Me apo pa dashje duke iu referuar komandantit të KFOR-it si “Onaj turçin“ (Ai turku), presidenti i Serbisë ka sfiduar NATO-n duke hapur për herë të parë temën se a është me rëndësi se kush është në momentin e caktuar në krye të misionit të KFOR-it. Deri tash ka pasur vetëm thashetheme se disa komanda të KFOR-it kanë qenë më pak, e disa më shumë të suksesshme. Por, askush në NATO, asnjëherë nuk ka përmendur se misioni varet nga përkatësia nacionale e komandantit. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të duhej të kishte shumë arsye për të folur me Vuçiqin. Mes tjerash të kërkojë nga ai edhe llogari për Banjskën. Vetë Rute ka thënë se personalisht Vuçiqi i ka premtuar se do të ndërmarrin masa ndaj përgjegjësve për Banjskën. E sulmi në Banjskë ishte një goditje e rëndë edhe për NATO-n dhe misionin e KFOR-it
Hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër, që ndan në vend se ta bashkojë qytetin e Mitrovicës, u bë përsëri temë kryesore në Kosovë, Serbi dhe ka jehonë edhe në Bruksel. Nuk ka më shumë rëndësi praktike ajo urë, pasi pranë saj janë urat e tjera që e lidhin qytetin. Hapja e kësaj ure as nuk do ta shtojë e as nuk do ta zvogëlojë sigurinë në të dyja anët e qytetit. Por ajo ka një rëndësi të fuqishme simbolike dhe politike. Arsyet pse nuk është hapur akoma janë vetëm politike. Hapja apo jo e saj është bërë garë për të parë se kush ka më shumë ndikim. Fjala e kujt vlen më shumë dhe kush vendos se a do të hapet apo jo.
Humbësi më i madh i tregimit për urën është Bashkimi Evropian. Ka lejuar që të vijë në pozitë për të paguar disa miliona euro për atë urë (pa llogaritur shpenzimet për patrullimet e EULEX-it dhe KFOR-it) për ta mbajtur të mbyllur. Dhe ka dëshmuar se dialogu në Bruksel në vend se të shfrytëzohet për ta hapur urën është shfrytëzuar për ta mbajtur atë të mbyllur. Dhe vështirë është të gjesh ndonjë simbolikë më të mirë për të dëshmuar dështimin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, sesa ura që mbahet për 27 vjet e mbyllur për trafik mbi Mitrovicë. Serbia dhe Lista Srpska, në Kosovë, thirren në dialogun e Brukselit për të thënë se vetëm përmes dialogut mund të hapet ura, dhe atë vetëm me lejen e tyre. Dhe ata gjithmonë kanë thënë dhe do të thonë jo. Argumentimet e tyre shkojnë në kundërshtim të plotë me atë që thotë NATO-ja, pra me vlerësimin se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar.
Nëse hapet ura, pa marrë parasysh se ajo hapje praktikisht nuk do të ndryshojë shumë, Beogradi e sidomos presidenti i Serbisë, Vuçiq, do ta përjetojë këtë si humbje. Dhe s’ka dyshim se qeveria në largim apo në detyrë apo çfarëdo statusi të ketë në Kosovë do të sillet në mënyrë triumfaliste nëse hapet tërësisht ura. Kështu NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë hyrë me apo pa dashje në një situatë ku duhet të mos lejojnë që agjendat politike as në Beograd e as në Prishtinë të diktojnë vlerësimet e situatës së sigurisë. Shpesh misioni i NATO-s dhe prania e BE-së në Kosovë kanë qenë viktima të llogaritjeve politike në Bruksel dhe kryeqytete të tjera. Bile edhe ushtarët e NATO-s kanë pësuar keq për shkak se vendet nga vijnë dhe NATO-ja nuk kanë bërë sa duhet që të drejtojnë gishtin nga fajtorët kryesorë për sulme ndaj tyre, vetëm për të ruajtur imazhin e bashkëpunimit politik. Rasti më i rëndë ishte në muajin maj të vitit 2023 kur u lënduan rëndë nga sulmet e ekstremistëve serbë në veri gati 100 ushtarë të NATO-s. Thirrjet që ndaj kryesve të këtyre sulmeve të ndërmerren masa për t’i nxjerrë para drejtësisë nuk kanë pasur efekt fare, pos ndaj atyre që janë kapur nga organet e sigurisë në Kosovë.
Në këtë moment, NATO-ja vlerëson se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar dukshëm. Ky përmirësim mundëson që të zvogëlohet gradualisht numri i ushtarëve në Kosovë dhe më shumë përgjegjësi t’i barten organeve kosovare të sigurisë. Serbia, Lista Srpska dhe serbët, që janë nën ndikim të tyre në Kosovë, nuk pëlqejnë asnjë forcim të rolit të Kosovës dhe organeve shtetërore të saj, as brenda e as jashtë Kosovës. Ata do të përdorin secilin incident të mundshëm për të krijuar përshtypjen se Policia e Kosovës nuk mund të garantojë siguri për serbët. Secili sulm ndaj serbëve në Kosovë, secili keqpërdorim i kompetencave dhe tejkalim i përdorimit të forcës nga ndonjë policë i Kosovës ndaj serbëve do t’i shërbejë pikërisht qëllimit të Serbisë.
Por, NATO-ja dhe BE-ja janë tepër gjatë në Kosovë për të rënë në grackën e propagandës ndaj Beogradit, e cila flet për “terror ndaj serbëve“, ndonëse nuk mund të përjashtohet apriori se mund të ketë edhe sulme ndaj serbëve. Prandaj hapja e urës mbi lumin Ibër dhe bartja e kompetencave për ruajtjen e objekteve fetare te Policia e Kosovës është bërë test për NATO-n dhe BE-në, për të parë se a do të veprojnë në bazë të vlerësimit të vërtetë të situatës së sigurisë apo do të bëhen vegël e politikës ditore.
Javën e shkuar, NATO-ja u sqarua për rolin e saj për sa i përket urës.
Një zyrtar i NATO-s tha në përgjigje për KOHËN se lëvizjet në praninë e KFOR-it janë duke u zbatuar me transparencë të plotë dhe me përfshirjen e të gjitha palëve përkatëse, përfshirë dhe Listen Srpska.
исто така Анатомија на успешен протест (2)“KFOR-i ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së përhershme në urën kryesore në Mitrovicë, në përputhje me situatën e përmirësuar të sigurisë në Kosovë. Kjo është pjesë e procesit të optimizimit të pranisë së KFOR-it, i cili po zhvillohet me transparencë të plotë nga të gjitha palët e përfshira dhe me lidership inkluziv të komandantit të KFOR-it, gjeneralmajorit Ulutas“, thuhet në përgjigjen e këtij zyrtari të NATO-s. Më tej ky zyrtar i NATO-s sqaron se procesi është gradual, i bazuar në kushte dhe i kthyeshëm, nëse një gjë e tillë do të nevojitet në bazë të situatës së sigurisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ndodhet në fushatë zgjedhore, në të cilën sulmet ndaj Kosovës i ka rritur tej mase, ka thënë se i ka shkruar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe se pret të flasë me të për ta bindur që të kundërshtojë hapjen e urës. Ndërkaq për hapat që po ndërmerr në Kosovë NATO-ja, e të cilat i kundërshton Serbia, Vuçiqi ka fajësuar direkt komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ulutas. Madje i është referuar atij si “Ai turku“ (Onaj turçin). Më siguri se Vuçiqi nuk ka asgjë kundër Turqisë, me të cilën, siç shprehen shpesh zyrtarët e Serbisë, “Serbia i ka raportet më të mira ndonjëherë në histori“. Madje para disa ditëve u pa Vuçiqi në përqafim të një biznesmeni turk, kompania e të cilit po ndërton autostradë në Serbi. Por dallimet rreth Kosovës dhe mbështetja e Turqisë ndaj shtetësisë së Kosovës nuk i pëlqen Vuçiqit.
Me apo pa dashje duke iu referuar komandantit të KFOR-it si “Onaj turçin“ (Ai turku), presidenti i Serbisë ka sfiduar NATO-n duke hapur për herë të parë temën se a është me rëndësi se kush është në momentin e caktuar në krye të misionit të KFOR-it. Deri tash ka pasur vetëm thashetheme se disa komanda të KFOR-it kanë qenë më pak e disa më shumë të sukesesshme. Por askush në NATO asnjëherë nuk ka përmendur se misioni varet nga përkatësia nacionale e komandantit. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të duhej të kishte shumë arsye për të folur me Vuçiqin. Mes tjerash të kërkojë nga ai edhe llogari për Banjskën. Vetë Rutte ka thënë se personalisht Vuçiqi i ka premtuar se do të ndërmarrin masa ndaj përgjegjësve për Banjskën. E sulmi në Banjskë ishte një goditje e rëndë edhe për NATO-n dhe misionin e KFOR-it. Dënimi i kryesve të sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it në pranverën e vitit 2023 dhe të sulmeve në Banjskë që vetë BE-ja i quajti terroriste, dhe për të cilat NATO-ja e di tepër mirë se si dhe kush i ka kryer, do të kontribuonin për sigurinë në Kosovë dhe më gjerë në rajon, më shumë se çfarëdo takimi apo diskutimi politik. Dhe kjo duhet të jetë tema kryesore e bisedave që duhet të ketë sekretari i përgjithshëm i NATO-s me udhëheqësit politikë në Serbi.