E vendosur në një kreshtë malore, mes peizazhit mahnitës të Alpeve gjermane, ndodhen rrënojat e djegura të një ndërtese malore të njohur si “Foleja e Shqiponjës”. Ajo është kthyer tashmë në qendër të një debati të ashpër në Gjermani për mënyrën se si duhet trajtuar e kaluara naziste e vendit.
E njohur në gjermanisht si “Kehlsteinhaus’, kjo ndërtesë u ndërtua nga nazistët në vitin 1938 dhe frekuentohej nga Adolf Hitleri, zyrtarë të tjerë të lartë nazistë dhe mysafirët e tyre. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ajo u shpall monument historik që kujtonte periudhën naziste.
Muajin e kaluar, ndërtesa u shkatërrua pothuajse tërësisht nga një zjarr, për të cilin dyshohet se ishte shkaktuar qëllimisht. Disa mendojnë se ajo duhet të shembet plotësisht, rrënojat të pastrohen dhe zona t'i kthehet natyrës, duke lënë pas edhe kujtimin e së kaluarës së saj naziste.
Të tjerë kërkojnë që ndërtesa të rindërtohet pjesërisht ose plotësisht, nga frika se lënia e saj në harresë mund ta shndërrojë në një vend pelegrinazhi për neonazistët, në një kohë kur e djathta ekstreme po fiton sërish terren në Gjermani.
Gjermania ka një “përgjegjësi të përhershme për të komunikuar dhe për t'u përballur me të kaluarën tonë naziste”, tha Isabel Heinemann, profesoreshë e historisë bashkëkohore në Universitetin Ludwig-Maximilian të Mynihut (LMU).
Megjithatë, ajo paralajmëroi se rindërtimi i plotë i ndërtesës do të nënkuptonte rikthimin e një arkitekture “shumë të ideologjizuar”.
Para se të përfshihej nga zjarri, mbrëmjen e 23 tetorit, “Foleja e Shqiponjës” ishte një atraksion i njohur turistik, në pronësi të shtetit të Bavarisë, ku prej vitesh funksiononte një restorant.
Vizitorët udhëtonin fillimisht me autobus dhe më pas përdornin ashensorin origjinal, të veshur me bronz dhe panele pasqyrash, i cili kalonte përmes malit deri te ndërtesa “Kehlsteinhaus”. Aty mund të shijonin pamjet mahnitëse mbi qytetin e Berchtesgadenit dhe Alpet përreth.
Në vendin me lartësinë 1.834 metra mbi nivelin e detit, turistët mund të shijonin ushqime tradicionale gjermane, përfshirë salsiçet, ndërsa shihnin peizazhin alpin.
Ndryshe nga rezidenca verore e Hitlerit, “Berghof”, e cila u bombardua gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u shkatërrua në vitin 1952, “Foleja e Shqiponjës” i mbijetoi luftës.
Çdo sezon, atë e vizitonin dhjetëra-mijëra turistë, duke siguruar të ardhura të rëndësishme për rajonin.
Në vitet 1990, pas shqetësimeve se kjo zonë nuk kishte mjaftueshëm informacionet për krimet e së kaluarës naziste, aty pranë u hap një muze, Qendra e Dokumentimit “Obersalzberg”. Rreth 15 vjet më parë, në vetë ndërtesën “Kehlsteinhaus” u hap edhe një ekspozitë me fotografi kushtuar historisë së saj.
Sipas policisë, ndërtesa u shkatërrua në masë të madhe nga zjarri, ndërsa Qendra e Dokumentimit nuk pësoi dëme.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje për motivin e mundshëm të zjarrvënies. Megjithatë, një 33-vjeçar me histori të problemeve të shëndetit mendor është ndaluar dhe vendosur në një institucion të sigurt psikiatrik, nën dyshimin për zjarrvënie të qëllimshme.
Disa mendojnë se kjo është mundësia e duhur për ta lënë vendin të zhduket gradualisht nga kujtesa.
“Meqë tashmë është djegur dhe shkatërruar, mendoj se duhet vetëm të pastrohen rrënojat dhe mali të lihet në gjendjen e tij natyrore”, tha profesori Richard J. Evans, ekspert për periudhën e Gjermanisë naziste në Universitetin e Kembrixhit.
Ai përmendi edhe disa vende të tjera naziste që janë zhdukur nga peizazhi, përfshirë bunkerin në Berlin ku Hitleri i dha fund jetës. “Bunkeri u mbush me beton dhe mbi të u ndërtua një kënd lojërash për fëmijë”, shpjegoi ai.
Sipas Evansit, Kehlsteinhaus ishte thjesht “një projekt i kotësisë së nazistëve”, të cilit më vonë iu dha emri romantik “Foleja e Shqiponjës”.
Megjithatë, autoritetet e Bavarisë kanë një qëndrim tjetër për të ardhmen e kësaj ndërtese. Ministri i Brendshëm i landit, Joachim Herrmann, dhe ministri i Arteve, Markus Blume, janë shprehur në favor të rindërtimit të saj.
“Vështirë se mund ta lëmë një rrënojë të qëndrojë aty”, tha Herrmann.
Sven Keller, drejtues i Qendrës së Dokumentimit Obersalzberg, beson se objekti nuk duhet të lihet në rrënoja, pasi kjo mund t'i nxisë neonazistët ta vizitojnë pa pengesa.
“Ne kemi përvojë të konsiderueshme në ‘Obersalzberg’ lidhur me atë që ndodh kur këto vende pastrohen. Berghofi i Hitlerit u shkatërrua në vitet 1950, por përvoja jonë tregon se kjo nuk i zhduk vende të tilla nga kujtesa e njerëzve”, tha ai për emisionin “Today” të BBC-së.
Ai gjithashtu nuk beson se rindërtimi i plotë, identik me origjinalin, është i mundur. Ndërkohë, ministri Blume ka bërë të qartë për radion bavareze se rindërtimi “nuk duhet dhe nuk mund t'u kushtojë asgjë taksapaguesve”.
Herrmann tha se do të kërkohet një zgjidhje e arsyeshme, në konsultim me historianët, duke marrë parasysh kompleksitetin historik të ndërtesës.
Edhe profesoresha Heinemann kundërshton rindërtimin e plotë të objektit, duke e cilësuar atë si një mundësi që duhet përjashtuar.
Ajo propozon që fillimisht të dokumentohet gjendja e ndërtesës pas zjarrit dhe mbetjet historike të saj, ndërsa disa pjesë të rindërtohen me arkitekturë moderne, në mënyrë që të dallohen qartë periudhat e ndryshme historike.
Gjermania dhe Austria prej kohësh përballen me sfidën e trajtimit të ndërtesave dhe vendeve të lidhura me periudhën naziste.
Me rritjen e fundit të partisë së ekstremit të djathtë AfD në Gjermani dhe të Partisë së Lirisë në Austri, debati për “Erinnerungskultur” (kulturën e kujtesës) ka marrë një rëndësi edhe më të madhe.
Së fundmi, në Gjermani shpërtheu një debat pasi këshilltarë lokalë të AfD-së dhe CDU-së në një qytet të Saksonisë vendosën të ndalonin memorialet e njohura si “gurët pengues” (камен на сопнување), pllaka të vogla prej bronzi të vendosura në trotuare për të përkujtuar viktimat e nazizmit.
Ndërkohë, në Austri, gjatë verës u hap një stacion policor në shtëpinë ku kishte lindur Hitleri, në qytetin Braunau am Inn. Ky vendim erdhi pas vitesh debatesh lidhur me mënyrën se si duhej të përdorej ndërtesa.
Qeveria austriake deklaroi se prania e policisë do të ndihmonte në parandalimin e vizitave të neonazistëve.
Megjithatë, të tjerë kishin kërkuar që shtëpia të shndërrohej në një qendër përgjegjësie, e cila do të shërbente për t'u përballur aktivisht me të kaluarën naziste.
Siç u shpreh një banor i Braunau am Inn, bëhet fjalë për një ekuilibër delikat mes asaj se sa duhet të kujtohet historia dhe sa duhet të harrohet.