KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Ревизорот идентификуваше милиони евра неправилности во Трепча

провизија

Pasuri në vlerë prej mbi 42 milionë eurosh pa dokumentacion të mjaftueshëm, pasiguri në vlerësimin e stoqeve prej mbi 23 milionë eurosh dhe mbivlerësim i llogarive të arkëtueshme janë disa nga parregullsitë e evidentuara në raportin e auditimit për Trepçën për vitin 2025. Këto të gjetura u diskutuan në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku u ngritën shqetësime për saktësinë e pasqyrave financiare dhe përgjegjësinë e menaxhmentit.

Kryetari i Komisionit, Besian Mustafa, gjatë shqyrtimit të raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Trepçës, tha se numri i madh i të gjeturave ngre shqetësime serioze për saktësinë e raportimit financiar të ndërmarrjes.

“Nuk pasqyron drejt realitetin financiar të ndërmarrjes suaj. Ka aq shumë gjetje saqë kam frikën se do mbesim shumë gjatë. Ndërmarrja nuk ka zbatuar në mënyrë të plotë kërkesat për dy inventarë lidhur me matjen e prezantimit të stoqeve në pasqyrat financiare për një pjesë të konsiderueshme të stoqeve në vlerë prej 23 milionë e 187 mijë euro, nuk janë ofruar dëshmi të mjaftueshme për metodologjinë e përdorur për përcaktimin e vlerës, kështu që është krijuar pasiguri mbi saktësinë e tyre. Ndërmarrja nuk ka paraqitur saktë obligimin e klientit si llogari të arkëtueshme, si rezultat pasqyrat financiare paraqesin mbivlerësim të llogarive të arkëtueshme për 376 mijë e 245 euro. Ndërmarrja nuk ka siguruar regjistrim të plotë dhe të saktë të pasurive afatgjate dhe nuk ka siguruar dokumentacion për pasuri prej 42 milionë e 755 mijë e 994 euro.. Si pasojë e kësaj ekziston rreziku që pasuritë dhe rezultatet financiare të jenë materialisht të shtrembëruara, duke ndikuar në paraqitjen e drejtë financiare të ndërmarrjes”, tha Mustafa.

Lidhur me zbatimin e rekomandimeve të auditimit, kryetari i Bordit të Trepçës, Shpëtim Dobra, tha se janë ndërmarrë një sërë veprimesh për adresimin e mangësive të identifikuara, por pranoi se një numër i konsiderueshëm i çështjeve vazhdojnë të mbeten të hapura.

Sipas tij, pesë rekomandime janë zbatuar plotësisht, katër janë zbatuar pjesërisht, ndërsa 27 të tjera janë ende në proces të zbatimit.

“Sipas raportit, pesë rekomandime janë raportuar si të zbatuara plotësisht, katër pjesërisht ndërsa 27 në proces të zbatimit. Menaxhmenti ka përcaktuar afatin deri në fund të vitit 2026. Janë ndërmarrë veprime konkrete përfshirë themelimin e komisioneve, hartime për procedura të brendshme, përmirësimin e evidencave. Duhet të pranoj se një numër i çështjeve vazhdojnë të mbesim të hapura dhe kërkojnë angazhim më të madh dhe përshpejtim të zbatimit”, tha ai.

Ndërkaq, kryeshefi ekzekutiv i Trepçës, Faton Ahmeti, tha se një pjesë e të gjeturave lidhen me konsolidimin e pasqyrave financiare, proces që, sipas tij, është realizuar për herë të parë në vitin 2024.

Ahmeti theksoi se konsolidimi ka nxjerrë në pah probleme të cilat më herët nuk ishin evidentuar në këtë formë, duke sqaruar se pasqyrat financiare përfshijnë edhe njësitë e ndërmarrjes në jug dhe veri të Mitrovicës. Sipas tij, nga të gjeturat e reja, katër lidhen me njësinë në Leposaviq.

“Është hera e parë që në vitin 2024 kemi bë konsolidimin e pasqyrave financiare, që më herët nuk ka ndodhur asnjëherë dhe kjo ka qenë problematik që ka shfaqur gjetjet në këtë nivel. Prej gjetjeve të reja ne i kemi vetëm gjashtë edhe në pasqyra kemi arritur me bë një shpalosje, i kemi të emërtuara Mitrovica Jug dhe Veri. Në këtë rast, ne kemi vetëm gjashtë gjetje të reja, katër gjetje janë të njësisë sonë në Leposaviq. Nëse e krahasojmë me vitin 2024, kemi një performancë më të mirë, kemi rritje të të hyrave”, tha ai.

Megjithatë, deklarimet e kryeshefit ekzekutiv nxitën reagimin e deputetit Eman Rrahmani, i cili kundërshtoi mënyrën se si po prezantoheshin të gjeturat e auditimit.

Rrahmani tha se në komision duhet të paraqitet gjendja e plotë e ndërmarrjes dhe kërkoi sqarime lidhur me përgjegjësinë e menaxhmentit për njësinë në veri.

“Kryeshefi po thotë se janë gjashtë të gjetura të reja.. Është problem në këtë komision mos me u deklarua e vërteta edhe në këtë pjesë kaq thelbësore, ashtu siç nuk parqet raport të vërtetë, ka opinion të kundërt.. Domethënë ju nuk keni kontroll, as nuk mund të mbikëqyrni as të jepni përgjegjësi për njësinë në veri?”, tha Rrahmani.

Në përgjigje, kryeshefi Ahmeti sqaroi se nuk po i mohonte të gjeturat e auditimit, por se ato duhet të dallohen sipas njësive përkatëse, për shkak të mënyrës së konsolidimit të pasqyrave financiare.

“Nuk po i mohoj gjetjet, 10 gjetje i kemi në total, por unë jam i obliguar t’i ndaj gjetjet për shkak se na bëjnë konsolidim të pasqyrave financiare. I bashkojmë pasqyrat financiare dhe ne jemi të obliguar me ditë se cila gjetje mbi cilën pasqyrë financiare është”, tha ai.

Në këtë komision kanë raportuar të mërkurën edhe kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Regjionale të K.R.U “Hidrodrini”.

Pas Trepçës pritet të raportoj kryeshefi ekzekutiv dhe kryesuesi i bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, për vitin 2025. 

Прочитајте други ажурирања
Комисијата

Ревизорски извештај за Хидродрини: Разлика во средствата од милион долари, истрага бара Обвинителството

Dobësi në menaxhimin financiar, mospërputhje në regjistrimin e pasurive, pasaktësi në llogaritë e arkëtueshme dhe mungesë...