KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Arberi

50 άτομα με σύνδρομο Down παραμένουν χωρίς υπηρεσίες

Σύνδρομο Down

Shërbimet terapeutike për rreth 50 persona me Sindromën Down në Ferizaj janë ndërprerë pasi në objektin e qendrës kanë shpërthyer gypat e ujërave të zeza. Prindërit e tyre dhe drejtoresha e organizatës Down Syndrome Kosova thonë se kanë kërkuar vazhdimisht zhvendosjen e qendrës në një objekt tjetër. E në Komunën e Ferizajt nuk i janë përgjigjur interesimit të KOHËS për këtë çështje

Shpërthimi i gypit të ujërave të zeza në objektin e qendrës së Down Syndrome Kosova në Ferizaj ka bërë që rreth 50 fëmijë dhe persona të tjerë të mbesin pa shërbimet terapeutike që i marrin aty.

Qendra është jashtë funksionit që nga fillimi i javës, ndërsa prindërit kanë kërkuar nga Komuna e Ferizajt sigurimin e një hapësire alternative për vazhdimin e terapive.

Behare Shaqiri Sejdiu, nënë e njërit prej fëmijëve, ka thënë se problemet me objektin kanë qenë të vazhdueshme, por dëmtimet e fundit e kanë bërë të pamundur zhvillimin e seancave.

“Ne si prindër jemi të shqetësuar për këtë gjendje sepse kemi pasur kërkesë të vazhdueshme që të bëhet një zgjidhje dhe të largohemi nga këtu sepse, siç thash edhe më herët, problemet kanë qenë të vazhdueshme, mirëpo tani që ka ndodhur diçka, që është më e madhe se herëve të tjera, ne kërkojmë prapë që të gjendet një zgjidhje sa më parë që fëmijët tanë të kenë një ambient më të sigurt dhe më të rehatshëm për me i zhvilluar seancat ashtu qysh e meritojnë, sepse edhe fëmijët tanë janë qytetarë të këtij vendi dhe meritojnë të trajtohen ashtu siç duhet”, ka thënë Sejdiu.

Ajo ka bërë të ditur se prindërit kanë vendosur të mos i dërgojnë fëmijët në qendër edhe për shkak të problemeve të tjera.

“Ne si prindër jemi një zëri që fëmijët tanë të mos i vazhdojnë më seancat deri në gjetjen e një zgjidhje. Domethënë, të gjejmë një hapësirë më të volitshme”, ka thënë Sejdiu. “Ne jemi shumë të shqetësuar për vendin ku fëmijët tanë zhvillojnë mësimin sepse këtu është një rreth i papërshtatshëm për fëmijët tanë, afër qendrës vijnë njerëz të papërgjegjshëm, njerëz narkomanë dhe kjo është shumë, shumë e rrezikshme për fëmijët tanë. Ne kërkojmë që sa më parë të gjendet një zgjidhje tjetër, hapësirë tjetër, vend tjetër për fëmijët tanë”.

Ndërkaq, drejtoresha e organizatës Down Syndrome Kosova, Sebahate Beqiri, ka shprehur pakënaqësi me mosmbështetjen e Komunës së Ferizajt, duke thënë se organizata ka kërkuar vazhdimisht një hapësirë tjetër për qendrën, por deri tash nuk është gjendur ndonjë zgjidhje.

Sipas saj, mbështetja e vetme e Komunës është ndarja e 150 eurove në muaj për mbulimin e një pjese të qirasë, shumë kjo që ndahet që nga tetori i vitit 2026.

“Nëse veç e llogarisim që një seancë terapeutike sa e ka koston në një ordinancë private që sillet prej 20 deri në 30 euro ora, ne të gjitha këto shërbime i ofrojmë pa pagesë dhe të gjitha fondet i sigurojmë përmes projekt-propozimeve të ndryshme, përmes iniciativave për ngritje të fondeve dhe të mos kemi një mbështetje nga Komuna vetëm për sigurimin e një hapësire përderisa kjo është përgjegjësi komunale. Ofrimi i shërbimeve për qytetarët e Ferizajt edhe me kushtetutë dhe me ligje të tjera është përgjegjësi e komunës, jo e shoqatave”, ka thënë Beqiri.

KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Ferizaj, Kemail Emini, por nuk ka marrë përgjigje.