Me pankartat “Shërbimet sociale nuk mbahen me premtime”, “Mos na harroni se edhe zani jonë ka rëndësi” e “Nevojat e fëmijëve nuk kanë vit fiskal”, është mbajtur protesta e koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF (me 35 organizata anëtare) dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (me 108 organizata anëtare) për ndarjet aktuale buxhetore për shërbimet sociale.
Donjeta Kelmendi nga KOMF ka thënë se ndarjet aktuale buxhetore nuk përkojnë me nevojat reale të sektorit, duke paralajmëruar për gjendjen e rëndë të qendrave për punë sociale dhe organizatave të licencuara për ofrimin e këtyre shërbimeve.
“Ndarjet aktuale buxhetore nuk përkojnë me nevojat reale të sektorit të shërbimeve sociale dhe është shumë prapa si buxhet nevojave që kanë fëmijët, gratë, qytetarët në nevojë për shërbime sociale dhe familjet”, ka thënë Kelmendi.
Ajo u ka bërë thirrje 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të rrisin buxhetin për shërbimet sociale dhe familjare, duke theksuar se qendrat për punë sociale janë në prag të kolapsit, ndërsa organizatat e licencuara rrezikojnë mbylljen, reduktimin e shërbimeve apo pezullimin e punës.
Sipas Kelmendit, vetëm rreth 2% e buxhetit të mbrojtjes sociale në Kosovë ndahet për shërbime sociale dhe familjare.
“Financimi aktual në Republikën e Kosovës është kryesisht i orientuar në transfere dhe skema dhe përderisa shërbimet sociale marrin një rëndësi jashtëzakonisht të vogël, thënë në terma monetare ose në numra, vetëm rreth 2% e buxhetit të mbrojtjes sociale në Republikën e Kosovës shkon për shërbime sociale dhe familjare”, ka deklaruar ajo.
Ndërkaq, Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar që Buxheti i vitit 2027 të sigurojë financim të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm për shërbimet sociale, në mënyrë që gratë që përjetojnë dhunë dhe fëmijët në nevojë të mos mbeten pa mbështetje.
“Kur një grua raporton dhunën dhe kërkon mbrojtje, ajo duhet të ketë ku të shkojë atë ditë. Duhet të ketë dikë që e ndihmon të kuptojë mundësitë e saj, ta marrë mbështetjen që i duhet dhe ta rindërtojë jetën. Kur një fëmijë është në rrezik, punonjësja apo punonjësi social duhet të ketë mundësi të shkojë në terren dhe të ndërhyjë në kohë”, ka deklaruar Breznica.
Në këtë protestë u kërkua rritja e buxhetit për shërbimet sociale në kuadër të Ligjit për Buxhetin e vitit 2027. /KP