Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar në paraburgimin e Fierit, pas një vendimi të marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Veliaj, i cili prej shkurtit të vitit 2025 qëndronte në paraburgimin e Durrësit pas arrestimit në kuadër të hetimeve të SPAK-ut, tashmë do të mbahet në institucionin e vuajtjes së dënimit në Fier, raportoi "A2 CNN".
Sipas informacioneve vendimi për transferimin është marrë nga autoritetet e Burgjeve dhe nuk ka ardhur si rezultat i një kërkese nga vetë kryebashkiaku.
Veliaj e konsideron transferim politik zhvendosjen e tij nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale ai thekson se kemi të bëjmë me një rrëmbim policor që i cënon rëndë të drejtat.
Veliaj i kërkon Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit të ndërhyjnë urgjentisht, të verifikojnë arsyet dhe shkaqet e këtij transferimi, që sipas tij është politik.
ΑΝΤΙΔΡΑΣΗ
Sot, një grup punonjësish të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë paraqitur në IEVP Durrës për të më transferuar në burgun e Fierit.
Pavarësisht kërkesave të përsëritura, si nga unë ashtu edhe nga avokati im, për t’u njohur me aktin që urdhëron transferimin dhe arsyet që e justifikojnë atë, na është refuzuar vënia në dispozicion e këtij dokumenti.
Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia.
Unë nuk kam dhënë pëlqimin për këtë transferim dhe kam kundërshtuar mënyrën se si po realizohet, pa transparencë dhe pa më mundësuar ushtrimin efektiv të të drejtave të mia ligjore.
I kërkoj publikisht Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit të ndërhyjnë urgjentisht, të verifikojnë arsyet dhe shkaqet e këtij transferimi politik.
Erion Veliaj