KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
KULTURA

„Затворско радио“ го претвора звукот во начин на преживување и комуникација

Затворот на идеалот - Затворско радио

Në “Burgun e Idealit”, më 11 shtator, programi ka kaluar nga radioja te performanca dhe ligjëratat. Boshnjakja Maja Zeço ka prezantuar performancën “Defend and Protect”, ndërsa Labinot Kelmendi ka mbajtur ligjëratën “Zhurmhuria: Zhurma si pasqyrë e shoqërisë”. Elife Krasniqi ka sjellë ligjëratën “Histori të rezistencës dhe burgosjes nga perspektiva gjinore” (Foto: Kushtrim Haxha)

Në ish-burgun e Prishtinës, këto ditë, zërat dolën nga qelitë, muzika u përhap në korridore e performancat zunë vend aty, ndërsa radioja i mori me vete për t’i çuar përtej mureve të burgut. Kjo është ideja mbi të cilën është ndërtuar “Prison Radio”, festival që u mbajt për herë të parë në “Burgun e Idealit” dhe në hapësira të tjera të Prishtinës. Për katër ditë, ish-burgu nuk u trajtua vetëm si një objekt i historisë së burgosjes politike, por tash edhe si hapësirë për të dëgjuar, kujtuar, diskutuar dhe eksperimentuar me forma të ndryshme artistike

Në hapësirën e ish-burgut të Prishtinës, tashmë muzeu “Burgu i Idealit”, festivali i ri “Prison Radio” bashkoi për katër ditë radion, muzikën, letërsinë, historinë dhe kujtesën. Përmes një programi 72-orësh të transmetimit drejtpërdrejt, ligjëratave, masterklasave, performancave, koncerteve, ekspozitave dhe aktiviteteve të tjera, festivali po shndërron një hapësirë të ndërtuar për izolim në një vend komunikimi.

Në ish-Burgun e Prishtinës, këto ditë zërat dolën nga qelitë, muzika u përhap në korridore e performancat zunë vend aty, ndërsa radioja i mori me vete për t’i çuar përtej mureve të burgut. 
Kjo është ideja mbi të cilën është ndërtuar “Prison Radio”, festival që u mbajt për herë të parë, nga 10 deri më 13 shtator, në “Burgun e Idealit” dhe në hapësira të tjera të Prishtinës. Për katër ditë, ish-burgu nuk u trajtua vetëm si një objekt i historisë së burgosjes politike, por tash edhe si hapësirë për të dëgjuar, kujtuar, diskutuar dhe eksperimentuar me forma të ndryshme artistike.

Bashkëkuratorja e programit, Blerta Ismaili, ka treguar se qendra e festivalit është pikërisht ish-Burgu i Prishtinës, i cili vitet e fundit është përdorur edhe për aktivitete kulturore. 

“Festivali ‘Prison Radio’, apo Radio Burgu është një festival që organizohet për herë të parë dhe si qendër të veprimtarisë së tij e ka ish-Burgun e Prishtinës, pra muzeun ‘Burg i Idealit’, i cili po shfrytëzohet këto vitet e fundit për aktivitete kulturore, para procesit të muzealizimit të tij”, ka thënë Ismaili.

Ajo ka shpjeguar se ideja e festivalit është krijuar si një hapësirë takimi ku kujtesa kolektive dhe e kaluara nuk trajtohen vetëm përmes formave tradicionale të rrëfimit, por përmes një shumëllojshmërie praktikash artistike.

“Festivali është menduar si një vend takimi ku përmes formave të ndryshme të artit, do të mund të merremi me kujtesën kolektive, me të kaluarën. Bisedojmë për të duke zhvilluar diskurse të ndryshme, të diskutohet, të ballafaqohemi, të ballafaqojmë mendime e ide lidhur me të kaluarën, por edhe të eksperimentojmë me forma të ndryshme artistike dhe ta trajtojmë të ardhmen tonë dhe kujtesën kolektive përmes këtyre formave të rëndësishme artistike”, ka treguar ajo.

Sipas materialeve kuratoriale të festivalit, “Burgu i Idealit” bart historinë e burgosjes politike, por edhe një arkiv të zërave dhe trupave që kanë vazhduar të jehojnë ndër dekada. Në kujtimet e ish-të burgosurve politikë, tingulli ka qenë edhe një mënyrë mbijetese dhe komunikimi. Kënga, recitimi, trokitjet në mure dhe komunikimi përmes tubacioneve kanë krijuar çarje të vogla në një sistem të ndërtuar mbi izolimin.

Pikërisht për këtë arsye, radioja është zgjedhur si medium i festivalit. Ajo nuk është vetëm mjeti përmes të cilit dokumentohen aktivitetet, sipas Blerta Ismailit, profesoreshë universitare e gjuhës gjermane. 

“Radio është përzgjedhur si medium, duke qenë se është një medium i cili shpërthen mure, pra i shpërthen edhe muret e këtij burgu, kësaj hapësire që është ndërtuar pikërisht për t’i izoluar njerëzit, për ta pamundësuar komunikimin”, ka thënë Ismaili.

Ajo ka treguar se transmetimi në kohë reale e zgjeron festivalin përtej hapësirës fizike të “Burgut të Idealit”, ndërsa programi online dhe bashkëpunimi me radio jashtë Kosovës i çojnë zërat e festivalit edhe në vende të tjera.

“Radioja dhe transmetimi i aktiviteteve tona përmes radios na mundëson që ta shpërthejmë këtë pengesë, jo vetëm brenda vendit, por edhe t’i përçojmë valët tona, mesazhet tona, kujtesën tonë, historinë tonë edhe ndërkombëtarisht, duke qenë se programi i radios transmetohet edhe online. Kemi bashkëpunim me disa radio jashtë vendit, të cilat e marrin këtë program dhe e transmetojnë. Artistët të cilët marrin pjesë janë nga vende të ndryshme”, ka shpjeguar ajo.

Një nga shtyllat kryesore të festivalit është programi 72-orësh i radios. “Lumpen Station” nga Zvicra udhëheq transmetimin radiofonik, me transmetime të drejtpërdrejta nga “Studio Burgu” në “Burgun e Idealit”, ndërsa “Kolektiv Radio” nga Prizreni zhvillon sesione dëgjimi dhe muzike në “Hanin e dy Robertëve”.

Programi radiofonik përfshiu intervista, biseda, lexime, regjistrime dokumentare, muzikë, vepra eksperimentale radiofonike dhe materiale që lidhen me histori të ndryshme të burgimit. 

Në ditën e parë, më 10 shtator, festivali është hapur me koncertin e Ilir Bajrit, i transmetuar drejtpërdrejt në “Lumpen Station”, ndërsa “Kolektiv Radio” ka sjellë sesionin e dëgjimit dhe muzikës me Agona & Somer. 

Dita e dytë ka nisur me një aktivitet jashtë burgut: vrapimin poetik komunitar të Uta Ibrahimit dhe Eva Buzos, “Endem me fenerë duke kërkuar vetveten”, me pikënisje në Parkun e Gërmisë. 

Në “Burgun e Idealit”, më 11 shtator, programi ka kaluar nga radioja te performanca dhe ligjëratat. Boshnjakja Maja Zeço ka prezantuar performancën “Defend and Protect”, ndërsa Labinot Kelmendi ka mbajtur ligjëratën “Zhurmhuria: Zhurma si pasqyrë e shoqërisë”. Elife Krasniqi ka sjellë ligjëratën “Histori të rezistencës dhe burgosjes nga perspektiva gjinore”.

Mbrëmja e 11 shtatorit ka vijuar me koncertin e “Tonic Train feat. HAM Radio Orchestra Kosova”, ndërsa “Kolektiv Radio” ka organizuar sesion dëgjimi dhe muzike me një “Open Jam Session”.
E të shtunën, programi ka vazhduar me masterklasën e Eli Krasniqit me temë “Arkiva në pezullim: Kohështrirjet e Lëvizjes së Rezistencës në Kosovë”. Në program ka qenë edhe performanca “Episode 6” e Anouk Albrechtit.

Pasdite, gazetarja e pavarur për art,  kulturë, Elsa Demo, ka sjellë “Prej heshtjes së fjalëve”, të konceptuar si ese radiofonike live. Më pas programi ka vijuar me ligjëratën “Zëra të mbytur, bar i egër” të Orgest Azizit, koncertin e Adina Camhyt dhe sesionin e dëgjimit e muzikës të “Kolektiv Radio”, ku Toni Dimitrov ka performuar “Listening Backëard”, ndërsa pjesë e mbrëmjes ka qenë edhe Ygretmen.
Për Demon, ardhja në këtë festival ka qenë një mundësi për ta trajtuar raportin mes shkrimit, heshtjes dhe qëndresës. Ajo është prezantuar në dy forma, përmes një bisede me botuesin dhe shkrimtarin Krenar Zejno mbi Maks Velon dhe përmes esesë radiofonike.

“Tani gjatë festivalit ne jemi prezantuar me dy pjesë, po e quaj kështu, me një bisedë dialog me botuesin dhe shkrimtarin, Krenar Zejno, mbi figurën e Maks Velos, një personalitet shumë i rëndësishëm për kulturën shqiptare dhe jo vetëm për kulturën, me një ndikim fantastik, do të thosha, për botën shqiptare, e vetëm për qëndresën që ai ka bërë gjatë diktaturës komuniste”, ka thënë Demo.

Eseja “Prej heshtjes së fjalëve” është kthyer tek autorët që kanë shkruar gjatë diktaturës shqiptare, në rrethana kur mendimi i lirë ishte i pamundur.

“Është një lloj radio-eseje, po nuk e di sa e përmbushi kjo formën, ligjërata që unë e mbajta, dedikuar autorëve, të cilët shkruan në heshtje gjatë viteve të diktaturës, në rrethanat ku mendimi i lirë, shpalosja e botës së lirë ishte një tabu, ishte i pamundur”, ka thënë Demo.

Ajo ka treguar se ka zgjedhur autorë që për të kanë lënë gjurmë të pashlyeshme dhe që, përtej vlerës letrare, bartin edhe një dimension moral.

“Zgjodha disa autorë, lexova tekste prej tyre të cilët në radhë të parë kanë lënë tek unë një gjurmë të pashlyeshme. Kanë edhe vlera morale për kurajën, për të mos bërë kompromis dhe për të shkruar ashtu sikurse koha e diktonte, ashtu sikurse sistemi dhe regjimi e diktonte e kërkonte”, ka treguar ajo.
Bashkëkuratori Alban Beqiraj ka thënë se kontributi i Demos lidhet drejtpërdrejt me boshtin e festivalit.
“Elsa në ‘Prison Radio’ vjen me esenë radiofonike ‘Prej heshtjes së fjalëve’ ku reflekton mbi mundësinë e krijimit të një letërsie të lirë dhe nën represion dhe mbi artin si formë rezistence”, ka thënë Beqiraj.

Në anën tjetër të programit qëndron ekspozita “Sound, Resisting”, e cila e merr si pikënisje kontradiktën mes arkitekturës së burgut dhe tingullit. 

Festivali u mbyll me shëtitjen dëgjimore të orientuar dhe performancën “Remnants & Seeds” të Knut Aufermannit, krahas transmetimit të drejtpërdrejtë nga “Lumpen Station” dhe aktivitetit përmbyllës në “Burgun e Idealit”.

Materiali kuratorial e përshkruan festivalin si përpjekje për ta kthyer muzeun në instrument transmetimi publik dhe në hapësirë sociale dëgjimore ku mediume të ndryshme artistike e transmetuese mund të bashkëjetojnë. 

Për Ismailin, kjo larmi është edhe një nga arsyet pse festivali nuk është menduar si një ngjarje tradicionale.

“Festivali ka pasur numër të mirë të vizitorëve. Është vizituar nga qytetarët, nga persona që janë ndoshta edhe turistë që janë aktualisht në Kosovë. Ka zgjuar interesim tek ata. Janë formate shumë interesante. Pra, kemi performanca, ekspozita, instalacione brenda qelive të burgut, kemi ecje”, ka thënë ajo.

Ajo ka treguar se vetë ideja e festivalit ka qenë që formatet artistike të mos jenë të zakonshme dhe se reagimi i publikut ka qenë pozitiv.

“Festivali nuk është nisur me idenë që të jetë tradicional. Neve na gëzon interesimi, na ka gëzuar reagimi pozitiv që kemi marrë nga vizitorët, të cilët e kanë vlerësuar shumë formatin dhe mënyrat eksperimentale të trajtimit të temës dhe do të shohim çka na sjell e ardhmja”, ka thënë Ismaili.

“Prison Radio Festival” është festival që nuk kërkon vetëm të flasë për burgun. Por edhe ta dëgjojë atë.