Katër organizata të rëndësishme mjekësore kanë publikuar udhëzime të reja për parandalimin, identifikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të zemrës te gratë, duke theksuar se kujdesi për shëndetin kardiovaskular duhet të nisë që në adoleshencë dhe të vazhdojë gjatë gjithë jetës, ka shkruar Γραμμή Υγείας.
Shoqata Amerikane e Zemrës (AHA), Akademia Amerikane e Pediatrisë, Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve dhe Shoqata për Mjekësinë Materno-Fetale kërkojnë një qasje më të koordinuar mes specialistëve, në mënyrë që rreziqet të identifikohen sa më herët.
Sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjeve te gratë në Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe vdekjet gjatë shtatzënisë. Megjithatë, vetëm 44 për qind e grave janë plotësisht të vetëdijshme për rrezikun që paraqesin këto sëmundje.
Ndryshimet hormonale mund të ndikojnë në shëndetin e zemrës
Ekspertët theksojnë se shëndeti kardiovaskular i grave ndikohet nga faktorë të veçantë biologjikë dhe hormonalë, të cilët ndryshojnë gjatë fazave të ndryshme të jetës.
Cikli menstrual, shtatzënia, periudha para menopauzës dhe menopauza mund të japin të dhëna të rëndësishme për rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës.
Për shembull, tensioni i lartë i gjakut ose nivelet e larta të sheqerit gjatë shtatzënisë mund të sinjalizojnë rrezik më të madh për probleme kardiovaskulare në të ardhmen. Ndërsa gjatë periudhës para menopauzës, ndryshimet hormonale mund të shoqërohen me ndryshime të kolesterolit dhe të metabolizmit.
“Shëndeti i zemrës së grave ndikohet në mënyrë të veçantë nga ndryshimet biologjike që përjetojnë gjatë jetës, përfshirë menstruacionet, shtatzëninë dhe menopauzën”, ka theksuar doktoresha Sadiya Khan, drejtuese e grupit që hartoi raportet.
Kujdesi duhet të nisë që në moshë të re
Sipas specialistëve, kontrollet e rregullta dhe identifikimi i hershëm i faktorëve të rrezikut mund të ndihmojnë në parandalimin e problemeve serioze shëndetësore.
Historia e shtatzënisë duhet të merret parasysh gjatë vlerësimit të shëndetit të zemrës, pasi komplikimet si preeklampsia (ndodh gjatë shtatzënisë si pasojë e tensionit të lartë të gjakut) dhe tensioni i lartë mund të rrisin rrezikun kardiovaskular në vitet e mëvonshme.
Ekspertët nënvizojnë gjithashtu se periudha pas lindjes është një mundësi e rëndësishme për të vlerësuar shëndetin e nënës dhe për të parandaluar probleme afatgjata.
Ata kërkojnë që mjekët e familjes, pediatrit, gjinekologët dhe kardiologët të bashkëpunojnë më ngushtë, në mënyrë që informacionet për shëndetin e grave të mos mbeten të fragmentuara mes specialistëve të ndryshëm.
Si mund ta mbrojnë gratë shëndetin e zemrës?
Përveç kontrolleve mjekësore, specialistët rekomandojnë disa hapa të thjeshtë që mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare:
Ushqyerje e shëndetshme: Konsumoni më shumë fruta, perime dhe ushqime të pasura me vlera ushqyese, duke preferuar një dietë të stilit mesdhetar.
Aktivitet fizik: Synoni të paktën 150 minuta aktivitet fizik me intensitet të moderuar në javë.
Kontrolli i tensionit dhe sheqerit: Monitoroni rregullisht tensionin e gjakut dhe nivelet e glukozës.
Kontrolli i nivelit të yndyrës së dëmshme në gjak apo kolesterolit: Kryeni analizat e nevojshme sipas këshillës së mjekut.
Shmangia e duhanit: Mos pini duhan, pasi ai rrit rrezikun për sëmundje kardiovaskulare.
Gjumë i mjaftueshëm: Përpiquni të flini 7-8 orë çdo natë.
Kontrolle të rregullta: Mos i neglizhoni vizitat mjekësore edhe kur ndiheni mirë.
Ekspertët paralajmërojnë se parashikimet për të ardhmen janë shqetësuese. Sipas një raporti të Shoqatës Amerikane të Zemrës,nëse vazhdojnë tendencat aktuale, deri në vitin 2050, rreth 60 për qind e grave në SHBA mund të kenë të paktën një formë të sëmundjes kardiovaskulare.