legjitimojë rendin e krijuar pas përfundimit të luftës, në të cilin Kosova çlirohet nga sundimi i Serbisë, ndërton institucione të veta politike dhe zhvillohet si bashkësi politike më vete. Në këtë kuptim, miti i luftës çlirimtare, si burim legjiimiteti i një rendi politik, thur një rrëfim vazhdimësie nga lufta, çlirimi, vetëqeverisja dhe ndërtimi i rendit të ri politik.
Përralla e kthimit në fenë e të parëve
Ashtu siç kemi krijuar mitet politike me të cilat orientohemi drejt rrugës së emancipimit, kemi krijuar edhe përrallat politike me të cilat ecim në rrugën e shtypjes. Një përrallë politike që qëndron në kundërshtim me mitin e “fesë së shqiptarisë” është ajo e shqiptarit të katolik si përfaqësues i shqiptarisë autentike.
Ajo rrëfen se një fe është qenësisht e lidhur me identitetin shqiptar, ndërsa fetë e tjera nuk janë të tilla ose, për më tepër, janë në kundërshtim qenësor me të qenit shqiptar. Rrjedhimisht, që të jesh shqiptar i vërtetë, pra autentik, duhet t’i përkasësh një feje dhe jo tjetrës. Sipas një leximi gjysmak të historisë dhe të realitetit të sotëm kulturor e politik, kjo përrallë na rrëfen se shqiptarët e krishterë kanë qenë ose janë shqiptarët autentikë, ndërsa shqiptarët myslimanë jo.
Kjo përrallë politike lexon së prapthi formulën e Pashko Vasës, duke pranuar se po, feja e shqiptarit është shqiptaria, por duke e barazuar shqiptarinë me një fe, me fenë e krishterë, ose më saktë, katolike. Sipas këtij interpretimi, shqiptarët katolikë kanë qenë shqiptarët autentikë, ndërsa të myslimanizuar kanë humbur diçka ose shumëçka nga qenia e tyre shqiptar. Kështu, shqiptarët myslimanë na dalin më pak ose fare shqiptarë. Këto përfundime, të ngritura mbi interpretime anakronike të historisë, përdoren në të sotmen për qëllime politike që i kontribuojnë përçarjes e polarizimit të shqiptarëve dhe vënies në dyshim të identitetit kombëtar shqiptar.
Ne jemi të krishterë e myslimanë, gegë e toskë, malsi e jalli, deri në momentin kur fillojmë të besojmë se jemi shqiptarë, mbi të gjitha. Pashko Vasa ishte shqiptar politik, pavarësisht kulturës a besimit të tij fetar. Ai nuk tha që një fe është më shqiptare se tjetra dhe, për t’u bërë shqiptarë të vërtetë, duhet të braktisim një fe për një tjetër. Ai e ngriti vetëdijen politike mbi çdo përkatësi tjetër të shqiptarëve, duke përfshirë edhe përkatësitë fetare.
Përralla e shqiptarit katolik si përfaqësues i shqiptarisë autentike i kundërvihet dhe e braktis formulën e Vasës, që u pranua gjerësisht si sllogan dhe parim i shqiptarisë politike e qytetare, duke rrezikur të vë fitilin përçarës të shqiptarëve sipas përkatësisë fetare.
Përralla e krahut politik të luftës
Një përrallë politike që qëndron në të kundërtën e mitit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të luftës çlirimtare si e gjithë shqiptarëve dhe për të gjithë shqiptarët e Kosovës, është pretendimi se dikush ka hise ekskluzive ose më shumë hise në ushtrinë dhe luftën çlirimtare të Kosovës. Rëfimin i mëvonshëm i “krahut të luftës” dhe i “partive të dala nga lufta”, që e ngushton një përvojë të përfytyruar si të përbashkët dhe mbarëkombëtare në pronësi të subjekteve të caktuara politike.
Nëse kemi "parti të krahut të luftës", "çlirimtarë", "heronj të luftës" dhe nëse i kemi vënë emra të përveçëm ushtrisë çlirimtare, e kemi përvetësuar atë për parti dhe emra të caktuar. Nëse lufta çlirimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është përvetësuar për të krijuar kapital politik për persona e parti të caktuara, si mund të presim të tjerët të identifikohen me të?! Vetëm si e përvetësuar, ajo humb efektin simbolik të krijimit të “ne-së” kolektive dhe mund të përdoret nga "ju" e të kundërshtohet nga "tjerët".
Kur themi se diçka apo një gjë është e të gjithëve dhe për të gjithë, me çfarë të drejte pretendojmë se dikush ka më shumë hise në të! Nëse dikujt ia njohim monopolin e të folurit për luftën çlirimtare, me çfarë të drejte mund të presim nga pjesa tjetër të identifikohet me të! Njëra e përjashton tjetrën.
Kështu, si një sekt fetar që ka pretendime universale, por ndjeshmëri partikulare, edhe “krahu i luftës” pretendon vlera mbarëkombëtare të luftës dhe ushtrisë çlirimtare, por ka ndjeshmëri vetëm ndaj interesave partikulare të tyre. Lufta dhe liria bëhet më shumë e dikuj se e të tjerëve, por jo një e mirë politike e të gjithëve. Kështu, e kemi përmbysur funksionin politik të mitit nga rrëfimi për një përbashkësi në një përrallë për përdorim partikular.
Natyrisht, nëse me një ftohtësi empirike themi që vetëm një pjesë relativisht e vogël e popullatës mori pjesë në luftën çlirimtare dhe vetëm një pjesë e forcave politike e mbështeti atë, nuk kemi gabuar aspak. Është fakt i njohur dhe i pamohueshëm ky. I lejohet një studiuesi, një historiani, një gazetari të konstatojë këto fakte për arsye dokumentimi, analize dhe interpretimi.
Mirëpo, kur ky fakt përdoret nga dikush në betejat politike me kundërshtarë dhe për interesa partiake a personale, atëherë mitit të luftës çlirimtare ia shuan zjarrin frymëzues, fuqinë e burimit legjitimues të rendit politik të bazuar në luftë për çlirim, barazi dhe vetëqeverisje, duke e zvogëluar atë në një fakt bajat që “ne kemi luftuar”, ndërsa “ju, jo”. Ushtria Çlirimtare nuk është më e të gjithëve dhe për të gjithë. E kemi mbytur fuqinë mitike të saj.
(Autori është profesor i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës)