KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Πολιτισμός

«Ρενουάρ και Έρωτας» ως ένα ταξίδι στα χρώματα της ζωής

Με τον «Χορό στο Μουλέν ντε λα Γκαλέτ» του 1876, ο Ρενουάρ αποτύπωσε μια συνηθισμένη σκηνή ανθρώπων που διασκεδάζουν και τη ζωγράφισε σε μνημειώδη κλίμακα, η οποία παραδοσιακά χρησιμοποιούνταν για ιστορικά, θρησκευτικά ή μυθολογικά θέματα.

Με τον «Χορό στο Μουλέν ντε λα Γκαλέτ» του 1876, ο Ρενουάρ αποτύπωσε μια συνηθισμένη σκηνή ανθρώπων που διασκεδάζουν και τη ζωγράφισε σε μνημειώδη κλίμακα, η οποία παραδοσιακά χρησιμοποιούνταν για ιστορικά, θρησκευτικά ή μυθολογικά θέματα.

Një nga skenat më të njohura të Parisit të shekullit XIX ka mbërritur për herë të parë në Britani të Madhe, ndërsa “Dance at the Moulin de la Galette” e piktorit Renoir është ekspozuar në Londër. Vepra është pjesë e ekspozitës “Renoir and Love” të Galerisë Kombëtare, e cila përfshin 45 vepra dhe eksploron mënyrën se si impresionisti francez pikturoi flirtin, miqësinë, jetën familjare dhe botën përreth tij

Kur Pierre-Auguste Renoir pikturoi veprën “Dance at the Moulin de la Galette” në vitin 1876, ai donte të kapte lëvizjen dhe jetën shoqërore të Parisit modern. Të rinj dhe të reja mbushin një hapësirë vallëzimi në ambient hapur në Montmartre, duke vallëzuar dhe duke bashkëbiseduar ulur rreth tavolinave. Drita që depërton mes pemëve dhe përhapet mbi fytyra, veshje dhe tokë, ndërsa turma duket sikur vazhdon përtej skajeve të kanavacës.

Renoir mori një skenë të zakonshme të njerëzve që argëtoheshin dhe e pikturoi në një përmasë monumentale, e cila tradicionalisht ishte përdorur për tema historike, fetare apo mitologjike. Gati 150 vjet më vonë, piktura ka udhëtuar për herë të parë nga Musée d’Orsay në Paris drejt Britanisë së Madhe. Ajo është një nga veprat qendrore të ekspozitës së re me titull “Renoir and Love” në Galerinë Kombëtare, e cilësuar si ekspozita më e rëndësishme e veprave të Renoirit në Britani në 20 vjetët e fundit.

Christopher Riopelle është njëri prej katër kuratorëve që kanë punuar për ekspozitën.

“Kjo është një nga kryeveprat e mëdha të Renoir. Është një nga kryeveprat e mëdha të pikturës moderne dhe po ekspozohet në Britani të Madhe për herë të parë në histori. Është ‘Bal du Moulin de la Galette’, një tarracë ku njerëzit argëtoheshin në Montmartre të Parisit”, ka thënë ai.

Moulin de la Galette ishte pjesë e kulturës së re të kohës së lirë që po zhvillohej rreth Parisit në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Në vend që t’u riktheheshin mbretërve, shenjtorëve apo heronjve të lashtësisë, Renoir dhe impresionistët e tjerë pikturonin gjithnjë e më shumë qytetin që kishin përreth, duke përfshirë kafenetë, kopshtet dhe zonat e pushimit buzë lumenjve.

Renoir u mbështet gjithashtu në një traditë më të vjetër franceze të pikturave që trajtonin dashurinë, njohjet dhe tubimet shoqërore, por i zhvendosi këto skena në rrugët dhe hapësirat argëtuese të Parisit bashkëkohor.

Këtu nuk ka një hero të vetëm dhe as ndonjë ngjarje dramatike –  subjekti është thjesht njerëzit që qëndrojnë së bashku.

“Ajo thjesht paraqet një turmë shumë të madhe, kryesisht të rinjsh, që janë mbledhur për të vallëzuar, për të ngrënë, për të flirtuar dhe për t’u argëtuar. Të marrësh këtë çast të jetës së përditshme, kur njerëzit thjesht po kalojnë mirë së bashku, dhe ta paraqesësh në këtë përmasë monumentale ishte vërtet diçka shumë e guximshme”, ka deklaruar Riopelle.

Ky interes për njerëzit dhe marrëdhëniet shoqërore përshkon të gjithë ekspozitën.

“Woman with a Parasol in a Garden”, e pikturuar në vitin 1875 në kopshtin e studios së Renoirit në Montmartre, e shndërron një tjetër moment të përditshëm në një studim të ngjyrave, natyrës përreth dhe dritës së diellit.

Në “The Seine at Chatou”, pikturuar në vitin 1881, një figurë pushon pranë lumit ndërsa varkat lëvizin mbi ujë. Vepra është pjesë e një magjepsjeje më të gjerë me vendet ku parisienët largoheshin nga qyteti për t’u çlodhur.

Renoir u mbështet në një traditë më të vjetër franceze të pikturave që trajtonin dashurinë, njohjet dhe tubimet shoqërore, por i zhvendosi këto skena në rrugët dhe hapësirat argëtuese të Parisit bashkëkohor

Ekspozita e re bashkon 45 piktura nga muze dhe koleksione private në mbarë botën.

“Kjo ekspozitë, ‘Renoir and Love’ shqyrton një grup veprash kyçe nga 20 vjetër e para të karrierës së gjatë të Auguste Renoir, kur ai ishte veçmas i interesuar të kapte imazhe të dashurisë, ose më gjerësisht, të shoqërimit mes njerëzve – mënyrën se si ata shkojnë me njëri-tjetrin, si ndërveprojnë dhe si shprehin dashurinë e tyre për njëri-tjetrin: miq, të dashuruar, fëmijë e të tjerë. Ai e identifikoi vërtet këtë si temën e tij dhe gjatë 20 vjetëve të para të karrierës e eksploroi në një mënyrë që askush tjetër në pikturën franceze të asaj kohe nuk e kishte bërë”, ka thënë Riopelle.

Disa prej këtyre marrëdhënieve janë qëllimisht të paqarta. Në “The Swing”, gjithashtu e pikturuar në vitin 1876, një grua e re qëndron në një kopsht me dy burra dhe një fëmijë. Drita e diellit depërton mes pemëve, duke shpërndarë pika të vogla ndriçimi mbi figurat dhe tokën. Në vend që të shpjegojë saktësisht se kush janë këta njerëz apo çfarë po ndodh mes tyre, Renoir ia lë shikuesit të interpretojë vështrimet, gjestet dhe distancat mes tyre.

“Children’s Afternoon at Wargemont”, e vitit 1884, paraqet tri vajzat e miqve të Renoirit – familjes Bérard – teksa qëndrojnë brenda në shtëpi. Njëra lexon në një divan, një tjetër mban në duar një kukull, ndërsa më e madhja është ulur duke qepur.

Vepra i përket një seksioni të ekspozitës kushtuar jetës familjare dhe tregon se si Renoir e zbatoi të njëjtin interes për intimitetin dhe marrëdhëniet njerëzore edhe në mjedise më të qeta familjare.

Mes atyre që e kanë parë ekspozitën para hapjes është edhe familjarja e mjeshtrit të pikturës, Megan Renoir. Mbiemri i familjes së saj mbart një trashëgimi të famshme artistike, megjithëse ajo thotë se brezat e mëvonshëm u inkurajuan të mos ndiqnin domosdoshmërish të njëjtën rrugë.

“Të paktën në atë anë të familjes, pra në anën time të familjes Renoir, të merresh me artin është dekurajuar disi në mënyrë të çuditshme. Mendoj se në familje ekziston padyshim ideja se njerëzit duhet të gjejnë rrugën e tyre, të gjejnë thirrjen e tyre në jetë dhe të mos i kthehen diçkaje kaq të lehtë si arti – në kuptimin që të dashurohesh me të dhe t’ia kushtosh jetën. Mendoj se ka vërtet një nxitje për të eksploruar dhe për të ndjekur atë që secili individ është i interesuar të bëjë. Gjë që mendoj se është mjaft qesharake, sepse për shumicën e njerëzve në familje, ne përfundojmë, sigurisht, duke u dashuruar me artin”, ka thënë ajo.

Ekspozita bën të mundur gjithashtu të shihet se si Renoir ndryshoi teknikisht gjatë karrierës së tij.

“The Umbrellas”, pjesë e koleksionit të vetë Galerisë Kombëtare, nisi të pikturohej rreth vitit 1881 dhe u ripunua disa vjet më vonë. Në njërën anë, figurat trajtohen me lëvizjet e lira dhe të fragmentuara të brushës, karakteristike për impresionizmin. Diku tjetër, vizatimi bëhet më i fortë dhe figurat më të plota e më të strukturuara.

Piktura impresioniste shpesh përdorte prekje të shpejta dhe individuale ngjyrash, në vend që t’i përziente ato plotësisht, duke bërë të mundur që drita dhe lëvizja të krijoheshin përmes shenjave të veçanta të brushës.

“Penelat impresioniste zakonisht janë prekje të shpejta, të vogla ngjyrash, shpesh shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. I japin sipërfaqes së një pikture një lloj cilësie vallëzimi. Gjithçka duket sikur është në lëvizje në këto piktura. Stili karakteristik, dhe mendoj se një nga gjërat që bën kjo ekspozitë, është të tregojë se sa të ndryshme ishin stilet që Renoir, një gjeni teknik, ishte në gjendje të përdorte, dhe se sa vazhdimisht ato ndryshonin”, ka shpjeguar Riopelle.

Renoir nuk mbeti impresionist në të njëjtën mënyrë gjatë gjithë karrierës së tij. Rreth vitit 1883, ai filloi të largohej nga efektet kalimtare të dritës që kishin dominuar pjesën më të madhe të veprave të tij të hershme. Figurave të tij iu dha një vizatim më i përcaktuar dhe një formë më skulpturore, ndërsa temat u zhvendosën gjithnjë e më shumë nga Parisi modern drejt subjekteve që synonin të dukeshin më të përjetshme.

Për Meganin, megjithatë, ndryshimet teknike kthehen sërish tek i njëjti interes: njerëzit.

“Mendoj se ai kishte një mënyrë të veçantë për ta parë botën, shumë më të përqendruar te përvoja njerëzore, te ndërveprimet mes njerëzve dhe te këto momente gëzimi, këto çaste të vogla gëzimi dhe bukurie. Mendoj se këtë e shohim në këtë pikturë dhe, sigurisht, në të gjitha të tjerat. Por aftësia për të kapur këto momente që nuk janë teknike, që nuk është e lehtë t’i shprehësh me fjalë, t’i përjetosh apo t’i portretizosh përmes një mediumi tjetër, mendoj se për të kjo ishte dashuria. Kjo ishte mënyra e tij për të shprehur dashurinë për jetën, diçka që nuk mund ta bësh vërtet përmes mjeteve të tjera. Dhe prandaj mendoj se kjo është mënyra perfekte për të ekspozuar veprën e tij”, ka thënë ajo.

Në kohën kur Renoir e pikturoi “The Great Bathers”, mes viteve 1884 dhe 1887, ky ndryshim stilistik ishte shumë më i qartë. Piktura paraqet gra nudo pranë një lumi, por ndryshe nga turmat e kapura me shpejtësi dhe drita që ndryshon në skenat e tij të hershme të Parisit, figurat janë ndërtuar më fort dhe subjekti është larguar qëllimisht nga jeta e përditshme moderne.

Galeria Kombëtare në Londër e përshkruan veprën si shënjuese të fundit të periudhës impresioniste të Renoir dhe fillimit të një faze të re në karrierën e tij.

Kjo është ekspozita e parë e kësaj galerie kushtuar Renoirit që nga viti 2007.

Ajo është organizuar në bashkëpunim me Musée d’Orsay në Paris dhe Muzeut të Arteve të Bukura në Boston, duke bashkuar vepra që zakonisht ndodhen në koleksione në të gjithë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.

“Fakti që këtu ka piktura që kanë lënë vendin e tyre të origjinës, përfshirë Francën, për herë të parë, është një mundësi e jashtëzakonshme, një mundësi që vjen një herë në jetë, për ta vlerësuar Renoirin. Ajo që është vërtet e veçantë te këto piktura është se ngjyrat duken kaq lirike dhe pothuajse mund ta dëgjosh ngjyrën duke të ‘bërtitur’ apo duke të thirrur. Dhe kjo mund të jetë për shkak se Renoir ishte gjithashtu një këngëtar i madh. Kështu që mund ta ndjesh pasionin e tij në çdo lëvizje të brushës”, ka deklaruar kritikja e artit, Estelle Lovatt.

Kritiku i artit, Tabish Khan, thotë se fakti që Renoir është një emër kaq i njohur, ka të ngjarë të jetë një nga arsyet që ekspozita pritet të jetë e jashtëzakonisht e vizituar.

“Mendoj se Renoir është një nga ata emra të njohur për të gjithë mes artistëve të asaj periudhe. Pra, nëse vendos emra si Monet, Van Gogh ose Renoir në një ekspozitë, ajo shet bileta; njerëzit duan ta shohin. Dhe në Britaninë e Madhe nuk kemi pasur vërtet një ekspozitë të madhe të Renoirit prej rreth 20 vjetësh, kështu që mendoj se do të jetë shumë e popullarizuar dhe njerëzit do të duan t’i shohin veprat, por edhe të mësojnë pak më shumë për njeriun pas pikturave: çfarë jete bëri ai dhe si ishte i lidhur me impresionistët e tjerë?”

“Renoir and Love” do të jetë e qasshme për publikun në Galerinë Kombëtare deri më 31 janar 2027.