KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Ο ΚΟΣΜΟΣ

12 πτώματα βρέθηκαν σε βάρκα με μετανάστες νότια της Κρήτης

Κρήτη, Ελλάδα

Φωτογραφία: Associated Press

Autoritetet greke kanë nxjerrë 12 trupa të pajetë nga një varkë me emigrantë, e cila është gjetur duke lundruar në jug të ishullit grek të Kretës, të hënën në mëngjes. Ndërkohë, një anije mallrash me flamur maroken, që po kalonte pranë saj, kishte arritur të shpëtonte 18 persona nga e njëjta varkë, ka njoftuar Roja Bregdetare.

Në një operacion të veçantë, Roja Bregdetare ka bërë të ditur se të hënën në mëngjes u zbuluan më shumë se 180 persona në tri varka të tjera, të cilat po përshkonin Detin Mesdhe nga Afrika e Veriut drejt Kretës. Ky është rasti i fundit në një fluks të vazhdueshëm varkash që nisen nga Libia drejt Greqisë. Kjo rrugë detare është shndërruar në një nga itineraret kryesore të emigrantëve drejt Evropës.

Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera për identitetin e 12 viktimave apo rrethanat e vdekjes së tyre. Roja Bregdetare e Greqisë ka thënë se varka me të cilën udhëtonin u gjet të hënën në mëngjes, afërsisht 28 kilometra, në jug të ishullit të Kretës.

Dy varka të tjera, njëra me rreth 47 persona dhe tjetra me afërsisht 40 persona në bord, u zbuluan gjithashtu duke lundruar në jug të Kretës. E para ishte vërejtur nga një avion i agjencisë kufitare të Bashkimit Evropian, Frontex, ndërsa e dyta nga një dron i kësaj agjencie, ka njoftuar Roja Bregdetare.

Më vonë, gjatë mëngjesit të së hënës, një dron i Frontex-it kishte vërejtur edhe një varkë të tretë, me rreth 100 persona në bord, duke lundruar 87 kilometra, në jug të Kretës. Të gjithë personat që ndodheshin në tri varkat pritej të dërgoheshin në Kretë, ka bërë të ditur Roja Bregdetare.

Greqia është një nga pikat kryesore të hyrjes në Bashkimin Evropian për njerëzit që largohen nga konfliktet dhe varfëria në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi. Muajt e fundit, mijëra persona kanë ndërmarrë udhëtimin e rrezikshëm detar nga Afrika e Veriut, kryesisht nga Libia drejt Kretës.

Të tjerë zgjedhin rrugën shumë më të shkurtër, por shpesh po aq të rrezikshme, nga brigjet e Turqisë drejt ishujve grekë në afërsi të Detit Egje. Ata udhëtojnë shpesh me gomone të pasigurta ose mjete të tjera të vogla lundruese.