KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
СВЕТОТ

Либан се соочува со економска катастрофа по војната и годините лошо управување

Либан

Konflikti i Hezbollahut me Izraelin dhe lufta SHBA-Izrael me Iranin i kanë përkeqësuar problemet sistemike, duke shkaktuar rritjen e kostos së jetesës dhe dëshpërimin e shumë libanezëve

Për dekada me radhë, Abdelnaser Ossman ka kultivuar rrush në fermën e madhe të familjes së tij në Luginën Bekaa të Libanit, duke punuar tokën përgjatë viteve të thatësirës, luftës dhe trazirave ekonomike.

Por këtë vit, presionet janë bërë të papërballueshme. Shpenzimet e tij janë rritur ndjeshëm, ndërsa fitimet kanë rënë që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hezbollahut, grupit militant libanez të mbështetur nga Irani, në muajin mars. 

Çmimet e karburanteve dhe plehrave kimike janë dyfishuar, kostot e fuqisë punëtore janë pesëfishuar, ndërsa pagesat që merr për prodhimin e tij ka rënë përgjysmë.

Ossman, 55 vjeç, ka dhënë me qira një pjesë të tokës së tij për të përballuar shpenzimet dhe po shqyrton mundësinë e shitjes së disa pjesëve të fermës.

“Ky vit ka qenë katastrofë”, tha ai. “Ky është viti më i vështirë nga të gjithë”.

Libani po përballet me një krizë ekonomike gjithnjë e më të thellë, të shkaktuar nga keqmenaxhimi shumëvjeçar dhe e përkeqësuar nga një konflikt që ka vrarë mijëra njerëz, ka zhvendosur qindra mijëra të tjerë dhe ka lënë qytete të tëra në rrënoja. Lufta SHBA-Izrael kundër Iranit, e cila filloi në shkurt, vetëm sa i ka shtuar vështirësitë ekonomike.

Të dhënat janë shqetësuese. Banka Botërore parashikon që inflacioni në Liban të rritet me më shumë se 17 për qind këtë vit, i nxitur nga ndërprerjet e furnizimeve, kostot më të larta të transportit detar dhe rritja e ndjeshme e çmimeve të karburanteve. Ajo parashikon gjithashtu që ekonomia të tkurret me 6.4 për qind.

Për shumë libanezë, mbijetesa ekonomike është shqetësimi kryesor, ndërsa përpiqen të përballojnë shpenzimet për nevojat bazë dhe karburantet, në kushtet e papunësisë dhe pagave të ulëta. Kriza rrezikon të pengojë përparimin e brishtë të bërë nga kryeministri Naëaf Salam, i cili mori detyrën vitin e kaluar me synimin për të reformuar ekonominë. Qeveria po përballet me zemërim gjithnjë e më të madh të qytetarëve, me sindikatat që kërcënojnë me greva dhe me kërkesa në rritje për një reformë të qëndrueshme të politikave financiare.

“Është një periudhë e vështirë dhe njëkohësisht thellësisht zhgënjyese”, tha ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë, Amer Bisat, në një intervistë. 

“Libani nuk e meriton këtë”, shtoi ai.

Dekada krizash

Goditjet që ka pësuar ekonomia e Libanit burojnë nga problemet sistemike shumëvjeçare, të cilat e kanë dobësuar vendin që nga përfundimi i luftës civile në vitin 1990.

Një elitë politike dhe ekonomike, e dominuar nga figura me ndikim të ndara sipas përkatësisë sektare dhe interesave të biznesit, është pasuruar përmes nepotizmit dhe politikave në interes të vet, duke krijuar një shoqëri thellësisht të pabarabartë.

Korrupsioni mbetet i rrënjosur thellë. Organizata Transparency International, që lufton korrupsionin, e rendit Libanin ndër vendet me rezultatet më të ulëta në botë.

Pasojat e këtij degradimi arritën kulmin në vitin 2019, kur sistemi bankar i Libanit u shemb, duke fshirë miliarda dollarë kursime, duke e çuar monedhën libanez në rënie të lirë dhe duke shtyrë pjesë të mëdha të popullsisë drejt varfërisë. Pandemia e COVID-19 e përkeqësoi dëmin, ndërsa më pas shpërthimi në portin e Bejrutit në vitin 2020 shkatërroi lagje të tëra dhe shkaktoi humbje prej miliarda dollarësh.

Pikërisht kur Libani po përpiqej të përballonte këto goditje, nisi një tjetër valë konflikti. Në vitin 2024, Hezbollahu hapi një front të ri kundër Izraelit në Liban, pas sulmeve të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit, të udhëhequra nga Hamasi. Kjo shkaktoi një luftë që solli shkatërrime dhe zhvendosje të mëtejshme të popullsisë.

Krizat e përsëritura e kanë dobësuar shtetin e brishtë libanez dhe institucionet publike, duke lënë ekonominë nën ndikimin e elitave të konsoliduara dhe Hezbollahut. Rrjetet e bankierëve me lidhje politike, pronarëve të mëdhenj të bizneseve, financuesve dhe familjeve politike që trashëgojnë pushtetin, ushtrojnë ndikim të tepruar në sektorët kryesorë, duke mbajtur gjallë një sistem të bazuar në klientelizëm, pabarazi dhe paralizë politike.

“Pavarësisht se funksionojnë sipas logjikave shumë të ndryshme, të dyja palët po i rezistojnë me vendosmëri ndryshimit”, tha Sibylle Rizk, drejtoreshë e politikave publike në Kulluna Irada, një organizatë libaneze e angazhuar në mbrojtjen e interesave qytetare, duke iu referuar elitave dhe Hezbollahut. “Sepse ajo që është në rrezik nuk është vetëm mbijetesa e tyre, por edhe mbijetesa e rendit politik dhe financiar që ato kanë mbështetur së bashku”, shtoi ajo.

Përmasat e vështirësive janë të mëdha.

Pjesë të mëdha të Libanit pritet të vazhdojnë të përballen me mungesë ushqimi deri vitin e ardhshëm, pasi lufta ka penguar aktivitetin bujqësor dhe ka ndërprerë burimet e të ardhurave.

Gjetja dhe mbajtja e një vendi pune është bërë gjithnjë e më e vështirë. Një anketë e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, e publikuar në korrik, zbuloi se një në tre punonjës të sektorit privat të përfshirë në studim nuk ishte më i punësuar.

Turizmi është ngadalësuar, veçanërisht ai që lidhet me libanezët që jetojnë jashtë vendit dhe që sjellin para shumë të nevojshme për ekonominë, tha ministri Bisat. Dërgesat e parave nga diaspora kanë qëndruar në nivele të qëndrueshme, por ai sheh shenja se ato mund të dobësohen, pasi punëtorët libanezë në vendet e Gjirit Persik po përballen me pasojat e luftës me Iranin.

“Libani është një vend që ka shumë gjëra të mira – njerëzit, arsimin, diasporën dhe pozitën gjeografike”, tha ai. “Por, për fat të keq, gjithçka po pengohet. Detyra jonë është të përpiqemi t'i çlirojmë këto potenciale dhe, derisa ta bëjmë këtë, zhgënjimi do të vazhdojë”.

Për të përballuar shpenzimet, shumë familje janë detyruar të marrin borxhe, të shesin arin dhe sendet e trashëguara familjare, si dhe të shkurtojnë shpenzimet për nevoja thelbësore, si kujdesi shëndetësor dhe arsimi.

“Ajo që po shihni në Liban është një popullsi që po përpiqet të përballojë kostot e jetesës”, tha Ali Abboud, profesor asistent i ekonomisë në Universitetin Amerikan të Bejrutit.

“Libani është një vend i vogël, i varur nga importet, ekonomia e të cilit është e lidhur ngushtë me rajonin përreth”, shtoi ai. “Prandaj, çdo krizë ndikon ndjeshëm në cilësinë e jetesës, si dhe në shëndetin dhe produktivitetin e ekonomisë”, shtoi.

Problemet me energjinë elektrike

Mungesa kronike e energjisë elektrike është një nga shembujt më të qartë të krizës ekonomike.
Rrjeti shtetëror i energjisë elektrike në Liban furnizon me rrymë vetëm për disa orë në ditë, duke i detyruar shumicën e familjeve dhe bizneseve të mbështeten te gjeneratorët me naftë për të mbuluar mungesat. Kjo i bën ato veçanërisht të cenueshme ndaj rritjes së çmimeve të karburanteve, sidomos kur operatorët e gjeneratorëve privatë u kërkojnë klientëve tarifa më të larta se ato të përcaktuara nga qeveria dhe autoritetet nuk arrijnë të ndalojnë shkeljet.

Rayah Sakr, pronare e hapësirës së përbashkët të punës “Submarine” në Bejrut, është goditur nga rritja e madhe e kostove dhe ndërprerjet e energjisë elektrike.

Me rritjen e temperaturave gjatë kësaj vere, fatura mujore e biznesit për energjinë elektrike nga gjeneratori pothuajse u dyfishua, duke arritur në më shumë se 1.600 dollarë, përveç 150 dollarëve që paguan për energjinë elektrike të siguruar nga shteti.

Sakr, biznesi i së cilës nuk ishte fitimprurës edhe para krizës energjetike, po shqyrton nëse duhet t'i rrisë tarifat e anëtarësimit apo ta mbyllë aktivitetin.

“Energjia elektrike dhe çmimi i saj janë një mallkim për ne, por njëkohësisht shpresojmë për një mrekulli”, tha ajo. “Është shumë e vështirë të bësh biznes në këto kushte”.

Ndërkohë Bisat tha se qeveria kishte shtuar kontrollet ndaj gjeneratorëve, kishte sekuestruar dhjetëra prej tyre, operatorët e të cilëve u kërkonin klientëve çmime të tepruara, kishte shqiptuar gjoba dhe kishte dërguar rastet e shkeljeve në organet e drejtësisë.

Kryeministri Salam tha gjithashtu në një fjalim muajin e kaluar se qeveria e tij po hartonte zgjidhje për uljen e kostove të energjisë elektrike, përfshirë mundësinë e ofrimit të kredive për familjet që dëshirojnë të blejnë panele diellore.

Autoritetet planifikojnë të rrisin fondet për kujdesin shëndetësor dhe ndihmën sociale, të rrisin pagat e punonjësve të sektorit publik, përfshirë mësuesit, si dhe të subvencionojnë transportin publik, shtoi ai. Qeveria do t'i financojë këto masa duke vendosur taksa mbi jahtet dhe avionët privatë, si dhe duke mbledhur qindra miliona dollarë pagesa të papaguara nga dhjetëra kompani dhe operatorë guroresh.
Megjithatë, Bisat pranoi se këto përpjekje nuk do të mjaftojnë për një vend të zhytur në vështirësi financiare, që përballet me nevoja të jashtëzakonshme humanitare dhe rindërtimi. Ai përdori një shprehje arabe që përshkruan këtë situatë: “Syri sheh, por dora nuk arrin”.

Ekspertët thonë se Libani ka nevojë për një plan afatgjatë për të luftuar korrupsionin, për të reformuar institucionet dhe për të rikthyer besimin te qeveria.

Gjatë vitit të kaluar, Salam ka avancuar legjislacionin për të trajtuar krizën bankare.

Por Fondi Monetar Ndërkombëtar ka thënë se duhet të kapërcehen pengesa të rëndësishme. Këto përfshijnë arritjen e një marrëveshjeje se kush do t'i përballojë humbjet nga shembja e sektorit bankar, miratimin e një buxheti të qëndrueshëm për vitin 2027 dhe përmirësimin e aftësisë së qeverisë për të mbledhur të ardhura, për të kontrolluar shpenzimet dhe për të menaxhuar borxhin publik.

Disa analistë thonë se qeveria ka vepruar shumë ngadalë.

Synimi i elitës është që “humbjet t'ia kalojë shoqërisë, ndërsa fitimet t'i mbajë për vete”, tha Rizk nga Kulluna Irada. Me fjalë të tjera, barra e kostove do të bjerë mbi qytetarët, ndërsa bankat dhe pronarët e tyre do të mbrohen nga përgjegjësia për humbjet.

Libanezët që po përballen me vështirësi, si Ossman, po përgatiten për ditë edhe më të vështira. Një pasdite të fundit, ndërsa një erë e freskët frynte mes hardhive të tij, ai tha se shpresonte që qeveria më në fund të arrinte ta vinte ekonominë nën kontroll. Mbi të gjitha, ai shpresonte që brezi i tij të mos ishte ai që do ta humbiste tokën e trashëguar nga babai dhe gjyshi.

“Kjo tokë është shpirti im”, tha ai. Por këtë vit, shtoi, ajo i kishte sjellë vetëm “dhimbje pas dhimbjeje”.