Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besiana Musmurati, e ka fajësuar sërish ministrin e Financave, Hekuran Murati, për mosnënshkrimin e garancionit për kredinë 74-milionëshe për adresimin e problemit që lidhet me mbeturinat. Sipas saj, vetëm kredia do ta zgjidhte problemin me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet
Резана Божлани
Fajin për gjendjen me mbeturina në Prishtinë, nënkryetarja e kësaj komune Besiana Musmurati e ka vendosur mbi Ministrinë e Financave.
Ajo ka thënë të martën, se problemi kryesor është te mosnënshkrimi i garancionit për kredinë nga Banka Gjermane për Zhvillim, në vlerë prej 74 milionë eurosh.
“Projekti është i ndarë në dy faza, faza e parë parasheh 4.1 milionë euro nga Banka Gjermane për Qeverinë e Kosovës, pra para falas nga Qeveria Gjermane për Qeverinë e Kosovës për të angazhuar konsulencat fillestare për të filluar projekti, si dhe 20 milionë euro kredi e butë për blerjen e 100 kamionëve të rinj, 10 mijë kontejnerëve të rinj, platforma për kontejnerë me vlerë prej 1 milion eurove dhe blerjeve të tjera”, ka thënë ajo.
Musmurati ka thënë se projekti parasheh edhe investime të tjera.
“Faza e dytë siç e shihni këtu investime prej 50 milionë eurove për të blerë edhe më shumë kamionë sipas nevojës, për të blerë më shumë kontejnerë sipas nevojës si dhe për të krijuar qendrën për riciklimin dhe kompostimin e mbeturinave”, ka deklaruar ajo. Sipas Musmuratit, nga viti 2024 marrëveshja ka mbetur pa u nënshkruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati.
Por, Murati pati thënë se Banka Gjermane për Zhvillim kërkon qëndrueshmëri të Kompanisë “Pastrimi”, ndërmarrje kjo që sipas tij, është keqmenaxhuar nga qeverisja e kryetarit Përparim Rama.