KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Πολιτισμός

Το Υπουργείο Πολιτισμού ενθαρρύνει τους καλλιτέχνες να παραπονιούνται, αναφέρει τα εκατομμύρια

Υπουργείο Πολιτισμού

Tri ditë pas shpalljes së rezultateve preliminare të dy thirrjeve për skenën e pavarur e kritikave, të cilat kanë shkuar deri në kërkesën për dorëheqjen e ministres së Kulturës, Saranda Bogujevci, Ministria ka lëshuar një “Njoftim rreth mbështetjes financiare për artin dhe kulturën”

Φωτογραφία: Driton Pacharada

Bujës që shkaktuan dy lista të cilat bashkë nuk arrijnë as një milion euro për projekte të skenë së pavarur kulturore, Ministria e Kulturës i është përgjigjur me “njoftim” në të cilin i inkurajon artistët të ankohen, llogarit milionat, përmend “vënien në përdorim të hapësirave kulturore” dhe premton për të ardhmen. Sipas Ministrisë, gjatë vitit 2026, për komunitetin artistik dhe kulturor janë ndarë gjithsej 4 milionë e 167 mijë euro përmes thirrjes publike, skemës shumëvjeçare dhe “formave të tjera të financimit të projekteve”. Një përgjigje si kjo, për pjesëtarë të kulturës është cilësuar si fyerje, turpërim dhe dëshmi e demagogjisë

Ministria e Kulturës i ka inkurajuar artistët që ta shfrytëzojnë mundësinë e ankimimit, përballë kritikave të shumta lidhur me mbështetjen e skenës së pavarur kulturore përmes thirrjes së këtij viti. Institucioni më i lartë kulturor në vend, tri ditë pas publikimit të listave, ka bërë një përmbledhje të mënyrës se si po e përkrah zhvillimin e artit dhe kulturës, si dhe ka premtuar mbështetje për të ardhmen. 

Krejt kjo vjen pas publikimit të listave të rezultateve preliminare për subvencione, të premten. Te “Projekt-propozimet në fushën e artit dhe kulturës për vitin 2026 – individë” figurojnë 93 projekte të përkrahura, me një shumë totale prej 257 mijë e 450 eurosh. Në listën “Projekt-propozimet në fushën e artit dhe kulturës për vitin 2026 – OJQ” figurojnë 153 projekte të përkrahura, me një shumë totale prej 673 mijë e 130 eurosh. Të dyja së bashku nuk e arrijnë një milion euro dhe krejt kjo vjen edhe si pasojë e keqplanifikimit, sikurse edhe e rritjes së pamenaxhuar të buxheteve në vitet e kaluara.
Pas kritikave, të cilat kanë shkuar deri në kërkesën për dorëheqjen e ministres së Kulturës, Saranda Bogujevci, Ministria ka lëshuar një “Njoftim rreth mbështetjes financiare për artin dhe kulturën”. Aty, sipas Ministrisë, gjatë vitit 2026, për komunitetin artistik dhe kulturor janë ndarë gjithsej 4 milionë e 167 mijë euro përmes thirrjes publike, skemës shumëvjeçare dhe “formave të tjera të financimit të projekteve”.

“MKT vlerëson kontributin e artistëve, krijuesve dhe organizatave kulturore në zhvillimin e jetës kulturore dhe në përfaqësimin e saj jashtë vendit. Njëkohësisht, përcjell me vëmendje shqetësimet e ngritura pas publikimit të rezultateve preliminare të thirrjes publike për projekt-propozime në fushën e artit dhe kulturës dhe çdo ankesë do të shqyrtohet me kujdes”, shkruhet në njoftim. Institucioni më i lartë kulturor në vend ka rikujtuar se e mbështet skenën e pavarur kulturore edhe në forma të tjera.
“Mbështetja për skenën e pavarur është ofruar edhe në forma të tjera, përmes vënies në përdorim të hapësirave kulturore, mundësive të sponsorizimit në kuadër të Ligjit për sponsorizim, lehtësirave administrative dhe rrjetëzimit me mekanizmat kulturorë ndërkombëtarë”, shkruhet në njoftim. Por askush nga skena e pavarur nuk di të thotë se çfarë hapësirash lëshon në përdorim Ministria, kur gjysmën e institucioneve qendrore i ka me qira.

“Po ashtu, rritja e buxheteve për institucionet vartëse krijon më shumë mundësi për angazhimin e artistëve dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm, si dhe për prezantimin dhe vlerësimin e punës së tyre. Kështu, komuniteti artistik përfiton nga mbështetja jo vetëm përmes financimit të drejtpërdrejtë, por edhe përmes veprimtarisë së institucioneve kulturore”, shkruhet në njoftim. Aty përmenden edhe rinovimet dhe restaurimet e infrastrukturës kulturore. Sipas njoftimit, vlera e përgjithshme e investimeve në infrastrukturën kulturore, në kuadër të programit investiv, tejkalon 35 milionë euro. Përmendet edhe se sektori kreativ do të ketë mbështetje të posaçme dhe rritje të ndjeshme përmes fillimit të zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Ekonomi Kreative, e cila pritet të miratohet së shpejti.
“Sa u përket rezultateve preliminare të thirrjes publike, të gjithë aplikuesit kanë të drejtë të paraqesin ankesë brenda afatit të përcaktuar. MKT-ja i inkurajon aplikuesit ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe siguron se çdo ankesë do të shqyrtohet me kujdes, në përputhje me procedurat dhe dispozitat ligjore në fuqi”, shkruhet në njoftim.

Te thirrja për individët, afati për ankesa është 15 ditë. Tek ajo për organizatat joqeveritare, pesë ditë. Por, sapo janë shpallur listat – siç ndodh rëndom të premteve – nuk ka pasur vetëm ankesa, por edhe akuza publike. Ato janë më të ashpra edhe sesa ato të kohës kur skena e pavarur ishte goditur edhe nga thirrje të tjera.

Dy thirrjet, rezultatet preliminare të të cilave janë shpallur javën e kaluar, ishin hapur qysh në maj. MKT-ja u ishte rikthyer procedurave “klasike”, duke lënë anash “reformën” e proklamuar me aplikime online. Në lista nuk figurojnë as emrat e anëtarëve të komisioneve vlerësuese, ndërkohë që KOHA ka marrë vesh se edhe propozimet e tyre janë prekur, duke u zbritur shumat para shpalljes së rezultateve. Dy burime ia kanë konfirmuar KOHËS se vetëm për propozimet e OJQ-ve, Komisioni kishte propozuar projekte në vlerë prej 1.6 milion eurosh. Kur ky propozim kishte arritur në instancat më të larta, shuma ishte zbritur për hiç më pak se një milion euro. Listat dëshmojnë se është prekur edhe kufiri prej 20 mijë eurosh për një projekt.  Me ndryshimin e kategorive dhe leximin e ndryshëm të shifrave, Ministria e Kulturës ka nisur kaherë t’i fshehë borxhet që i janë krijuar pasi ka hapur kuletën, duke rritur buxhetet pa planifikim. Tash po i dalin pasojat. Asnjëra prej këtyre telasheve nuk përmendet në reagimin e MKT-së, i cili është publikuar në formë njoftimi.

Reagimi i Ministrisë të martën është parë edhe si i turpshëm.

“’Njoftimi’ i Ministrisë ishte një përpjekje dëshpëruese për t’u arsyetuar për gjendjen në të cilën e kanë katandisur skenën kulturore. Kishte aty një thes me fjalë e shpjegime të kota, qesharake, por edhe të pavërteta. Ata thonë që skena kulturore është ndihmuar edhe duke na i dhënë ‘në përdorim hapësirat kulturore’, një gjë e pavërtetë, kur dihet që Prishtina nuk ka hapësira kulturore, siç e dimë, sepse ato janë në rinovim”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq Qendrën “Multimedia”. Në këtë rast, ai ka shkuar edhe më larg.

“Së dyti, fakti që ky shërbim (i pretenduar) shihet prej tyre si një privilegj që iu paska ofruar skenës kulturore, është vërtet skandaloz. E çka, a duhet të gëzohemi dhe ta falënderojmë Liderin që na paska mundësuar të kemi hapësira pune? Për besë, turp për këtë mendësi. Ka aty edhe margaritarë të tjerë, si ajo tjetra kur pretendohet që ajo Ministri i paska ndihmuar artistët e skenës kulturore të rrjetëzohen me, siç shkruajnë, ‘mekanizmat ndërkombëtarë’”, ka thënë Neziraj. Sipas tij, në të vërtetë, të vetmin rrjetëzim ndërkombëtar po e bëjnë artistët me forcat e veta, pa pikë mbështetjeje.

“Pjesa e dytë e këtij njoftimi merrej me ‘të ardhmen’, me mbështetjen që do të pasojë, e këso broçkullash demagogjike. Është vërtet dëshpëruese, e pafalshme, krejt kjo prapësi dhe krejt kjo tendencë për ta minuar edhe atë pak progres që megjithatë ishte shënuar në vitet e kaluara”, ka thënë Neziraj.

Regjisori Ben Apolloni, pas reagimit të MKT-së, ka reaguar publikisht, duke thënë se në këtë komunikatë ka disa probleme thelbësore.

“Ministria përpiqet t’u përgjigjet kritikave të artistëve duke përmendur shifra, investime kapitale dhe premtime për të ardhmen, por nuk e trajton drejtpërdrejt problemin që i ka nxitur reagimet”, ka thënë ai. Sipas Apollonit, shuma prej 4 milionë e 167 mijë eurosh nuk e dëshmon vetvetiu mbështetjen e mjaftueshme për artin.

“Duhet të dihet sa projekte kanë aplikuar, sa janë përkrahur, si janë shpërndarë mjetet dhe nëse buxhetet e ndara mundësojnë realizimin real të projekteve të ‘përkrahura’. Një shifër e madhe në një komunikatë nuk tregon domosdoshmërisht se artistët kanë kushte për të krijuar”, ka thënë ai. Sipas Apollonit, investimet kapitale nuk janë e njëjta gjë me financimin e krijimtarisë. Ai ka shtuar se restaurimi i teatrove, rinovimi i objekteve dhe investimet në infrastrukturë janë të rëndësishme, padyshim. Por, sipas tij, kultura nuk përbëhet vetëm nga muret edhe më e rëndësishme është ajo që krijohet brenda tyre.

“Pra, në këtë komunikatë, mbi të gjitha mungon përgjigjja konkrete për buxhetet e pamjaftueshme. Nëse një projekt teatror përkrahet me 1.500 apo 2.000 euro, pyetja nuk është sa miliona janë investuar në infrastrukturë, por si mund të realizohet me ato mjete një prodhim dinjitoz, me aktorë, regjisorë, skenografi, kostume, teknikë dhe të gjitha shpenzimet e tjera. Rishikojini me shumë seriozitet listat preliminare dhe trajtojeni me shumë seriozitet kulturën, ju lutem! Kultura është shpirti i kombit”, ka thënë ai.