Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Opinión

Para Arlinda. Para todas las Arlindas.

E di si është të shkosh derë më derë, t’ua shpjegosh të gjithëve situatën tënde, t’u lutesh njerëzve që thjesht ta bëjnë punën për të cilën paguhen dhe për të cilën ekzistojnë. Të fillosh me rojën e të vazhdosh nga një zyrë në tjetrën, duke treguar të njëjtën histori, duke kërkuar ndihmë, duke shpresuar se dikush më në fund do të të marrë seriozisht

Pas çdo vrasjeje të një gruaje, dalim me reagime, me fjalë të mëdha, me deklarata solidariteti dhe me premtime se kjo nuk duhet të ndodhë më. Por mjaft me fjalë. Shumë mirë e dimë çfarë duhet bërë. Pyetja është: pse nuk po bëhet?

Mbrojtja e një gruaje nuk fillon ditën kur ajo vritet. Fillon në shtëpi, me edukimin dhe trashëgiminë që ua përcjellim fëmijëve tanë. Vazhdon me institucionet që duhet ta dëgjojnë, ta besojnë dhe ta mbrojnë kur ajo kërkon ndihmë. Dhe bëhet jetike në momentin kur jeta e saj kërcënohet, kur ajo përballet me dhunë, kur kërcënohet se do t’i merret edhe fëmija dhe kur nuk ka më ku të drejtohet.

E di çfarë do të thotë të kërkosh mbrojtje. E kam përjetuar vetë.

E di si është të shkosh derë më derë, t’ua shpjegosh të gjithëve situatën tënde, t’u lutesh njerëzve që thjesht ta bëjnë punën për të cilën paguhen dhe për të cilën ekzistojnë. Të fillosh me rojën e të vazhdosh nga një zyrë në tjetrën, duke treguar të njëjtën histori, duke kërkuar ndihmë, duke shpresuar se dikush më në fund do të të marrë seriozisht.

Dhe, ndërkohë, të ndihesh sikur je ti ajo që po kërkon diçka të padrejtë. Sikur po ua merr diçka të tjerëve. Sikur je bërë objekt bisede, ndërsa përpiqesh të shpjegosh pse ke frikë për jetën tënde dhe për fëmijën tënd.

Kjo nuk është mbrojtje. Kjo është braktisje institucionale e një gruaje që kërkon ndihmë.

Kur ligji nuk zbatohet, kur mekanizmat nuk funksionojnë, kur strehimi dhe mbrojtja nuk janë realisht të qasshme dhe kur institucionet nuk e trajtojnë gruan e kërcënuar si person në rrezik, çfarë i mbetet asaj? Sa herë duhet të kërkojë ndihmë? Sa dyer duhet t’i trokasin duart? Sa herë duhet ta dëshmojë frikën e saj para se dikush ta kuptojë se rreziku është real?

Nuk mjafton të kemi ligje në letër. Nuk mjafton të kemi mekanizma të emërtuar në dokumente. Nuk mjafton të dalim pas çdo tragjedie dhe të themi se jemi të tronditur.

Duhet të sigurohet zbatimi i ligjit, reagimi i menjëhershëm ndaj kërcënimeve, mbrojtja efektive, strehimi i sigurt dhe mbështetja e vazhdueshme për gratë dhe fëmijët në rrezik. Duhet të rishikohen përgjegjësitë dhe të kërkohet llogari nga secili institucion që ka dështuar në detyrën e vet.

Dhe po, duhet të ketë përgjegjësi konkrete, hetim të dështimeve dhe shkarkime aty ku provohet se ka neglizhencë apo moskryerje të detyrave. Jo vetëm reagime publike. Jo vetëm disa ditë zemërim, derisa rasti tjetër të na detyrojë të flasim përsëri.

Marre! Marre për një shoqëri që reagon pasi një grua vritet, por nuk arrin ta mbrojë kur ajo është ende gjallë dhe kërkon ndihmë.

Për Arlindën, që nuk duhet të ishte bërë një tjetër emër në listën e grave të vrara.

Dhe për të gjitha Arlindat që janë ende gjallë, që kanë frikë, që kërkojnë ndihmë dhe që sot mund të jenë duke trokitur në dyert e institucioneve, duke shpresuar se dikush do t’i dëgjojë para se të jetë tepër vonë.

Mos na kërkoni të heshtim. Mos na kërkoni të kënaqemi me deklarata. Mos na kërkoni të presim tragjedinë e radhës për të kuptuar se sistemi ka dështuar.

Arlinda nuk ka nevojë për fjalë të bukura pas vdekjes. Gratë kanë nevojë për mbrojtje sa janë gjallë.

Dhe kjo është përgjegjësi e të gjithëve ne.

(Autorja, e njohur për redaksinë, ka kërkuar që të mos identifikohet në këtë thirrje të saj)