KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
LIFESTYLE

По 65 години, вишокот килограми можеби не се толку штетни како што се сметаше

Тежина
  • Превод: Вита Абраши-Кајтази

    Вита Абраши-Кајтази
  • 19 ноември 2026 10:01 часот

  • Споделете на:

Pesha e tepërt lidhet prej kohësh me sëmundje kronike dhe probleme serioze shëndetësore. Por, studimet e fundit tregojnë se ndikimi i saj mund të ndryshojë me moshën dhe se disa kilogramë më shumë nuk janë domosdoshmërisht të dëmshëm për të moshuarit.

Sipas studiuesve, pas moshës 65-vjeçare, një indeks më i lartë i masës trupore (BMI) mund të lidhet me jetëgjatësi më të madhe.

“Pas moshës 65-vjeçare, një BMI më i lartë lidhet me jetë më të gjatë”, ka thënë Bryan Blissmer, studiues i shëndetit në Universitetin e Rhode Island, për The New York Times.

Megjithatë, rëndësi ka edhe vendi ku grumbullohet pesha e tepërt. Yndyra në zonën e barkut lidhet më shumë me inflamacionin, nivelet e larta të yndyrës së dëmshme në gjak dhe diabetin e tipit 2. Ndërsa yndyra e grumbulluar në ije, gjoks apo vithe konsiderohet më pak aktive nga ana biologjike.

Çka tregojnë studimet?

Një nga arsyet pse personat e moshuar me BMI më të lartë mund të kenë jetëgjatësi më të madhe lidhet me kufizimet e vetë këtij treguesi.

BMI llogaritet duke pjesëtuar peshën e një personi me gjatësinë e tij. Por ky matës nuk dallon masën muskulore nga yndyra dhe nuk tregon se në cilat pjesë të trupit është grumbulluar ajo.

Për këtë arsye, edhe sportistët me masë të madhe muskulore mund të klasifikohen si mbipeshë, ndonëse nuk kanë domosdoshmërisht yndyrë të tepërt.

Një studim i publikuar në gusht, që analizoi të dhënat shëndetësore të 6.905 amerikanëve të moshuar përgjatë 14 vjetëve, sugjeroi se një BMI më i lartë mund të pasqyrojë edhe masë më të madhe muskulore dhe indesh të tjera pa yndyrë. Kjo mund t’i ndihmojë të moshuarit të përballojnë më mirë sëmundjet apo dëmtimet.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se rezultatet nuk duhet të interpretohen sikur yndyra e tepërt mbron biologjikisht organizmin. Ato tregojnë kryesisht se BMI-ja ka kufizime dhe se përbërja trupore ndryshon nga një person te tjetri.

Studimi ka zbuluar gjithashtu se personat me BMI normal, por me perimetër më të madh të belit, kishin rrezik më të lartë vdekshmërie sesa ata me të njëjtin BMI dhe bel më të vogël.

Kjo vë në pikëpyetje idenë se një BMI normal nënkupton automatikisht rrezik më të ulët shëndetësor.

Pse disa kilogramë më shumë mund të ndihmojnë?

Gjetjet përputhen edhe me studime të mëparshme që kanë vërejtur një lidhje mes peshës më të lartë dhe rrezikut më të ulët të vdekjes te disa grupe pacientësh të moshuar.

Sipas nefrologut dhe epidemiologut Kamyar Kalantar-Zadeh, pesha e tepërt mund të jetë një avantazh në situata të vështira shëndetësore, përfshirë te personat me sëmundje të veshkave që kanë nevojë për dializë.

Edhe kërkimet e tij të mëparshme kanë treguar një rrezik më të ulët vdekshmërie te disa pacientë më të rëndë që vuanin nga sëmundje të zemrës.

Kjo nuk do të thotë se mbipesha është e shëndetshme për të gjithë, por se lidhja mes peshës dhe jetëgjatësisë është më komplekse sesa sugjeron vetëm numri në peshore.

Çka këshillohet për të moshuarit?

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë OBSH), personat me BMI rreth 27-27,9 kanë ndër normat më të ulëta të rrezikut për vdekje të parakohshme, megjithëse ky tregues nuk duhet të përdoret i vetëm për të vlerësuar shëndetin individual.

Në SHBA, rreth 43 për qind e personave mbi 60 vjeç konsiderohen obezë.

Për të moshuarit që kanë peshë të tepërt, disa ekspertë këshillojnë të përqendrohen te ruajtja e një peshe të qëndrueshme, në vend që të synojnë patjetër humbje të mëdha kilogramësh.

“As shtime të mëdha dhe as humbje të mëdha në peshë, kjo është ajo që rekomandoj”, ka thënë Katie Dodd, dietologe e specializuar në ushqyerjen e të moshuarve, për Scientific American.