KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Στήλες

Οι άνθρωποι είναι πρωταθλητές για την υπομονή τους.

Për ministrin që nuk është mjaftueshëm i guximshëm të pranojë se mungesa e barnave esenciale në thelb është problem menaxhimi dhe për lajmin shumë të mirë: kthimin e ligjit për Specialen në Kuvend

Kur politikanët nisin të merren me mediumet në seanca plenare, atëherë e kupton se janë në zor shumë të madh. Është sinjal se janë në kërkim të një fajtori kujdestar për të gjitha dështimet dhe defektet e veta.

E tillë qe situata të enjten kur u mbajt seanca plenare e radhës, në të cilën ministri i Shëndetësisë foli në lidhje me rastin e një pacienteje me kancer terminal, që vdiq para disa ditësh. Ajo me muaj kishte treguar se nuk kishte qenë në gjendje ta merrte një lloj bari të caktuar në Klinikën e Onkologjisë, sepse nuk kishte pasur. Ani që në listën e barnave esenciale, ky lloj bari nuk ishte sjellë në klinikë për rreth 100 ditë, nëse numërohen ditët ndërmjet herës së fundit kur e kishte marrë terapinë dhe paraqitjes së saj të fundit në edicionin e lajmeve të KTV-së.

Para se ta publikonte secilën deklaratë, KOHA i ka pyetur institucionet përgjegjëse. Ato nuk janë përgjigjur. Dhe, nuk kanë reaguar as pas publikimit të tyre, vetëm për ta dëmtuar raportimin.

Sipas deklaratave të saj, dilte se ky bar ia kishte ndalur përhapjen e metastazave, dhe se vazhdimi i terapisë do t'i ndihmonte në betejën e saj. Por barin nuk ka mundur ta merrte, për shkak se Klinika nuk e kishte, e as nuk i kishte kushtet financiare në familje që do t’ia mundësonin një gjë të tillë.

Me një formulim të nivelit të një bisede joformale mes shoqesh a shokësh, ministri e bëri një psikanalizë të veprimeve të gazetares. Iu qas edhe teorisë së konspiracionit për ta gjetur diku një figurë të errët që i tërheq penjtë dhe hodhi gur mbi mediumin që prej 30 vitesh merret me problemet e sektorit të shëndetësisë në Kosovë, që nuk gufojnë vetvetiu, por janë pasojë e keqmenaxhimit kronik që në kokë e kanë shefin e dikasterit, pavarësisht ngjyrimeve partiake.

Sipas kësaj filozofie paranoike, problemi në shëndetësi janë gazetarët që u shtrojnë pyetje institucioneve të cilat nuk e denjojnë publikun me përgjigje për çfarëdo që ndodh në këtë sektor, pos kur ashtu ua merr mendja.

E kampion në moskthyerjen e përgjigjeve, është pikërisht Ministria e Shëndetësisë.

* * *

Të enjten e kuptuam se ky bar i ri kishte nisur të administrohej në gusht të 2025-s dhe se planifikimi ishte bërë në bazë të numrit të pacienteve që kishin qenë në Klinikë në atë kohë. Nuk e di se cilat janë bazat që shërbejnë për planifikim, porse e di që në secilin plan parashihet edhe rezerva, për çdo rast. Dhe atë që e di me siguri, është se plani nuk është shkëmb që nuk lëviz.

Plani u përshtatet rrethanave të reja, e prej janarit deri në shtator janë 9 muaj – më se të mjaftueshme për ta përshtatur planin në çastin kur është identifikuar dyfishimi i numrit të pacientëve në nevojë për ta marrë këtë bar. Pjesë e planifikimit janë edhe tenderët që shumë shpesh dështojnë për një arsye apo tjetrën. E dështimi i tyre do të duhej ta dështonte planin, i cili megjithatë u përshtatet rrethanave të krijuara.

Në fund të fjalimit, ministri tha që për gjashtë vjet, buxheti për shëndetësi ishte gati katërfishuar – që është për lëvdatë. Por, nuk na tregoi nëse me më shumë sasi parash, Kosova ka blerë edhe më shumë sasi barnash. Po të kishte qenë transparent institucioni që ai e udhëheq, këtë informatë do të duhej ta kishim të qasshme në çdo kohë në ueb faqen e ministrisë. Por nuk e kemi.

Ministri nuk qe mjaftueshëm i guximshëm të thoshte se mungesa e barnave esenciale në thelb është problem menaxhimi, i cili nuk ka pse të mbetet kështu. Marrja në përgjegjësi të atyre që e kanë fuqinë e vendimmarrjes në duar, mund ta përshpejtojë rimëkëmbjen e sistemit shëndetësor. Mungesa e barnave, nga ana tjetër, mund t’ua përshpejtojë vdekjen pacientëve. E nuk do të duhej të kishte mungesë barnash esenciale për shkak të paaftësisë së dikujt.

* * *

Mungesë logjike juridike doli të kishte PDK-ja kur e hartoi projektligjin për Specialen. Prej asaj që kishte paraqitur hartuesi i tij, Përparim Gruda, merrnim vesh se ligji e prekte një dispozitë kushtetuese që e kishte miratuar Kuvendi. Për më tepër, që kishte qenë një amendament kushtetues që e kishte pasuar një letërkëmbim mes kryetares së Kosovës, Jahjaga, dhe përfaqësueses së Lartë të BE-së, Ashton.

Pra, ideja, se me një ligj, sado nene që do t’i kishte, do të mund të shuheshin prerogativa kushtetuese dhe një marrëveshje ndërkombëtare, nuk e kishte asnjë kuptim logjik.

E megjithatë, ky ligj u shndërrua në mjet nxitjeje të masës me rrezikun e daljes së situatës jashtë kontrollit dhe u shpall prioritet kombëtar nga PDK-ja. Për më tepër, atëherë u tha, dhe vazhdon të përsëritet edhe tash, se me këtë ligj mbrohet UÇK-ja.

Procedimi i ligjit në Kuvend u përshkua me një mori shkeljesh procedurale. Asnjëri afat nuk u respektua, por me kokëfortësi insistohej që ligji patjetër të votohej, se në të kundërtën do të kishte zgjedhje të reja dhe rrugës, do të mund të kallej edhe Kosova.

Ligji kaloi ashtu si kaloi. E dyshoj shumë që dikush nga ata deputetë që çuan dorën ta kenë lexuar atë. Jam shumë e sigurt se pjesa absolutisht më e madhe e masës së mbledhur në rrugë nuk e kishte idenë se çfarë ligji po votohej. E dinin atë që ua kishin thënë: se ky ligj e mbronte UÇK-në. Nuk ua kishin thënë se ligji nuk kishte mundësi të zbatohej, për shkak se ishte kundërkushtetues.

* * *

Nuk është se nuk ishte përfolur, porse mbase ndodhi më herët sesa mendohej: Bedri Hamza dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit të PDK-së, post në të cilin nuk arriti ta mbante as një vit të plotë. Partia emëroi Vlora Çitakun ushtruese detyre, deri në zgjedhjet e brendshme partiake.

Mbase një nga arsyet që e shtyu Hamzën të tërhiqej të mërkurën, qe vendimi i PDK-së që t’i propozonte, të enjten, Shiroka-Pulës që t’ia kthente Kuvendit ligjin për Specialen.

Gjatë gjithë procesit të negociatave me Kurtin për kalimin e ligjit dhe zgjedhjen e kryetarit/es, Hamza disa herë ndërroi qëndrimin dhe fjalët.

Më 6 tetor, në ditën kur vendosej se a po bëheshim me kryetare apo po kallej Kosova, në secilën konferencë shtypi, Hamzës i humbte nga një grimë ngjyrë nga fytyra. Jo vetëm që rrezatonte lodhje, por rrezatonte edhe nervozizëm. Me gjasë presioni, sa herë takohej me grupin parlamentar ku do të ketë qenë edhe ndonjë anëtar tjetër i udhëheqjes partiake, po bëhej i papërballueshëm. Për shkak se në fund, ai që dilte ta komunikonte qëndrimin e partisë ishte vetë ai.

Pra, edhe këmbënguljen për ligjin... e mori mbi vete. Dhe tash që ligji kthehet prapa, është një gjë që mund t’i faturohej atij – se e kaloi një ligj që ka nevojë për korrigjim.

* * *

Çitaku dje doli e deklaroi se Kuvendit ia ofrojnë katër javë për ta bërë ligjin të zbatueshëm, “brenda afateve të caktuara”. Porse qëllimshëm e shmang një detaj me rëndësi: për të kaluar ligji kështu çfarë është, pas rishqyrtimit, apo me ndonjë ndryshim “që e forcon bazën ligjore të tij”, duhen 61 vota të deputetëve, që PDK-ja nuk i ka. Pa këto vota, e gjitha kthehet në pikën zero.

Mund të jetë që PDK-ja ta ketë kuptuar shumë shpejt se këtë ligj nuk mund ta zbatojë në asnjë formë, për shkak të kolizionit të neneve me Kushtetutën. Mund të jetë që ka vendosur që është më mirë që ligji të kthehet në Kuvend e që fajin eventual t’ia lë VV-së, se përse ligji çfarë është nuk kalon. E ky fajësim më pas mund të përcillet me një valë protestash të dhunshme – ashtu siç për pak sa nuk u shndërruan më 6 tetor.

Kthimi i ligjit në Kuvend është lajm shumë i mirë. Dhe është rast shumë i mirë që ky tekst të dërgohet në Komisionin e Venecias për një mendim juridik profesional, që i kishte eliminuar dilemat rreth (mos)kushtetutshmërisë së tekstit të përpiluar me shpejtësi dhe të votuar me histeri natën e 6 tetorit.

Mendimi i Komisionit ka qenë kyç për disa nga ligjet me peshë që kanë kaluar viteve të fundit. Edhe kësaj radhe, do të vlente e njëjta. Megjithatë do ta kishim një mendim neutral nga ekspertë kushtetues ndërkombëtarë, që do të dilte pas një procesi që do të mund të zgjaste midis 3 dhe 4 muajve, apo ndoshta 2 muajve po qe se do të merrej në shqyrtim urgjent.

* * *

Shumë energji ka humbur ky popull duke u marrë me teket e politikanëve dhe me premtimet, rrenat e kërcënimet e tyre.

Do të ishte shumë mirë që më në fund të nisnim e të vepronim si një shtet serioz, ku kritika duhet të shërbejë si mjet korrigjues e jo si mjet hakmarrjeje.

Do të ishte shumë mirë që politikanët tanë bile një herë t’i ktheheshin sinqeritetit, e që më në fund të përqendroheshin se si t’i sjellin mirëqenie një populli kampion për durimin që ka.

[προστασία μέσω email]