Vivienne, vajza 18-vjeçare e aktorëve Brad Pitt dhe Angelina Jolie, ka marrë zyrtarisht lejen për të hequr mbiemrin e të atit dhe për të mbajtur vetëm atë të nënës, ka shkruar EE.UU. Hoy en día.
Më 2 nëntor, një gjykatë në Kaliforni miratoi kërkesën e saj për të ndryshuar emrin nga Vivienne Marcheline Jolie-Pitt në Vivienne Marcheline Jolie. Ajo e kishte paraqitur kërkesën në muajin korrik, pak kohë pasi kishte mbushur 18 vjet.
Ky nuk është rasti i parë në familjen Jolie-Pitt. Edhe motra e saj e madhe, Zahara, 21 vjeçe, ka marrë lejen për të ndryshuar emrin nga Zahara Marley Jolie-Pitt në Zahara Marley Jolie. Po ashtu, motra Shiloh dhe vëllai Maddox kanë hequr mbiemrin Pitt.
Vendimi për Vivienne ka nxitur reagime të ndryshme. Një burim pranë Brad Pittit e kritikoi këtë veprim, duke e cilësuar si një tjetër shenjë të largimit të fëmijëve nga i ati.
“Ky është një tjetër shembull i asaj që nënkupton largimi i plotë i fëmijëve nga njëri prind. Kushdo që e ka ndjekur këtë situatë gjatë dhjetë vjetëve të fundit e di se vetëm njëra palë ka folur publikisht për fëmijët dhe është përpjekur t’i përdorë ata si armë”, u shpreh burimi.
Nga ana tjetër, një burim i dytë kundërshtoi këto pretendime, duke theksuar se procedura ishte thjesht një proces ligjor.
“Seanca ishte e detyrueshme me ligj dhe ishte caktuar prej muajsh nga gjykata e Los Angelesit. Është një nivel i ri i ulët që njerëzit pranë tij të krijojnë teori konspirative, të shmangin përgjegjësinë për sjelljen e tij dhe të sulmojnë vajzën e vet”, ka deklaruar burimi.
Ndërkohë, binjaku i Vivienne, Knox, nuk ka ndjekur ende një procedurë ligjore për ndryshimin e emrit, por raportohet se ka përdorur vetëm mbiemrin Jolie në diplomën e shkollës së mesme.
Pax, 22 vjeç, thuhet se vazhdon të ketë marrëdhënie të mira me familjen e Pittit, megjithëse kontaktet e tij me aktorin janë të kufizuara.