Vendosja e medias informative në thesin e njëjtë me përmbajtjet dhe prodhuesit pa përgjegjësi etike, si dhe paaftësia e audiencës për ta bërë dallimin, nënkupton relativizim të së vërtetës, distancim të publikut nga interesi i tij dhe legjitimim i shmangies nga parimet etike për të gjithë
"Sinqeriteti; e vërteta" është kapitulli i parë, pas “Preambulës”, i kodit të parë të mediave në botë që konsiderohet të jetë ai i miratuar më 1922, në Konferencën e Gazetave të Oregonit e që mban emrin “Kodi Etik në Gazetari”.
"Raportimi i së vërtetës" është kapitulli i parë, pas “Dispozitave të Përgjithshme”, i Kodit të miratuar së pari më 2005 nga anëtarët e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK). Me avancimet teknologjike, ky kod (si dhe të tjerë nëpër botë), është plotësuar disa herë, por Kapitulli kryesor ka mbetur Kapitulli kryesor.
Kodin e parë nuk e ka shkruar Zoti. Prandaj ai nuk është dhe as nuk mund të shndërrohet ndonjëherë në çështje besimi në të apo jo. Ai është produkt njerëzor, siç edhe të tjerët pas tij, që bazohet në parime konkrete të profesionalizmit e përgjegjësisë që në qendër ka të vërtetën. Ajo është e thjeshtë, e faktueshme dhe konkrete.
Kodi 1922 rregullonte fjalën e shkruar në gazetë dhe që nga atëherë, një shekull e ka bërë të vetën. Ky shkrim nuk ka për qëllim të krahasojë hollësitë e ndryshimeve nëpër kapituj, as ngjashmëritë e dallimet me kodet pasuese. E rëndësishme është qasja dhe ideja e krijimit të tij dhe ato tregojnë më shumë për rëndësinë e gazetarisë se për rregulla. Kanë treguar atëherë dhe tregojnë edhe tash. Por Kodi 1922 këtë e ka të elaboruar më shumë dhe kjo sepse njerëzit nuk dinin mjaft për gazetarinë e për gazetat. Për funksionin, qëllimin e veçantitë e tyre. Andaj, para se të dilte te rregullat e parimet profesionale dhe etike që duhej ndjekur në gazetari, ai kod u fliste atyre që s'janë gazetarë. Njerëzve të rëndomtë, duke i parë ata më shumë se sa veç një audiencë. I trajtonte si qytetarë e si pjesëtarë të një shoqërie. Dhe, jo çfarëdo shoqërie. Por një të tillë që përbën potencial për ndryshime pozitive. Një shoqërie që synon, siç shkruan aty, “një gjendje të përgjithshme lumturie dhe mirëqenieje”. Në fund të këtij teksti do ta gjeni Preambulën e vitit 1922 dhe kur të arrini aty besoj se do të pajtoheni që shoqërisë sonë do t'i hynin në punë sot. Madje, më shumë sesa vetë gazetarëve.
Kosova ka media e gazetarë profesionistë dhe të përgjegjshëm. Ka Këshillin e Mediave të Shkruara, ideja e ekzistimit të së cilit është shtylla më e fuqishme e këtij sektori dhe, si e tillë, mban kredibilitet të palëkundur. Sado që në sektor ka edhe media apo gazetarë që nuk u përmbahen parimeve etike, më pak ose më shumë, me ose pa qëllim; sado që mund të ketë trupa që merren si merren me punët e mediave; sado që pushtetet nënçmojnë apo sulmojnë mediat, Kosova qëndron shumë mirë. Shoqëria këtu, nëse do të informohet, ka ku të informohet. E përkryera, tek e fundit, nuk ekziston askund dhe kjo është mirë sepse i bën vlerat më të dukshme për ata që vërtet duan të informohen. Ose do të duhej t’i bënte për të tjerët që nuk duan apo nuk dinë.
Në këtë mes është veç një çështje për t’u sqaruar e që është thelbi për zgjidhjen e kaosit të ekraneve. Jo çkado që bëhet publike, kudo që bëhet publike është lajm dhe medium. Jo kushdo që publikon e prezanton është gazetar.
Pjesa më e madhe e asaj që konsumojnë qytetarët teksa mendojnë që po informohen nuk është fare gazetari. Audienca ka zbritur në rrjete sociale ku servohet gjithçka – nga shujtat e kafet, ditëlindjet e dasmat, te fatkeqësitë e krimet, deklaratat politike e ekspertizat analitike, nga lajmet e agjencive me renome te influencerët që ia fusin kot, nga fotot pa ngjyra te krijimet e inteligjencës artificiale. Aty është thesi ku nuk pështjellohet veç e vërteta, por edhe vetë njeriu që ka hyrë për ta marrë një informatë e del pa e ditur pse ka hyrë.
Analizat që u bëhen rrjeteve tregojnë që TikTok-u mban frontin e manipulimit, e që X, nga një platformë më zyrtare, është kthyer në rival të të parit. Tregojnë që Instagrami është bërë një lloj tezge reklamimi e Facebook-u i përzien të gjitha nga pak, duke mos qenë më fare "in" te brezat e rinj. Sido që të jenë, ato nuk janë media – në definicionin e ngushtë informativ. Rrjedhimisht, ato nuk i nënshtrohen kurrfarë kodi etik që e shkruajnë profesionistët e gazetarisë. Ato u nënshtrohen kodeve që kanë shkruar vetë pronarët e platformave, e që, kuptueshëm, qëllimi i tyre i vetëm është përfitimi.
Një raport i Reuters Institute, i nxjerrë para dy vjetësh, tregon se këto platforma janë bërë mjeti kryesor i mediave për të arritur te audienca. Dikur këtë rol e luanin rrjetet e shpërndarjes së gazetave, uebfaqet e ekranet televizive. Ky kalim te rrjetet sociale krijon një konflikt të pastër interesash. Përmbajtjet profesionale që i shërbejnë interesit të publikut nuk duken atraktive, andaj ato thjesht ndëshkohen nga algoritmet e platformave. Në të kundërt, përmbajtjet senzacionale e skandalet kapin vëmendjen, andaj amplifikohen. Kjo për platformat do të thotë para, për ata që i prodhojnë do të thotë para, por për qytetarët do të thotë mosinformim e keqinformim. Në këtë mes hyjnë edhe përmbajtjet manipuluese, shpërndarja e të cilave sot bëhet me mjete të teknologjisë së sofistikuar, profileve false e fermave të trolleve që ushqehen nga po ky sistem.
Përkthyer në gjuhën e thjeshtë të gazetarisë, vendosja e medias informative në thesin e njëjtë me përmbajtjet dhe prodhuesit pa përgjegjësi etike, si dhe paaftësia e audiencës për ta bërë dallimin, nënkupton relativizim të së vërtetës, distancim të publikut nga interesi i tij dhe legjitimim i shmangies nga parimet etike për të gjithë.
Ky realitet nuk e rikthen gazetarinë aq sa shoqërinë te Kodi i parë, kur ajo kishte nevojë të mësonte e të dinte çka janë mediat dhe të mësonte e të dinte për rolin e përgjegjësinë që ka vetë për synuar e arritur ndryshime të mira.
Trajektorja e Kodit 1922 me dekada ka qenë një drejtëz që është ngjitur përpjetë, me avancim e përforcim të gazetarisë e të vetë qytetarëve si audiencë. Megjithatë, në pikën ku kemi arritur sot, trajektorja ka degraduar në një qark që na ka kthyer më 1922, në mos edhe më keq, kur jo veç audienca ka humbur rrugën, por edhe vetë parimet.
Sot po aq sa është e rëndësishme të mbrohet Kapitulli i së vërtetës si dhe kapitujt tjerë të Kodit Etik të Mediave, është e rëndësishme që shoqëria të dijë ta bëjë dallimin e ta kërkojë të vërtetën, dhe që shpirti i saj kërkues të mos mbytet në vorbullën e përmbajtjeve që e kanë bombarduar atë.
Prandaj është i rëndësishëm rikthimi i Preambulës së Kodit të para një shekulli, i cili para se të flasë për obligimet e gazetarëve, i drejtohet shoqërisë:
KODI I OREGONIT PËR ETIKËN NË GAZETARI
(Miratuar në Konferencën e Gazetave të Oregonit, më 1922)
“Jo vetëm të gjitha artet dhe shkencat, por edhe të gjitha veprimet e ndërmarra me vullnet synojnë drejt një të mire.”
Aristoteli, Etika e Nikomakut, I.1.
ПРЕМУБЛА
Ne besojmë në mësimet e studiuesve të mëdhenj të etikës se një gjendje e përgjithshme lumturie dhe mirëqenieje është e arritshme në mbarë botën; dhe se kjo gjendje është qëllimi kryesor i shoqërisë. Ne njohim një instinkt te çdo njeri i mirë, që thëniet dhe veprat e tij duhet të japin një kontribut të arsyeshëm dhe të vazhdueshëm drejt kësaj gjendjeje përfundimtare, në mundësinë e së cilës ne ritheksojmë besimin tonë, sa do e largët që mund të duket ajo tani.
Ne besojmë se edhe njerëzit, kur veprojnë së bashku, duhet të ndjekin të njëjtat parime që udhëheqin individin etik. Pavarësisht qëllimit për të cilin bashkohen, ata duhet të përpiqen të japin kontributin e arsyeshëm dhe të vazhdueshëm që e karakterizon njeriun etik. Gjithashtu, të gjitha institucionet dhe mjetet që përdorin njerëzit, individualisht apo kolektivisht, duhet të mbështeten në praktikat më të mira etike të kohës, në mënyrë që të përshpejtohet realizimi i synimit të shoqërisë”.
Nga të gjitha këto mjete, fjala e shkruar është më e përhapura dhe më e fuqishmja. Fjala e shkruar është i vetmi instrument i profesionit që ne përfaqësojmë dhe ndikimi i saj në formësimin e mendimeve dhe sjelljes së njerëzve është i pamatshëm. Prandaj, ne shpallim se përgjegjësia etike e gazetarisë është më e madhja ndër përgjegjësitë profesionale dhe dëshirojmë ta pranojmë këtë përgjegjësi, tani dhe në të ardhmen, në masën më të plotë që është e drejtë dhe e arsyeshme në rrethanat tona përkatëse.
Për këtë arsye, miratojmë kodin e mëposhtëm, i cili do të njihet si Kodi i Oregonit për Etikën në Gazetari dhe do të shërbejë si udhërrëfyes për punën tonë.
I. Sinqeriteti; E vërteta
Themeli i gazetarisë etike është sinqeriteti…
Vazhdon me gjashtë kapitujt tjerë: “II. Kujdesi; Përgjegjësia; Gjithëpërfshirja”, “III. Drejtësia; Mëshira; Mirësia”, “IV. Moderimi; Vetëpërmbajtja; Proporcionaliteti”, “V. Anshmëria; Propaganda”, “VI. Shërbimi Publik dhe Politikat Sociale” dhe “VII. Reklama dhe Qarkullimi”.
(Autorja është kryeredaktore e grupit mediatik Koha, pjesë e të cilit është media online Koha.net Artikulli është shkruar për KMShK-në në kuadër të projektit të UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore: Mbështetje për gazetarinë si e mirë publike”, i financuar nga Bashkimi Evropian. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë ekskluzivisht të KMShK-së dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e UNESCO-s dhe të Bashkimit Evropian)