Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Cultura

“Estación Cultural”: la transformación artística de un edificio abandonado.

Hapja e “Stacionit Kulturor” është një prej ngjarjeve kryesore të edicionit të 14-të të festivalit ndërkombëtar feminist “FemArt”, të organizuar nga “Artpolisi” (Foto: Artpolis)

Hapja e “Stacionit Kulturor” është një prej ngjarjeve kryesore të edicionit të 14-të të festivalit ndërkombëtar feminist “FemArt”, të organizuar nga “Artpolisi” (Foto: Artpolis)

“Shtëpia e re” e “Artpolisit” është një objekt i harruar te Stacioni i Trenit në Prishtinë, i transformuar në hapësirë arti e pikëtakim artistësh dhe jo vetëm. I inauguruar me prerje shiritash, “si një hapësirë krijuese pozitive, jo toksike”, muret e rrjepura kanë marrë ngjyrë, për t’u funksionalizuar plotësisht ka ende punë, por për komunitetin kulturor është një vend i domosdoshëm, e kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e prezanton si shembull të vizionit të tij për kryeqytetin

Nga ndërtesë e braktisur në hapësirë të re për art, komunitet dhe edukim kulturor është transformuar ajo që tash është quajtur si “Stacioni Kulturor” në lagjen “Arbëria” të Prishtinës. E hapur të premten mbrëma, synon të bëhet një prej pikave të reja të veprimtarisë kulturore në kryeqytet. Hapja ka ardhur në kuadër të aktiviteteve të ditës së katërt të edicionit të 14-të të festivalit ndërkombëtar feminist “FemArt”, të organizuar nga “Artpolisi”. 

Hapësira – dikur një depo materiali ndërtimor te Stacioni i Trenave –  e kërkuar nga kjo organizatë dhe e mbështetur nga Komuna e Prishtinës, është konceptuar si vend ku ndërthuren teatri, ekspozitat, edukimi, punëtoritë, diskutimet dhe takimi i komunitetit me artistët. Muret e rrjepura kanë marrë ngjyrë kryesisht rozë, diku janë ruajtur edhe gjurmët autentike, për t’u funksionalizuar plotësisht ka ende punë. 

Për drejtoreshën e “Artpolis”, Zana Hoxha, bëhet fjalë për një hapësirë që Prishtinës i ka munguar.

“Është një hapësirë më se e nevojshme. Kemi pasur nevojë shumë dhe është një hapësirë që i ka munguar Prishtinës, një hapësirë ku artistët dhe komuniteti bëhen bashkë. Ku jeta kulturore nuk ndodh vetëm natën, por edhe ditën, ku edukohen gjeneratat e ardhshme, ku ka hapësirë për mendime ndryshe, pa ndikime. Një hapësirë krijuese pozitive, jo toksike. Ky ka qenë qëllimi”, ka thënë Hoxha.

Ajo ka treguar se objekti ka qenë në gjendje të rëndë dhe se ndërhyrja për transformimin e tij ka nisur praktikisht nga zeroja.

“Ka qenë hapësirë e rrënuar, e shkatërruar pas luftës. Gjithçka është bërë prej zeros. Vetëm trarët i kanë mbetur dhe muret origjinale, gjithçka tjetër është rinovuar, është rikrijuar”, ka treguar Hoxha.

Sipas saj, ndërhyrja nuk ka arritur ende në nivelin e plotë të investimit që organizata ka planifikuar, veçanërisht sa u përket pajisjeve teknike.

“Nuk kemi mbërritur të bëjmë gjithë investimin që kemi dashur me ndriçim e zërim profesional, por po presim që të vazhdojë përkrahja”, ka thënë ajo.

Në njoftimin e tyre, kërkohen edhe 100 mijë euro për, siç shkruhet, pajisjet e teatrit dhe galerisë, ndriçimin, zërimin, pajisjet teknike dhe mobilimin e nevojshëm për funksionalizimin e plotë të hapësirës.

“Na ndihmoni të mbledhim 100.000 euro për pajisjet e teatrit dhe galerisë, ndriçimin, zërimin, pajisjet teknike dhe mobilimin e nevojshëm për ta bërë hapësirën plotësisht funksionale. Bëhu pjesë e historisë. Bëhu arsyeja që të tregohen mijëra histori të patreguara. Bëhu arsyeja që Prishtina të ketë një shtëpi kulturore për të gjithë. Me 10 apo 100 euro, secila ndihmë na afron drejt hapjes së këtyre dyerve”, shkruhet në njoftimin e 5 shtatorit në rrjete sociale. 

“Stacioni Kulturor” – dikur një depo materiali ndërtimor te Stacioni i Trenave –  e kërkuar nga “Arpolisi” dhe e mbështetur nga Komuna e Prishtinës, është konceptuar si vend ku ndërthuren teatri, ekspozitat, edukimi, punëtoritë, diskutimet dhe takimi i komunitetit me artistët (Foto: Artpolis)

“Një ndërtesë e zbrazët nuk është një qendër kulturore”, kishte theksuar “Artpolis” në thirrjen për mbështetje, duke bërë të ditur se pjesa më e madhe e punimeve ndërtimore ishte kryer falë Komunës së Prishtinës dhe donatorëve.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar “Stacionin Kulturor” si pjesë të transformimit të hapësirave të lëna për vite në harresë.

“Kjo hapësirë është një nga hapësirat që tash e sa vjet po i transformojmë, e që kanë qenë në një formë të vdekura, apo të harruara, në vende që tash përdoren për kreativitet, për të zhvilluar ide të kulturës, traditës, mendimeve të reja të komunitetit tonë të mrekullueshëm artistik”, ka thënë Rama.

Hapësira është konsideruar si adresë që mund të zgjerojë jetën kulturore në Prishtinë. Profesori universitar dhe regjisori, Fadil Hysaj, ka thënë se objekti ka potencial të bëhet një pikë e rëndësishme e jetës kulturore të kryeqytetit.

“Është një vend i veçantë dhe mendoj se do të jetë një adresë jashtëzakonisht e rëndësishme kulturore e Prishtinës. Mendoj se edhe kjo hapësirë është autentike, origjinale dhe ka frymëmarrje të dobishme kulturalisht të kryeqytetit”, ka thënë Hysaj.

Sipas konceptit të prezantuar nga “Artpolis”, “Stacioni Kulturor i Prishtinës” është menduar si një hapësirë me disa funksione: teatër për shfaqje, performanca dhe koncerte, galeri për ekspozita, punëtori e trajnime, si dhe bar e hapësirë e përbashkët pune.

Organizata ka synuar që hapësira të jetë edhe vend edukimi dhe takimi ndërmjet brezave, duke e përshkruar atë si një vend për fëmijët dhe të rinjtë, për artistët që duan të eksperimentojnë e krijojnë, por edhe për të moshuarit që mund të rilidhen, diskutojnë dhe përcjellin përvojën e tyre.

Hapja e “Stacionit Kulturor” ka ardhur në një kohë kur skena kulturore e Prishtinës vazhdon të përballet me mungesë të hapësirave të përshtatshme për prodhim dhe prezantim artistik. 

Sa u përket ngjarjeve kulturore, me një të tillë është inauguruar Stacioni. Të hënën ka interpretuar grupi italian “Leda” me Serene Abrami në vokal, sint e kitarë akustike, Enrico Vitali, po ashtu në kitarë, Fabrizio Baioni në bateri dhe Giorgio Baioni në bas-kitarë. 

Me hapjen e tij, “Stacioni Kulturor” ka nisur rrugëtimin si hapësirë e re kulturore e kryeqytetit. 

Për dhënien në shfrytëzim për “Stacionin Kulturor” dhe një tjetër objekti në marrëveshje me artistin Sislej Xhafa, KOHA kishte raportuar qysh në tetorin e vitit të kaluar në artikullin, “Marrëveshjet me artistë e organizata në frymë të fushatës zgjedhore”. “Në kulmin e fushatës elektorale, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka zgjedhur të nënshkruajë e të bëjë publike marrëveshje me artistë e organizata kulturore. Duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi ose duke bërë video promovuese të implementimit të marrëveshjeve të nënshkruara këtë vit, Rama ka përdorur për fushatë elektorale edhe një pjesë të komunitetit artistik. Individë të këtij komuniteti në mënyrë direkte a indirekte janë bërë pjesë e fushatës së Ramës.  Sislej Xhafa, artist me nam ndërkombëtar, është marrë vesh me kryetarin Rama për realizimin e një projekti në bashkëpunim me Komunën. Kurse nëpërmjet dy videove promovuese është marrë vesh se Komuna ia ka dhënë në shfrytëzim një hapësirë organizatës ‘Artpolis’ që udhëhiqet nga regjisorja Zana Hoxha”, kishte shkruar KOHA. Që të dyja marrëveshjet ishin lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa pasur ndonjë thirrje publike. KOHA kishte kërkuar nga organizata “Arpolis” marrëveshjen e nënshkruar me Komunën dhe kjo organizatë e kishte ofruar atë bashkë me çdo sqarim të kërkuar. Sipas marrëveshjes së nënshkruar në mars të atij viti, kryeqyteti zotohet se do të lejojë zhvillimin e aktiviteteve në hapësirë me sipërfaqe prej 6 mijë e 93 metrash katrorë. Themeluesja e drejtuesja e organizatës, Zana Hoxha, kishte treguar se procesi nuk ka kaluar përmes një thirrjeje publike, por ka ardhur si rezultat i kërkesave të tyre të vazhdueshme që nga viti 2015 për krijimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore në hapësirat publike. Sipas saj, janë kërkesa që fatkeqësisht nuk janë marrë parasysh deri atëherë. “Kostoja e përllogaritur për rregullimin dhe revitalizimin e objektit është rreth 200 mijë euro, e cila do të mbulohet nga ‘Artpolis’ përmes donatorëve tanë ndërkombëtarë dhe vendorë. Përmes Stacionit Kulturor, ne synojmë jo vetëm të krijojmë një qendër dinamike kulturore, por edhe të gjenerojmë punësim për artistë dhe staf mbështetës, me fokus në gratë dhe grupet e margjinalizuara, përfshirë personat me aftësi të kufizuara”, kishte thënë Hoxha. 

“Hapësirat e braktisura po i kthejmë në hapësira të jetës”, ka shkruar Përparim Rama të martën. “Pas më shumë se dy dekadash, Prishtinës ia kthyem Galerinë e Kryeqytetit në Pallatin e Rinisë. Tash, bashkë me ‘Arpolisin’ hapësirën që gjenerata të tëra e njohin si ‘te Zalli” po e kthejmë në Stacion Kulturor. Një vend që bart kujtesën e eksodit të vitit 1999, sot hap dyert për art, kulturë dhe horizonte të reja”, ka shkruar ai.