Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka diskutuar për shumë çështje në mbledhjen e mbajtur të mërkurën.
Ndër të tjera ka dalë me konstatim për rezultatet e deritashme të arritura nga Përfaqësuesja e Kosovës.
KE i FFK-së konstatoi se Kosova “qëndron ende brenda objektivave”.
“KE shqyrtoi edhe ecurinë e ekipeve kombëtare. Për Kombëtaren A u konstatua se qëndron ende brenda objektivave, ndërsa sa i përket grupmoshave të reja u vlerësua se është e nevojshme të arrihen rezultate më të mira”, shkruan në njoftimin e FFK-së.
Në mbledhjen e KE është diskutuar edhe paraqitja e klubeve të Kosovës në garat evropiane.
“Paraqitja e klubeve kosovare në garat evropiane këtë edicion u vlerësua jo e kënaqshme, krahasuar edhe me sukseset e arritura në edicionet paraprake”, shkruan FFK.
Ecurinë e deritashme të garave në të gjitha kategoritë, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv e cilësuan “në nivel të kënaqshëm”.
Sipas njoftimit, vëmendje e veçantë iu kushtua edhe gjendjes financiare të klubeve. U vlerësua se është e domosdoshme vendosja e kritereve më të rrepta në të ardhmen “për garantimin e qëndrueshmërisë financiare dhe përmbushjen e obligimeve ndaj futbollistëve”.
Në mbledhje u vendos edhe data e mbajtjes së ceremonisë “Laureatët e Vitit 2026”. Shpallja e më të dalluarve do të bëhet më 20 dhjetor nga ora 17:00 në hotelin “Emerald”.