KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Ο ΚΟΣΜΟΣ

Η διχόνοια στη Ρωσία επιστρέφει καθώς το AfD προηγείται στην ανατολική Γερμανία

Γερμανία Afd

Φωτογραφία: Associated Press

Për Rainer Huppenbauer, ashtu si për shumë banorë të Gjermanisë Lindore, dekada të tëra të jetuara me trupat sovjetike kanë krijuar një njohje të veçantë me Rusinë, e cila ka ndikuar në qëndrimet e tyre ndaj një ndarjeje që ka përshkuar politikën gjermane që prej pushtimit rus të Ukrainës.

Huppenbauer, tregtar vere në qytetin piktoresk të Naumburgut, thotë se kjo përvojë ka lënë te shumë banorë të rajoneve që dikur përbënin Republikën Demokratike Gjermane, ndjesinë se Rusia nuk ishte armiku i tyre natyror.

“Qytetarët e RDGJ-së mësuan të jetonin me rusët. Sepse kjo është më mirë sesa të luftosh me ta”, thotë ai. 

“Jo sepse janë pro-rusë, por thjesht nuk duan një politikë që çdo ditë u thotë se sa të rrezikshëm janë rusët”, shton. 

Me afrimin e zgjedhjeve rajonale në landin e Saksonisë-Anhalt të dielën, ndarja në qëndrimet ndaj Rusisë është rikthyer si çështje elektorale. Qeveria në Berlin e ka akuzuar Moskën për tentativën për sulm me dron në aeroportin Leipzig/Halle, për spiunazh dhe për sulme të përsëritura të fshehta ndaj infrastrukturës.

Sondazhet sugjerojnë se partia e ekstremit të djathtë AfD, një forcë politike kundër emigracionit me mbështetje të fortë në lindje dhe që partitë e tjera e akuzojnë për afërsi me Moskën, mund të marrë pushtetin për herë të parë në nivel landi.

Partia ka bërë vazhdimisht thirrje për t’i dhënë fund mbështetjes gjermane për Ukrainën dhe për rikthimin e marrëveshjeve energjetike me Moskën, të cilat i siguruan Gjermanisë naftë dhe gaz të lirë deri në ndërprerjen e papritur të furnizimeve në vitin 2022, kur trupat ruse sulmuan Kievin.

Programi i saj kërkon zgjerimin e mësimit të gjuhës ruse në shkolla dhe nënvizon interesin e fortë për “ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Rusinë, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë kulturor”.

“Në anën tjetër, politika aktuale anti-ruse e partive tradicionale nuk është në interesin e Gjermanisë”, thuhet në program.

Për koalicionin qeverisës të kancelarit, Friedrich Merz, të përbërë nga konservatorët dhe Socialdemokratët e qendrës së majtë, deklarata të tilla forcojnë akuzat se një qeveri e drejtuar nga AfD-ja do të favorizonte presidentin rus, Vladimir Putin, të cilin Berlini e akuzon se po zhvillon një formë lufte hibride kundër Gjermanisë.

Vitin e kaluar, qeveria e sapobetuar i dha fund dekadave të disiplinës fiskale, duke vënë në dispozicion qindra miliarda euro për rindërtimin dhe forcimin e ushtrisë gjermane, si përgjigje ndaj kërcënimit të perceptuar nga Moska.

Një botë e njohur 

Në Naumburg, për dekada me radhë tanket kalonin nëpër rrugët me kalldrëm, oficerët rusishtfolës shfaqeshin në restorante, ndërsa ushtarët e zakonshëm jetonin pas mureve të kazermave.

Silke Satjukow, profesoreshë e historisë moderne në Universitetin Halle-Wittenberg, thotë se tërheqja e AfD-së në disa pjesë të Gjermanisë Lindore lidhet me një botë të njohur, të cilën banorët e Perëndimit nuk e kanë përjetuar kurrë.

“Që nga lindja deri në vdekje, çdo fëmijë në Republikën Demokratike Gjermane dëgjonte se Bashkimi Sovjetik ishte ‘Miku’”. 

“Pothuajse po aq ushtarë rusë jetonin këtu sa edhe popullsia vendase. Pra, rreth 30.000 ushtarë”, thotë kryetari i bashkisë së Naumburgut, Armin Mueller, anëtar i partisë CDU të Merzit.

Ai mbërriti në Naumburg si planifikues i ri urban, pak pas rënies së Murit të Berlinit, një prej shumë profesionistëve nga Gjermania Perëndimore që u drejtuan nga lindja, të tërhequr nga mundësitë e karrierës që u krijuan për shkak të mungesës së profesionistëve në lindje.

Punë të humbur – identitet i humbur? 

Stefan Zimmerer, një banor i Naumburgut i lindur në vitin 1967, u arratis në ambasadën e Gjermanisë Perëndimore në Pragë në vjeshtën e vitit 1989. Ai u kthye disa muaj pas rënies së Murit. Më vonë, ai pa gjermanët perëndimorë të mbërrinin për të drejtuar institucionet dhe kompanitë në qytetin e tij, ndërsa gjermanët lindorë humbnin vendet e punës.

Zimmerer thotë se shumë gjermanë lindorë janë lodhur duke u etiketuar si miq të Putinit, nazistë apo votues mosmirënjohës të AfD-së, vetëm sepse mendojnë se politika kombëtare ka mbyllur sytë ndaj problemeve lokale.

“Menjëherë të fusin në një kuti, njerëzit nuk flasin më me njëri-tjetrin dhe madje nuk guxojnë as ta ngrenë më problemin”, thotë ai.

Kujtimi i kolapsit të ekonomisë së Gjermanisë Lindore vazhdon gjithashtu të rëndojë. Në fund të vitit 1989, rreth 9.8 milionë nga 16 milionë banorët e RDGJ-së kishin një vend pune. Dhjetë vjet më vonë, ky numër ishte përgjysmuar.

Në Saksoninë-Anhalt, papunësia arriti kulmin në 22% në vitin 2003. Sot ajo është në 8%. Më shumë se 30 vjet pas ribashkimit, banorët e Lindjes kanë vetëm një të katërtën e pasurisë së gjermanëve perëndimorë, sipas Raportit të Konkurrueshmërisë së Gjermanisë Lindore për vitin 2026.

Mes krizave të tanishme, shumë gjermanë lindorë nuk i besojnë qeverisë në Berlin se mund të mbrojë nivelin e mirëqenies që ata kanë luftuar shumë për ta ndërtuar. Ata preferojnë një politikë afrimi me Rusinë, me shpresën se do të rikthehet energjia e lirë që i ndihmoi të arrinin standardin e jetesës që kanë sot.

“Rusia është në mendjet e tyre dhe logjika është kjo: ta mbajmë afër, të bëjmë biznes me të, të blejmë naftë dhe gaz prej saj dhe gjithçka do të mbetet siç ishte para pushtimit rus të Ukrainës”, thotë tregtari i verës, Huppenbauer.

“Dhe ata që ua premtojnë këtë janë pikërisht ata që zgjidhen”, shton ai.