Platforma “Netflix” ka konfirmuar publikimin e një dokumentari me tri pjesë për aktorin e njohur të serialit “Friends”, Matthew Perry, ndërsa motra e tij do të ndajë për herë të parë kujtimet për vëllain e ndjerë, ka shkruar “Πρώτη γυναίκα".
Dokumentari, i titulluar “The One About Matthew Perry”, do të publikohet më 27 tetor dhe do të përfshijë dëshmi të papublikuara më parë nga motra e tij, Mia Perry Bowick, si dhe shokët e tij më të afërt.
Perry, i njohur në mbarë botën për rolin e Chandler Bing, ka vdekur në tetor 2023, në moshën 54-vjeçare, pas një mbidoze aksidentale.
Mia ka thënë se i është dashur kohë për të qenë e gatshme të flasë publikisht për vëllain.
“Ka marrë kohë që të ndihesha gati t’i ndaja këto kujtime dhe të tregoja se si ishte ta doje Matthewn përmes gjithë kompleksitetit të jetës së tij, ta shihje si një njeri të plotë, jo vetëm si Chandlerin dhe jo vetëm si dikë që luftonte me varësinë”, ka thënë ajo.
Ajo e ka përshkruar Matthewn si një njeri me zemër të madhe dhe shpirt bujar.
“Edhe në momentet e tij më të errëta, ai mund të të bënte të qeshje dhe të ndiheshe i dashur. Shpresoj që kjo seri t’u japë të gjithë atyre që e donin një vlerësim më të thellë për atë që ai ishte në të vërtetë dhe për trashëgiminë që la pas”, u shpreh Mia.
Dokumentari do të përmbajë fotografi dhe video të papublikuara më parë nga arkivi privat i familjes Perry, si dhe rrëfime nga shokët, bashkëpunëtorët dhe njerëzit që e kanë njohur nga afër.
Regjisorja Mary Robertson e cilësoi Perryn si “një nga gjenitë e komedisë së kohës sonë”.
Ajo ka theksuar se, përmes filmave, serialeve dhe rolit të paharrueshëm si Chandler Bing, Perry bëri miliona njerëz të qeshnin dhe të ndiheshin më pak të vetmuar.
“Ai na dha edhe shumë më tepër duke folur me guxim për varësinë. Megjithatë, publiku njihte vetëm një pjesë të historisë së tij”, ka thënë Robertson.
Sipas saj, qëllimi i dokumentarit është të tregojë njeriun që fshihej pas figurës publike dhe të sjellë një pasqyrë më të plotë të jetës dhe trashëgimisë së Matthew Perryt.