Kur kërkohet që institucionet të mbrojnë “luftën çlirimtare nga shtrembërimi”, debati historik shndërrohet në besnikëri ideologjike apo teologjike. Shtetet socialiste e provuan dhe siç dëshmoi rënia e Murit të Berlinit, nuk kishin ndonjë sukses me të cilin do të krenoheshin
1.
Kosova ka hyrë në një periudhë eksperimentimi me një koncept që në të kaluarën nuk u tregua i suksesshëm.
Provën e parë të këtij eksperimenti e bëri në mars të këtij viti me një ekspozitë panosh në pedonalen e Prishtinës, në të cilën jepeshin shënimet për masakrat e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Një sërë reagimesh ndaj gabimeve faktike (të pretenduara apo reale) u shndërruan në një ortek akuzash personale ndaj autorëve të ekspozitës së panove, në të gjitha mediet dhe në veçanti në rrjetet sociale. Brenda 24 orësh nga fillimi i fushatës, prokurori i shtetit autorizoi ndërmarrjen e veprimeve hetimore ndaj njërit prej autorëve të ekspozitës, historianit dhe aktivistit Shkëlzen Gashi, duke angazhuar Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me arsyetimin se ai “dyshohet se ka shkaktuar përçarje dhe mosdurim ndër qytetarët dhe ka dëmtuar e ndryshuar të vërtetën e luftës çlirimtare në Kosovë”, duke iu referuar veprës penale të “nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit”.
Më 2026, Shkëlzen Gashi, policia, prokuroria dhe të gjithë ne në Kosovë u gjetëm në situatë absurde në të cilën institucionet e sundimit të ligjit të një shteti demokratik shndërrohen në polici e prokurori me rol totalitar, duke u bërë vlerësuese se çka është e drejtë e çka jo në rrëfimin historik.
2.
Zhurma shurdhuese ishte joproporcionale me gabimet eventuale që mund të ketë pasur ekspozita dhe në fakt ato gabime eventuale, të qena apo jo, u harruan në tërësi. Në vend të një procesi sqarues të historisë, pra të korrigjimit eventual të gabimeve në një këmbim mendimesh dhe ekspertizash, të drejtën e qytetarisë e fitoi koncepti i “të vërtetës për luftën çlirimtare në Kosovë”, bashkë me obligimin që ia kanë caktuar vetes institucionet e rendit dhe ligjit për ta mbrojtur këtë të vërtetë nga “dëmtimi dhe ndryshimi”.
Në një shoqëri demokratike, institucionet nuk duhet të përcaktojnë një të vërtetë zyrtare. Interpretimet historike nuk janë të mbyllura e përfundimtare, sepse i nënshtrohen verifikimit të përhershëm shkencor me fakte dhe interpretime të reja. Prokuroria e policia nuk kanë si të mbrojnë “të vërtetën e luftës çlirimtare” e as cilëndo të vërtetë tjetër — ato janë aty për të mbrojtur rendin juridik.
Megjithatë, në provën e dytë të kësaj faze eksperimentale në të cilën ka hyrë vendi, Kuvendi i Kosovës shkoi edhe një hap më tutje në vendosjen e konceptit të së “vërtetës”. Nëntëdhjetë e nëntë deputetë të tij më 28 shtator të këtij viti përkufizuan mendimin e tyre në këtë formë në pikën e tretë të Deklaratës së Kuvendit të Kosovës, si përgjigje ndaj aktgjykimit në Hagë ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së. Në tekst shkruan se Kuvendi i Kosovës “kërkon nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës”.
Kjo pikë e Deklaratës së Kuvendit u ngjason përcaktimeve partiake në Jugosllavinë socialiste, ku u kërkohej institucioneve të mbrojnë “të vërtetën e revolucionit socialist” dhe “vlerat e luftës nacional-çlirimtare”. Detyra të ngjashme iu dhanë parlamenteve të shteteve të tjera socialiste dhe siç u dëshmua me rënien e Murit të Berlinit, pa ndonjë rezultat për t’u krenuar.
3.
Ligjërimi politik kosovar ka hyrë kështu në një hapësirë që çon kah teologjia.
Aty pohimit se ekziston një “e vërtetë për luftën” i bashkëngjiten pohimet “lufta e UÇK-së është e shenjtë”, “lufta ishte e pastër si loti” dhe “X apo Y nuk mund të jenë kriminelë”. Pra, po krijohet një ortodoksi, një interpretim i shpallur i drejtë dhe i autorizuar; kundërshtimi merr statusin e herezisë; institucionet janë të detyruara të marrin përsipër ruajtjen e ortodoksisë.
Kështu disi mund të interpretohet prania e mijëra protestuesve në Prishtinë gjatë dy javëve të fundit të shtatorit dhe javës së parë të tetorit. Në këtë lexim, ata shfaqeshin si besimtarë, persona që besonin në një interpretim të drejtë e të autorizuar të së vërtetës, e cila tash është e shenjtë dhe e paprekshme nga çdo gjë. Panot historike, aktgjykimet për krime lufte, librat apo shkrimet në gazetë, postimet në rrjete sociale që prekin në çfarëdo forme ortodoksinë ballafaqohen me vrerin e tyre.
Dhe, kështu disi mund të interpretohet edhe ngulmi që Kuvendi i Kosovës të votojë një “Ligj për Specialen”. Në besimin e mijëra njerëzve, cenimi i ortodoksisë nga Gjykata Speciale mund të parandalohet me një Ligj. Mijëra njerëz brohorisnin kërkesën për Ligjin, për kryqin prej të cilit do të ikte Satanai.
Pavarësisht nëse e kishin lexuar ligjin protestuesit apo deputetët, kur Ligji u votua, protestuesit u kthyen në shtëpi. Kishin arritur ta mbronin të vërtetën me Ligj.
Dy javë më vonë, me kërkesë të hartuesve të ligjit, presidentja e vendit e ktheu në Kuvend.
4.
Ligji i votuar në Kuvend s’kishte të bënte me UÇK-në, mbrojtjen e luftës dhe shpjegimet e tjera sublime. Ishte një operacion i pamençur për të ndërruar rregullat e lojës pas gjysmës së parë të saj me shpresë se rezultati do të jetë tjetër (apo të rregullohet që të jetë tjetër) në gjysmën e dytë, duke mos marrë parasysh se rregullat e lojës janë të mbështetura në një bazë kushtetuese, të votuar me insistim të PDK-së më 2015.
Për më tepër, Ligji, pa u sjellë ndonjë dobi atyre në emër të të cilëve u miratua, ia cenoi Kosovës besueshmërinë si partnere që i respekton marrëveshjet e lidhura me BE-në, si dhe vuri në diskutim respektimin e rendit të saj kushtetues.
Hartuesit e ligjit më 2026 kishin të njëjtën kokëfortësi dhe argumentim shkencor si avokuesit e teorisë se Toka është e rrafshtë; dy javë më vonë ia kthyen ligjin Kuvendit për të përcaktuar se mos Toka ka ndonjë lakore.
Ligji për Specialen ka po aq forcë ta ndryshojë vetvetiu aktgjykimin ndaj katër të dënuarve në Hagë dhe faktet mbi të cilat ai u ndërtua, sa do të kishte një Ligj për Tokën e sheshtë për ta ndryshuar formën e Tokës.
Kështu, më 2026 Kosova tashmë ka një Ligj për Tokë të Sheshtë dhe gatishmërinë për ta mbrojtur këtë e ortodoksi të tjera.