KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
колона

Самообвинување како ќорсокак

Një pjesë e konsiderueshme e ligjërimit publik po bën dy gabime madhore: vetëfajësimin e UÇK-së dhe të Kosovës për ndërmarrjen e përbashkët kriminale dhe përpjekjen që Aktgjykimi të tejkalohet me masa politike. Kjo po i dëmton interesat e vendit, karakterin e drejtë të luftës së UÇK-së, të drejtat e katër të dënuarve dhe dinjitetin e viktimave. Vendi duhet të bashkohet për betejën e radhës, atë që do të zhvillohet në Apel, ku konstatimi i shkallës së parë për ndërmarrjen e përbashkët kriminale duhet t’i qëndrojë shqyrtimit juridik.

1.

Nuk mendoj se po arrihet të mbrohen mjaftueshëm interesat strategjike të Kosovës pas Aktgjykimit të 16 shtatorit në rastin Thaçi et al., me reagimet në formën e deklarimeve politike, demonstratave të përnatshme, një deklarate të përbashkët të deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe një projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të propozuar nga PDK-ja.

Për nevoja të këtij shkrimi dhe për këtë moment, po i përkufizoj interesat strategjike në tri pika: mbrojtja e Kosovës dhe e UÇK-së nga fajësimi kolektiv; mbrojtja e së drejtës së katër të dënuarve që argumentet e tyre të shqyrtohen në një proces të drejtë dhe të paanshëm në Apel; dhe krijimi i një kohezioni shoqëror rreth një çështjeje me peshë historike.

Lajmi i mirë është se në të gjitha këto reagime ekziston diku një frymë që synon ta përbashkojë ligjërimin publik – në mbrojtje të Kosovës, UÇK-së, katër të dënuarve dhe viktimave – dhe kjo u manifestua shprehimisht në njërën pikë të Deklaratës së Kuvendit.

Por mbeten, për mendimin tim, dy probleme themelore që shkojnë kundër këtyre interesave strategjike.

2.

I pari është vetëfajësimi kolektiv, pra shndërrimi i Aktgjykimit të 16 shtatorit në dënim të UÇK-së dhe të Kosovës.

Kjo në fund u manifestua edhe me shkrim, që në pikën e parë të Dokumentit të PDK-së për qëllimet themelore të ndryshimit të Ligjit, ku thuhet:

“Gjykata Speciale ka tejkaluar qëllimin themelues dhe mandatin kushtetues të përgjegjësisë penale individuale duke e kualifikuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si një ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’.”

Ky konstatim është i pasaktë: Aktgjykimi nuk e ka cilësuar UÇK-në, si organizatë, si ndërmarrje të përbashkët kriminale. Ai ka konstatuar ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale dhe pjesëmarrjen në të të katër të dënuarve dhe të personave të tjerë. Ky është një dallim thelbësor juridik, sepse ndërmarrja e përbashkët kriminale është formë e përgjegjësisë penale individuale, jo aktgjykim ndaj një organizate të tërë.

Kur vetë institucionet dhe partitë e Kosovës e lexojnë Aktgjykimin si cilësim të UÇK-së si ndërmarrje kriminale, ato e përvetësojnë dhe e shumëfishojnë pikërisht interpretimin e fajësisë kolektive që duhet ta kundërshtojnë. Kjo është krejtësisht në kundërshtim me interesin parësor strategjik të vendit: që UÇK-ja dhe përpjekja e Kosovës për pavarësi të mos fajësohen kolektivisht.

Për më tepër, ky konstatim nuk u ndihmon as katër të dënuarve në shkallë të parë. Kauza e tyre para Apelit nuk është të dëshmojnë se UÇK-ja nuk ka qenë ndërmarrje e përbashkët kriminale, por të dëshmojnë se Trupi Gjykues ka gabuar juridikisht ose faktikisht kur ka konstatuar se secili prej tyre ishte pjesëmarrës në një ndërmarrje të tillë, se kishte synimin e nevojshëm kriminal dhe se kishte dhënë kontribut domethënës në realizimin e saj.

Problemi i dytë është koncepti se aktgjykimet mund të ndryshohen duke i disiplinuar gjykatat që i kanë nxjerrë ato.

Kështu disi tingëllon pika e Deklaratës së Kuvendit ku kërkohet “nga Dhomat e Specializuara të respektojë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”. Kjo dëshmon mungesë të qartë të ndjeshmërisë ndaj pavarësisë gjyqësore dhe ndarjes së pushteteve. Mandati i një gjykate përcaktohet nga Kushtetuta dhe ligji, jo nga interpretimi i mëvonshëm politik i vullnetit të Kuvendit.

Për më tepër, kjo dëshmon mungesë ndjeshmërie ndaj ndërlikimit juridik dhe politik në të cilin është futur Kosova kur e ka ndryshuar Kushtetutën për t’i vendosur Dhomat e Specializuara si kategori kushtetuese, e cila mund të ndryshohet vetëm përmes procedurës së ndryshimit të Kushtetutës dhe jo me një ligj të zakonshëm.

Ideja se rregullat e lojës mund të ndryshohen gjatë lojës është mjaft e vështirë. Por kjo vështirësi shumëfishohet deri në pamundësi me idenë se një ligj i zakonshëm mund të ndryshojë një dispozitë kushtetuese ose t’i zhbëjë njëanshëm detyrimet e marra përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare të ratifikuar.

Kështu disi tingëllon një pjesë e logjikës së projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ndonëse projektligji parasheh që procedura aktuale të vazhdojë deri në vendimin e Apelit, ai synon që hapat e mëtejshëm juridikë, përfshirë mjetet pas Apelit, t’i kalojnë sistemit gjyqësor të Kosovës, me shpresën se në këtë mënyrë mund të zbutet ose të ndryshohet efekti i Aktgjykimit të Apelit.

Dhe, nëse tingëllon kështu, kjo nuk është domosdoshmërisht mirë për të dënuarit. Kauza themelore e tyre është se si të forcohen argumentet para Apelit, jo si të ndryshohen procedurat juridike pas tij. Një investim kaq i madh politik në ndryshimin e rrugës pas Apelit mund të dërgojë mesazhin se institucionet dhe partitë e Kosovës nuk kanë besim të mjaftueshëm në fuqinë e argumenteve të mbrojtjes brenda vetë procesit të Apelit.

3.

Le t’i përmbysim për një moment dy problemet e identifikuara: vetëfajësimin kolektiv dhe idenë se Aktgjykimi i 16 shtatorit mund të ndryshojë me veprime jashtë procedurës së përcaktuar juridike – me presion politik, deklarata parlamentare ose ndryshim të njëanshëm të Ligjit.

Pra, nuk konsiderojmë se Aktgjykimi e trajton UÇK-në si ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe nuk mendojmë se ekziston një rrugë alternative që mund ta ndryshojë Aktgjykimin, pos mjeteve juridike të përcaktuara: në këtë fazë Apelit dhe, nëse plotësohen kushtet juridiksionale në të ardhmen, sistemit evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Kjo na lë me një formulim që është dashur të jetë në Deklaratën e Kuvendit të Kosovës, por nuk ishte. Ja si do të dukej:

“Kuvendi rikujton se Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe nuk është i formës së prerë; për sa kohë procedura e Apelit është në zhvillim, të katër të dënuarit vazhdojnë të mbrohen nga prezumimi i pafajësisë dhe duhet t’u garantohen plotësisht e drejta për mbrojtje efektive, proces të drejtë dhe shqyrtim të paanshëm të ankesave të tyre.”

Ky formulim jep hapësirë të mjaftueshme për shndërrimin në veprime të të gjitha atyre kërkesave që janë identifikuar instinktivisht nga protestuesit në rrugë, në debatet dhe analizat publike, nga partitë politike dhe në njërën pikë të Deklaratës së Kuvendit: çështja e ndërmarrjes së përbashkët kriminale.
Duke u mbështetur në Përmbledhjen zyrtare dhe në pritje të botimit të Aktgjykimit të plotë, beteja e ardhshme duket kryekëput juridike. Ekipet e mbrojtjes duhet të identifikojnë gabimet juridike, faktike dhe arsyetuese në përfundimin se Prokuroria kishte provuar, përtej dyshimit të arsyeshëm, ekzistencën e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, synimin kriminal të secilit prej të dënuarve dhe kontributin domethënës të secilit në realizimin e saj. Paneli i Apelit duhet pastaj të vlerësojë nëse këto gabime e cenojnë Aktgjykimin.

Nga Përmbledhja e Aktgjykimit del se Trupi Gjykues ka konsideruar të provuara kryerjen e krimeve, dijeninë e udhëheqësve dhe dështimin e tyre për të reaguar. Por dijenia për krimet dhe dështimi për t’i parandaluar ose ndëshkuar ato nuk janë vetvetiu të njëjta me pjesëmarrjen në një ndërmarrje të përbashkët kriminale.

Çështja qendrore për Apelin është nëse këto konstatime mjaftojnë për të provuar se të katërt kishin arritur dhe ndarë një marrëveshje për kryerjen e krimeve, se secili kishte synimin e nevojshëm kriminal dhe se secili kishte kontribuuar në mënyrë domethënëse në zbatimin e një plani të përbashkët me shtrirjen kohore, territoriale dhe organizative që ia atribuon Aktgjykimi.

Beteja e ardhshme juridike, pra, është të vihet në provë nëse Aktgjykimi e ka arsyetuar dhe mbështetur në prova ekzistencën e një marrëveshjeje kriminale; përmbajtjen e saj konkrete; synimin kriminal të secilit; kontributin domethënës të secilit në ndërmarrjen e përbashkët kriminale; lidhjen e qindra krimeve me një plan të vetëm; autoritetin ose ndikimin efektiv të katër të dënuarve mbi aktorët lokalë; dhe shtrirjen e planit në të gjitha zonat dhe gjatë gjithë konfliktit.

Lista vazhdon.

Një betejë e këtillë mund ta zërë Gjykatën e Apelit dhe të gjithë ne deri në vitin 2028. Kjo do të thotë se shoqëria kosovare do të kalojë, me vëmendje të përqendruar, nëpër traumën e përballjes me ngjarjet e viteve 1998 dhe 1999 – pra nëpër një proces të ballafaqimit me të kaluarën.
Ekziston një përgjegjësi e hapësirës publike kosovare, në radhë të parë e faktorëve prijës politikë, që gjatë këtij procesi të ruhen tri synimet strategjike të vendit: mbrojtja e Kosovës dhe e UÇK-së nga përgjegjësia kolektive; mbrojtja e të drejtës së katër të dënuarve për një gjykim të drejtë; dhe mbrojtja e kohezionit shoqëror, duke përfshirë këtu edhe dinjitetin dhe të drejtat e viktimave.

Kjo kërkon ndjekje të përpiktë të procesit gjyqësor, beteja e radhës e të cilit zhvillohet në Apel.
Në këtë proces, faktorët politikë duhet ta vërtetojnë zotimin e bërë në Deklaratën e Kuvendit:

„Вистината за ослободителната војна, правдата за жртвите и нивните семејства и правото на осудените на фер судење ѝ припаѓаат на истата Република.“

4.

Ditëve në vijim, testi i parë i veprimit të përbashkët të partive politike mund të jetë projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Njëra prej rrugëve që mund të marrë ky projektligj është taktike: të futet në vorbullën e krizës së deritanishme politike, përfshirë edhe si njëra prej pikave të negociatave për zgjedhjen e presidentit. Teksti dhe synimet e projektligjit kanë material të mjaftueshëm që të zhyten në ndërlikueshmërinë juridike dhe kushtetuese të vendit.

Rruga tjetër mund të jetë strategjike. Energjia që do të investohej në një ndryshim të njëanshëm të mandatit dhe juridiksionit të Dhomave të Specializuara – me supozimin se kështu mund të krijohen kushte më të mira për të dënuarit – duhet të përqendrohet te mbyllja e Gjykatës speciale, madje si kategori kushtetuese deri më 2028. Kjo duhet të bëhet në dialog me Bashkimin Evropian , me një marrëveshje politike dhe juridike me partnerët me të cilët u krijua ky mekanizëm.

Njëkohësisht, duhet të ndërtohet energji e përbashkët e institucioneve dhe partive të Kosovës për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës dhe për hyrjen në fuqi të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për Kosovën, para përfundimit të procesit të Apelit. Kjo do ta hapte mundësinë që katër të dënuarit në shkallë të parë dhe çfarëdo që të jetë verdikti në Apel të kërkonin mbrojtje në sistemin e Strasburgut, sikurse qytetarët e tjerë evropianë.