KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

КДИ: Првиот месец од 11-тиот Законодатен состав не започна со соодветна организација

Виолета Хаџоли

Фото: К.П

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se muaji i parë i punës së Legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës është karakterizuar me mungesë të planifikimit të përbashkët dhe koordinimit ndërmjet organeve parlamentare.

Në një konferencë për media, ku u prezantua raporti analitik lidhur me planifikimin dhe organizimin e punës së Kuvendit, menaxherja e projektit dhe hulumtuesja e lartë në KDI, Violeta Haxholli, tha se edhe kjo legjislaturë po përballet me sfidat e trashëguara nga legjislaturat e kaluara.

“Ne, si KDI, vlerësojmë që muaji i parë i Legjislaturës së 11-të nuk ka nisur me organizim të mirëfilltë dhe me një dinamikë të qartë të punës parlamentare. Përkundër asaj, po i përcjellim sfidat e vjetra që kanë pasur edhe legjislaturat e tjera në planifikimin e punës dhe organizimin. Kuvendi, pra, po e zhvillon punën pa një planifikim të përbashkët dhe pa një koordinim të nevojshëm në mes të organeve parlamentare”, tha Haxholli.

Haxholli theksoi se Kuvendi ende nuk e ka miratuar planin e përgjithshëm të punës, ndonëse kjo është obligim sipas Rregullores së Punës së Kuvendit.“Deri më sot, Kuvendi nuk e ka miratuar ende një plan të përgjithshëm të punës, që është obligim me Rregulloren e Punës së Kuvendit. Ndërsa, pa u kompletuar, pra pa filluar mirë punën komisionet parlamentare, pa i miratuar zhvillimet e tyre, pa i miratuar planet e tyre të punës, ato janë detyruar që t'i shqyrtojnë projektligjet që kanë ardhur nga Qeveria”, u shpreh ajo.

Haxholli përmendi Projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, i cili, sipas saj, është shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar dhe është miratuar duke shmangur Rregulloren e Punës së Kuvendit.

“Një projektligj që ka ardhur në kohë shumë të shpejtë ka qenë Projektligji për pastrimin e parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, që ka ardhur në procedurë shumë të shpejtë dhe është miratuar në Kuvend me shmangie nga Rregullorja e Punës”, tha Haxholli.

Ajo foli edhe për shpërndarjen jo të barabartë të deputetëve nëpër komisione parlamentare, duke thënë se deputetët e partive të vogla shpesh detyrohen të jenë pjesë e disa komisioneve njëkohësisht.

“Një problem tjetër që e hasim, që lidhet me planifikimin dhe organizimin e punës, është edhe mos shpërndarja e barabartë e deputetëve nëpër komisione parlamentare. Kemi parë raste kur deputetët, sidomos të partive të vogla, detyrohen që të jenë anëtarë në më shumë se një komision. Kemi deputetë që janë anëtarë edhe në katër komisione, shumë deputetë janë anëtarë në tri komisione, dhe rreth 40 deputetë janë anëtarë në dy komisione parlamentare. Në anën tjetër, kemi edhe deputetë të cilët kanë zgjedhur që të mos angazhohen si anëtarë të komisioneve. Mes tyre janë liderë të partive politike, por edhe deputetë të tjerë, që kanë zgjedhur të mos jenë pjesë”, tha ajo.

Haxholli prezantoi edhe rekomandimet e KDI-së për përmirësimin e planifikimit dhe organizimit të punës së Kuvendit.

“Për këtë arsye, si KDI, ne rekomandojmë që Kuvendi sa më parë të miratojë një plan të përgjithshëm të punës, në mënyrë që të ketë një sistem të planifikimit të përbashkët dhe koordinim me seancat, komisionet parlamentare dhe organet e tjera të Kuvendit”, tha ajo.

Ajo rekomandoi gjithashtu që Kuvendi të shfrytëzojë më shumë teknologjinë dhe të digjitalizojë proceset e brendshme, qoftë për caktimin e mbledhjeve, për përcjelljen se sa po zbatohen planet e punës dhe plani i përgjithshëm i Kuvendit./KosovaPress