KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Arberi

Το σχολείο στο Στέρπτσα, το οποίο διοργανώνει μαθήματα στα αλβανικά, αναγκάζεται να αγοράσει τις δικές του θερμάστρες

Nxemse

Në Shtërpcë, komunë me reliev malor e ku ndodhet qendra më e madhe e skijimit, shkollat, që ofrojnë mësimin sipas sistemit të Kosovës, janë ankuar për vonesa furnizimi me dru. Në një nga to, për të mos i lënë nxënësit në të ftohtë dhe për të mos e ndërprerë procesin mësimor, drejtoria dhe arsimtarët janë detyruar t’i blejnë ngrohëse elektrike me mjete vetanake.

Ngrohëset elektrike janë bërë zgjidhja e përkohshme për t’i përballuar temperaturat e ulëta në shkollën “Osman Mani”, në fshatin Firajë të Shtërpcës.

Për të mos i lënë nxënësit në të ftohtë dhe për të mos e ndërprerë procesin mësimor, drejtoria dhe arsimtarët janë detyruar t’i blejnë ato me mjete vetanake. Kjo pasi komuna e udhëhequr nga serbët, nuk e ka realizuar plotësisht kërkesën për furnizim me dru.

“Një pjesë e druve veçse kanë ardhur në shkollë mirëpo cilësia e tyre lë shumë për të dëshiruar. Shkolla jonë ‘Osman Mani’ në Firajë e ka edhe paralelen e saj të ndarë në Viçë. Në shkollën në Viçë ende nuk kanë shkuar drutë dhe atje jemi duke bërë momentalisht disa zgjidhje të improvizuara në mënyrë që mos ta ndërpresim mësimin. Në shkollën amë kemi pasur vonesë të druve por për të mos e ndërpre mësimin në mirëkuptim  të plotë me stafin arsimor të shkollës kemi akumuluar një shumë të hollave dhe kemi blerë pesë metra dru", tha Xhemajl Hazizi, drejtor i shkollës "Osman Mani". 

Me problem të njëjtë janë përballur edhe në shkollën fillore “Razmi Cokli” në Brod. Drejtori i saj, Bektesh Bajrami, thotë se një pjesë e druve ka arritur, por furnizimi nuk është kompletuar ende.

“Fati i mirë është që nuk kanë qenë temperaturat shumë të ultë, kushtet atmosferike kanë qenë të favorshme për fat tonin edhe pse hala nuk kemi hy në periudhën e dimrit deri më 15 nëntor, por na jemi zonë rurale dhe nuk mund të presim periudhën e dimrit për shkak të kushteve atmosferike që janë", tha Bajrami. 

Ai është ankuar edhe për cilësinë e edhe për sasinë e drurëve që i janë dërguar shkollës. 

"Cilësia është e dobët e drurit, metra nuk është metër qysh duhet me kanë por në bazë të këtij furnizimi e në bazë të njohurive tona dikun për 2 muaj mund me bo zgjidhje”, tha Bajrami. 

Ndryshe nga këto dy shkolla, furnizimi me dru është realizuar me kohë në njërën nga shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën serbe.

Drejtori i shkollës fillore “Staja Markoviq” nuk ishte i pranishëm në shkollë gjatë vizitës së ekipit të KOHËS. Megjithatë, burime të KOHËS brenda këtij institucioni kanë konfirmuar se furnizimi me dru është bërë me kohë. 

Në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Shtërpcës thanë se kërkesat për furnizimin e shkollave me lëndë djegëse i pranojnë zakonisht në muajin maj, ndërsa më pas i përcjellin në Zyrën e Prokurimit për ta bërë kontraktimin.

E, në një përgjigje të shkruar të kësaj zyre thuhet se vonesat në furnizimin me dru janë shkaktuar nga ankesat e përsëritura në Organin Shqyrtues të Prokurimit, ndërsa aktualisht procedura është pezulluar. Sipas Zyrës së Prokurimit, komuna nuk ka kontratë aktive dhe as operator ekonomik të përzgjedhur për furnizim, është mohuar se ka dallime në furnizimin e shkollave.

“AK Shtërpcë ka filluar procedurën e prokurimit në bazë të vendimit nr. 02-030/01-3940/26 i datës 30.04.2026 dhe kërkesës së njësisë kërkuese e datës 07.04.2026 me nr. 08-030/01-3035/26 me numër të prokurimit: 655-26-3367-1-1-1 mirëpo ky aktivitet është atakuar disa herë me kërkesa për rishqyrtim dhe me ankesa në OSHP. Ky aktivitet është anuluar për arsye se nuk kemi pranuar asnjë ofertë në kohën e caktuar për hapjen e këtij aktiviteti të prokurimit. Më shumë informata mund t’i merrni edhe në sistemin e-Prokurimi. AK Shtërpcë e gjendur në këtë situatë ka filluar procedurën e prokurimit në bazë të vendimit nr. 02-030/01-9043/26 e datës 15.09.2026 me numër të prokurimit: 655-26-783-111, ku kemi pranuar 5 oferta ku më datë 29.10.2026 kemi bërë shpalljen më 29.10.2026 të Formularit B-58 për dhënie mirëpo tani që ju shënojmë AK Shtërpcë ka pranuar dy kërkesa për rishqyrtim të datës 02.11.2026 dhe 03.11.2026 dhe AK Shtërpcë e ka pezulluar këtë aktivitet të prokurimit. Zyra e prokurimit është në fazën e rishqyrtimit të këtyre kërkesave varësisht nga vendimi i AK Shtërpcë do të vazhdojë me procedurat e nevojshme lidhur me këtë aktivitet të prokurimit... Edhe për shkollat ku vijojnë mësimin nxënësit shqiptarë dhe serbë të gjitha furnizimet realizohen në pajtim me kërkesat e tyre. Pra nuk ka asnjë dallim lidhur me furnizime por në këtë rast nuk kemi kontratë aktive, andaj nuk kemi realizuar ende asnjë furnizim për asnjë shkollë as në ato shkolla ku ndjekin mësimet nxënësit shqiptarë dhe serbë mirëpo shkollat serbe kanë pasur rezerva të druve andaj Drejtoria e Arsimit i ka huazuar disa metra dru për disa shkolla shqiptare që nuk kanë pasur dru zjarri për ta kaluar këtë fazë".

Komuna e Shtërpcës ka gjithsej 15 shkolla, në gjashtë prej të cilave mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, kurse në nëntë të tjera mësimi zhvillohet sipas sistemit të Serbisë.