KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Жителите и Министерството се противат на проектот на општина Приштина за Улпијана

Фонтана

Caktimi i lokacionit për ndërtimin e një objekti të ri dhe një parkingu nëntokësor te “Fontana” në Ulpianë, ka nxitur reagime të shumta. Pas vendimit të Kuvendit Komunal, drejtori i Planifikimit Strategjik ka thënë se kjo po bëhet në kundër të përgatitjes për Lojërave Mesdhetare, mirëpo nga Ministria e Rinisë dhe Sportit kanë theksuar se një projekt i tillë nuk është i paraparë për këtë ngjarje që më 2030 do të mbahet në Prishtinë

Në një hapësirë të gjelbër në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë, përballë konvikteve, është vendi ku komuna ka vendosur të ndërtojë një objekt të ri, me arsyetimin se do t’u shërbejë Lojërave Mesdhetare të vitit 2030. 

Po ashtu në pjesën ku është pjesa ikonike e lagjes “Ulpiana”, “Fontana”, parashihet të ndërtohet një parking nëntokësor”.

“Prishtina 2030 Legacy”, është një projekt i ri, për të cilën, në një seancë të jashtëzakonshme, të premten, Kuvendi Komunal i Prishtinës, ka caktuar lokacionin “Te Fontana”.

Drejtori i Planifikimit Strategjik, Bekim Ramku, ka thënë se kapaciteti i konvikteve nuk po e plotëson nevojën e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

“Është ‘Te Fontana’ me bë një objekt për akomodim të atletëve dhe stafit përcjellës. Kapaciteti i konviktit nuk mund t’i plotësojë nevojat e Lojërave. Ideja është që objekti të bëhet duke përcjellë parametrat arkitektonikë të objekteve ekzistuese dhe është menduar që nën Fontanë të ketë parkingje nëntokësore”, ka thënë ai.

Por, këto ndërhyrje nuk parashihen në masterplanin e fshatit mesdhetar.

Projekti është kundërshtuar nga banorët dhe nga Ministria e Rinisë dhe Sportit.

Ministri Blerim Gashani, ka thënë se vendimi i Kuvendit Komunal nuk ka të bëjë me Lojërat Mesdhetare. 

“Ju sqarojmë se projekti për ndërtimin e objektit dhe të parkingut nëntokësor në lagjen Ulpiana nuk është pjesë e projektit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Lokacioni në fjalë ndodhet jashtë hapësirës së kampusit të Qendrës së Studentëve, i cili është paraparë të shfrytëzohet për nevojat e Lojërave Mesdhetare. Prandaj, vendimi i marrë nga Komuna e Prishtinës për këtë lokacion është një vendim i veçantë komunal dhe nuk ndërlidhet me projektin apo me investimet e parapara në kuadër të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, ka thënë ai.

Këtë projekt po e kundërshtojnë edhe vetë banorët e Ulpianës, duke thënë se do të organizohen dhe të kërkojnë të ndërpritet.

“I vetmi vend që ka ajër rreth të gjitha lagjeve është “Ulpiana”. Ai që po punon kështu mos vet për ne. Ne do të organizohemi dhe të kërkojmë prej tij ta ndërpresë këtë lojë”, ka thënë një qytetar për KOHËN.

Ish-prokurorja Drita Hajdari, e cila është banore e lagjes “Ulpiana”, ka thënë se po e tmerron qëllimi, siç ka thënë  ajo “i pamëshirshëm” i arkitektit nga Londra, për ta shkatërruar të vetmen pjesë urbane dhe të gjelbër që ka mbetur në qytet.

“Pas betonimit të qendrës së qytetit, arkitekti nga Londra tani i është turrur Ulpianës, të vetmes pjese urbane dhe të gjelbër që ka mbetur në qytet. Më dhemb Ulpiana. Më tmerron qëllimi i pamëshirshëm i arkitektit nga Londra për të shkatërruar gjithçka që mund të shkatërrohet, para se të kthehet në Londër. Nëse ky ndërtim lejohet, arkitekti nga Londra nuk do të jetë i vetmi fajtorë. Do të jemi fajtorë edhe ne qytetarët mbasi, përmes institucioneve kompetente, nuk kërkojmë anulimin e vendimit për këtë projekt të dëmshëm”, ka thënë ajo në një reagim.

Këtë projekt e ka kundërshtuar edhe arkitekti Ilir Gjinolli. Madje ai ka ngritur dyshime se për kë po ndërtohet ky objekt.

“Intervenimet e tilla në hapësirat që kanë plan rregullues nënkupton ndryshimin e planit rregullues. Ndryshimi i planit rregullues nuk është thjesht një votim në kuvend, por një procedurë administrative e paraparë me ligj, e njëjtë sikur për hartimin e një plani të ri rregullues. Çështja tjetër është kujt i dedikohet konvikti, pasi që organizmi i akomodimit të sportisteve është planifikuar në Qendrën e Studenteve dhe projektet për renovimin e konvikteve janë tashmë në zhvillim e sipër”, ka thënë Gjinolli.

Drejtori i Planifikimit Strategjik në Komunën e Prishtinës, Bekim Ramku, ka theksuar se ndërtimi i parkingut nëntokësor nuk do ta prekë “Fontanën”.