KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
AUTO

Фолксваген ја менува стратегијата, има за цел да извезува технологија развиена во Кина на глобалните пазари

Volkswagen

Prodhuesi gjerman i automobilave Volkswagen po e shndërron Kinën në qendër globale të inovacionit dhe zhvillimit teknologjik, duke planifikuar që teknologjitë e krijuara atje t’i përdorë edhe në tregjet e Amerikës së Jugut dhe Afrikës.

Ky ndryshim strategjik ndodh në një kohë kur kompania po përballet me rënie të pjesës së tregut në Kinë dhe me konkurrencë të fortë nga prodhuesit vendas të automjeteve elektrike, raportoi Reuters.

Volkswageni ka njoftuar se platforma e saj e re, Compact Main Platform, e kombinuar me arkitekturën elektronike të zhvilluar në Kinë, do të përdoret në modelet e gjeneratës së ardhshme që synojnë tregjet e vendeve në zhvillim, të njohura si tregjet e Jugut Global. Zbatimi i kësaj strategjie pritet të nisë në Amerikën e Jugut deri në fund të dekadës.

Teknologjia është zhvilluar nga qendra e kërkimit dhe zhvillimit e Volkswagenit në Hefei të Kinës lindore, në bashkëpunim me kompani kineze. Përmes këtij modeli, prodhuesi gjerman synon të përfitojë nga ritmi i shpejtë i inovacionit në Kinë dhe ta shfrytëzojë atë për të rritur konkurrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare.

“Kina është motor kyç i inovacionit për Grupin Volkswagen dhe po shndërrohet gjithnjë e më shumë në qendër produktesh dhe teknologjie për tregjet tona globale”, deklaroi drejtori ekzekutiv i kompanisë, Oliver Blume.

Vendimi shënon një ndryshim të rëndësishëm nga strategjia e mëparshme e Volkswagenit, e njohur si “In China, for China” — prodhim dhe zhvillim në Kinë, kryesisht për konsumatorët kinezë. Tashmë, kompania synon që investimet dhe teknologjitë e zhvilluara në këtë treg të shërbejnë edhe për zgjerimin e saj në rajone të tjera.

Volkswageni planifikon gjithashtu të rrisë eksportin e automjeteve të markave Volkswagen dhe Jetta, të prodhuara në Kinë, drejt Amerikës së Jugut dhe Afrikës në vitet e ardhshme. 

Kina po kalon kështu nga një treg kryesisht për shitje dhe prodhim lokal në një bazë më të gjerë zhvillimi dhe eksporti për grupin gjerman. Objektivi është të ulen kostot, të shkurtohet koha e zhvillimit të modeleve të reja dhe të krijohen produkte më konkurruese për tregje me kërkesa dhe nivele të ndryshme çmimesh.

Sipas Volkswagenit, modeli lokal i zhvillimit mund ta reduktojë kohën e krijimit të produkteve deri në 30 për qind.

Ndryshimi i strategjisë vjen në një periudhë të vështirë për Volkswagenin në Kinë. Prodhuesit vendas, përfshirë BYD dhe Geely, kanë fituar terren në tregun e automjeteve elektrike, duke konkurruar me çmime më agresive, teknologji të avancuara dhe sisteme softuerike të përshtatura për kërkesat e konsumatorëve.

Përballë këtij presioni, Volkswageni ka shtuar bashkëpunimin me kompani kineze, përfshirë Xpeng dhe Horizon Robotics, me synimin për të përshpejtuar zhvillimin e teknologjive dhe modeleve të reja. Arkitektura elektronike e zhvilluar në bashkëpunim me Xpeng synon të mbështesë automjetet e përcaktuara gjithnjë e më shumë nga softueri, në platforma dhe sisteme të ndryshme të fuqisë.

Në kuadër të zhvillimeve teknologjike, Volkswageni ka prezantuar edhe VEGA, një paketë që përfshin teknologjinë e karikimit të shpejtë me tension 850 volt dhe gatishmëri për drejtim autonom të nivelit 3. 
Lansimi i saj është planifikuar për vitin 2027. 

Këto zhvillime pasqyrojnë synimin e kompanisë për të përmirësuar konkurrueshmërinë teknologjike, veçanërisht në segmentin e automjeteve elektrike, ku prodhuesit kinezë kanë forcuar ndjeshëm pozitat e tyre.

Për momentin, Volkswageni po shqyrton kryesisht tregjet e Azisë Juglindore, Amerikës Latine dhe Afrikës si destinacione për modelet e zhvilluara në Kinë, ndërsa Evropa dhe Amerika e Veriut nuk janë pjesë e planeve aktuale të eksportit për këto modele.

Sfidat e Volkswagenit në Kinë mund të thellohen edhe nga perspektiva e dobësimit të tregut. Kreu i Volkswagenit në Kinë, Ralf Brandstätter, pret që tregu kinez i veturave të pasagjerëve të tkurret me 20 për qind gjatë këtij viti, ose me rreth 4.5 milionë automjete.

Në këto kushte, përdorimi i Kinës si qendër globale e zhvillimit mund t’i ofrojë kompanisë mundësi për të ulur shpenzimet dhe për të zgjeruar praninë në tregjet ndërkombëtare.