KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Министерството за правда не го менува членот што дозволува граѓански заедници за лица од ист пол

Министерство за правда

Katër vjet e gjysmë nga dështimi për t’u miratuar, Qeveria e Kosovës synon ta dërgojë sërish në Kuvend projektkodin civil. Neni që rregullon bashkësinë civile mes gjinive të njëjta, nuk është ndryshuar e nga Ministria e Drejtësisë nuk kanë treguar nëse janë siguruar votat e nevojshme për miratimin e tij

As edhe një ndryshim nuk e ka bërë Ministria e Drejtësisë në nenin e projektkodit civil që rregullon bashkësitë civile mes sekseve të njëjta.

Ky nen, ka qenë arsyeja pse dokumenti nuk ka arritur të miratohet deri tash në Kuvendin e Kosovës. Përmbajtja e tij është kundërshtuar edhe nga deputetë të partisë në pushtet.

Neni 1138 i projektkodit parasheh që martesa të përkufizohet si bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy personave të gjinive të ndryshme. Ndërsa paragrafi pasues i të njëjtit nen u referohet bashkësive civile të të njëjtit seks.

“Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua. Martesa është bashkësi jetësore e vazhdueshme e burrit dhe gruas, ligjërisht e rregulluar. Martesa lidhet me dhënien e pëlqimit të burrit dhe gruas dhe nënshkrimin e tyre para zyrtarit të gjendjes civile”, thuhet në këtë nen. “Bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara. Kushtet dhe procedura rregullohen me ligi të veçantë”.

Bazuar në këtë nen, bashkëshortët kanë të drejtë të lidhin martesë dhe të formojnë familje pa ndonjë kufizim në bazë të racës, kombësisë apo religjionit, si dhe janë të barabartë gjatë lidhjes së martesës, vazhdimit të martesës dhe zgjidhjes së saj.

“Të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë te këtij Kodi”, thuhet në dokument.

Draftkodi civil prej rreth një mijë faqesh, e me rreth 1600 nene, është planifikuar të miratohet në Qeveri deri më 15 nëntor të këtij viti.

Dy javë më parë, deputeti nga radhët e PDK-së, Eman Rrahmani, i cili ishte larguar nga LVV-ja shkaku i pakënaqësive me përmbajtjen e këtij neni, kërkoi sqarime nga kryeministri Kurti se pse është duke u insistuar në miratimin e tij.

“Pse po vazhdoni kryeministër sërish me këtë agjendë pavarësisht kundërshtimit të mëparshëm? A nuk mendoni se me këto veprime po i shpërfillni vlerat e familjes tradicionale dhe po i fyeni qytetarët të cilët ju kanë votuar ju?”, ka thënë ai.

Në përgjigjen e tij, Kurti foli për rëndësinë e miratimit të tij, pasi sipas tij, Kosovës i duhet një reformë e qëndrueshme e së drejtës civile.

E nga deputeti Rrahmani kërkoi që të mos fokusohet vetëm te neni që rregullon bashkësinë civile ndërmjet personave të gjinive të njëjta.

“Kodi civil nëse nuk e kam gabim i ka 997 faqe, i ka 1630 nene, ka mundësi qe ndihmon nëse i lexoni dhe shqyrtoni edhe këto nene tjera. Është jashtëzakonisht voluminoz. Përqendrimi në vetëm në nja dy nene është rrezik ju bëhet obsesion. Nuk ndihmon ajo”, i ishte përgjigjur Kurti.

Lidhur me ndryshimet eventuale në Projekt Kodin Civil dhe nëse janë siguruar votat për miratimin e tij, KOHA ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Drejtësisë që nga 14 tetori, por nuk ka marrë përgjigje.

Ky dokument ka dështuar të miratohet në Kuvend në mars të vitit 2022. Që nga ajo kohë, me gjithë premtimet, nuk është dërguar më për shqyrtim e miratim në legjislativ.

Dy vite më vonë, Ministria e Drejtësisë pati paralajmëruar ndryshime në të, përfshirë edhe në nenin 1138 e vetë kryeministri pati premtuar se do të angazhohet personalisht që të sigurojë votat e nevojshme për kalimin e tij në Kuvend.