Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Anuncio

Se inaugura un nuevo centro comercial ETC en Peja, que forma parte de un gran proyecto de centro comercial.

Peja pasurohet me një investim të ri. Elkos Group ka hapur ETC-në e re, si pjesë e projektit për një qendër të madhe tregtare. Në ceremoninë e hapjes u vlerësua rëndësia e këtij investimi për zhvillimin ekonomik të qytetit dhe krijimin e vendeve të reja të punës, ndërsa themeluesi i kompanisë, Ramiz Kelmendi, bëri të ditur se planet për investime të reja përfshijnë edhe qytete të tjera

Peja po pasurohet me një investim të ri në sektorin e tregtisë.

Elkos Group ka hapur dyert e ETC-së së re, si pjesë e projektit për ndërtimin e një qendre të madhe tregtare, e cila synon të sjellë më shumë mundësi për qytetarët dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të qytetit.

Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë, fetarë dhe të biznesit, u shënua hapja e këtij objekti, i cili përfaqëson një tjetër investim të kompanisë në Pejë.

Gjatë ceremonisë, u vlerësua kontributi i investimeve private në krijimin e vendeve të reja të punës, si dhe rëndësia e tyre për zhvillimin e mëtejmë të qytetit.

Investimet e tilla, përveç zgjerimit të hapësirave tregtare, shihen edhe si mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e aktivitetit ekonomik në qytet.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, e vlerësoi kontributin e Ramiz Kelmendit dhe investimet e tij ndër vite.

“Më lejoni me përgëzua z.Ramiz për angazhimin e madh për punën e madhe që e ka bo edhe për vendet e reja të punës që i ka hap gjithmonë me investimet e tij që i ka bo, në emër të Komunës dhe qytetarëve ju dëshiroj shëndet, sukses dhe punë të mbarë”, tha Muhexheri.

Gjithashtu edhe Don Len Sopi nga Kisha Katolike “Shën Katerina”, vlerësoi rëndësinë e këtij investimi për qytetin e Pejës.

“Të nderuar të pranishëm më lejoni që bashkë me juve të përgëzoj qytetin e Pejës dhe sidomos familjen Kelmendi dhe z.Ramiz Kelmendin, jam i lumtur që Pejës i shtohet perspektiva, njerëzve mundësia dhe për njerëzit në nevojë zemërgjerësia si gjithë herë, sot presidentit të korporatës i urojë punë të mbarë, suksese dhe të arritura të reja, se ky objekt gjigandë flet vet, dhe ne pak mundemi me thënë me fjalë në krahasim me atë që po e shohim me sy dhe sot na jepet mundësia me prek gjithë atë mirësi, gjithë atë krijim që e ka bërë presidenti me njerëzit e vet”, tha ai.

Mulla Musli Arifaj përgëzoi Ramiz Kelmendin për investimin, duke theksuar rëndësinë e vendeve të reja të punës dhe përkushtimin e tij për qytetin.

“Ju them të drejtën para se me fillua ceremonia me z.Ramizin i shkëmbyem disa fjalë dhe i thash nuk je vetëm ti i gëzum jemi gëzua edhe na të gjithë sepse secili prej nesh e ka hisen e vet këtu sepse do ta ketë një njëri apo familjar që do të punoj këtu, Z.Ramizin e përgëzoj për gjithë investimin që e ka bërë e më së shumti që nuk po e harron Pejën se gjithë investimin e gjithë punën e bien këtu, kjo tregon se e donë këtë vend i donë njerëzit e tij..”, theksoi ai.

Ramiz Kelmendi, president dhe themelues i Elkos Group, bëri të ditur se hapja e ETC-së është vetëm një pjesë e qendrës së re tregtare, e cila pritet të ofrojë edhe kinema, carting dhe brende të njohura ndërkombëtare.

“Elkos Group sot e hapi një pjesë të kapitullit të përgjithshëm të qendrës tregtare më e madhja në këtë regjion, e cila faktikisht do të hapet në muajin maj, do të ketë kinema, carting edhe shumë e shumë brende të tjera botërore që do e pasurojnë këtë qendër, sot u hap ETC, është një prej ETC më e madhja dhe më e mira dhe besoj që do ti shërbej jashtëzakonisht qytetarëve të Pejës dhe të Kosovës”, deklaroi Kelmendi.

Kelmendi theksoi edhe për sfidat e rindërtimit pas zjarrit, i cili shkaktoi dëme prej rreth 20 milionë eurosh, duke theksuar se pavarësisht humbjeve, investimi u rikthye përmes ndërtimit të objektit të ri.

“Kjo ka qenë edhe në projekt për rindërtim por fatkeqësisht zjarri na e murr një pasuri prej 20 milionëve ishte një shkallë e madhe menxi kemi arrit me përballue për arsye që humbja ishte e madhe dhe e fillum ndërtimin, edhe mund të ju them se dulem fitus edhe pse unë nuk fola para publikut se vepra jem po shihet, e fjalët e mia janë të pakta nga ajo që mund të krijoj por qe vitet po ecin dhe ndoshta nuk po muj me arrit aq sa duhet, duhet ta falemderojë edhe Kryetarin e Komunës në veçanti, se ata na kanë ndihmu jashtëzakonisht shumë, unë ju kisha bërë thirrje edhe Kryetarve të tjerë të Komunave dhe në veçanti qeverisë ton të ju ndihmojnë të gjithë atyre që dijnë me punu dhe dijnë me ndërtu”, tha ai.

Ky nuk është investimi i vetëm, pasi kompania planifikon edhe hapjen e qendrave të reja.

“Jemi në përfundim të një qendre në Tiran, besoj që pas 8 vjete zvarritje, ndoshta gjatë muajit të ardhshëm e hapim një objekt të tillë, mendojmë që gjatë këtij viti ta hapim edhe Prishtinën edhe Suharekën e cila e njëjta ka qenë e dëmtuar nga zjarri”, shtoi Kelmendi.

Projekti i përgjithshëm i qendrës tregtare në Pejë pritet të plotësohet me përmbajtje të tjera, duke zgjeruar ofertën për qytetarët.