KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Судири во Комисијата за случајот Зекај, Рахмани обвинува за политизација - Балоку возвраќа со обвинувања за измама

провизија

Me akuza për politizim të Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt është përcjellë mbledhja e sotme, ku pati përplasje verbale mes deputetit të PDK-së, Eman Rrahmani, dhe anëtarit të Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Baloku.

Debati u ashpërsua pasi Rrahmani ngriti dyshime për konflikt të mundshëm interesi të ekspertit Skender Kandiq, të cilin e cilësoi figurë politike, duke akuzuar anëtarët e Komisionit për politizim të punës së tij.

Rrahmani kërkoi nga eksperti Skender Kandiq të deklarohej nëse kishte konflikt interesi, duke ngritur dyshime për shkak të punës së tij të mëparshme në Qendrën për Punë Sociale.

“Sa i përket ekspertëve, eksperti Skender Kandiq me na tregu nëse nuk ka konflikt interesi, unë sa e di kanë qenë pjesë e QPS-së atje”, pyeti Rrahmani.

Kandiq mohoi të ketë konflikt interesi, duke sqaruar se para luftës kishte punuar në QPS, ndërsa pas luftës kishte qenë drejtor në Spitalin Rajonal.

“Unë para luftës kam punuar me QPS, pas luftës kam qenë drejtor në spitalin regjional, nuk kam asnjë konflikt interesi”, ka thënë Kandiq.

Anëtari i Komisionit nga VV-ja, Armend Baloku, kritikoi Rrahmanin, duke thënë se ai ka pasur mundësi ta shqyrtonte CV-në e ekspertit para votimit të tij.

Rrahmani iu kundërpërgjigj duke thënë se Kandiq është figurë politike.

“Është figurë politike. E keni politizu këtë komision. Ka qenë kandidat për deputet, e njihni shumë mirë, mundeni me aktru”, ka thënë Rrahmani.

Kjo deklaratë nxiti reagimin e Balokut, i cili akuzoi Rrahmanin dhe rrethin e tij për mashtrim dhe përpjekje për të bërë spektakël gjatë mbledhjes.

“Aktrimi nënkupton veprim, unë po veproj. Ndoshta ju dhe rrethi juaj jeni duke mashtruar. Dhe a është a nuk është keni pasur mundësi me herrët. Ju bëni shoë dhe po i merrni elementet nga fusha ime”, iu kundërpërgjigj Baloku.

Përplasja mes tyre vazhdoi edhe me kritika personale, ku Rrahmani iu drejtua Balokut duke përmendur një aktivitet të tij.

“Rasti i rëndë jeni ju, sa që aktivitetit ja keni vënë emrin “Fara e Flliqt”, deklaroi Rrahmani.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, bëri të ditur se gjatë kësaj mbledhjeje do të intervistohen Toska Gega, menaxhere e rastit në Qendrën për Punë Sociale (QPS) në Pejë, Durim Kelmendi, udhëheqës në QPS, Shpat Morina, zyrtar i QPS-së, Shpresa Lukaj, drejtuese e QPS-së në Pejë, si dhe Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës.