KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Arberi

Η KPK ανακοινώνει κενές θέσεις τεσσάρων εισαγγελέων στην Ειδική Υπηρεσία, το αίτημα ήταν για επτά

kpk

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur të shpallë konkurs për avancimin e katër prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Konkursi do të hapet më 17 nëntor dhe do të qëndrojë i hapur për 15 ditë.

Vendimi u mor në mbledhjen e KPK-së, pas kërkesës së ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, i cili kishte kërkuar shtatë prokurorë shtesë. Megjithatë, pas shqyrtimit të gjendjes së përgjithshme në sistemin prokurorial, u propozua që kërkesa të miratohej pjesërisht, përkatësisht për katër pozita.

Propozimi mori pesë vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime.

Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, tha se ndryshimet ligjore kanë zgjeruar kompetencat e Prokurorisë Speciale, duke ndikuar në rritjen e numrit të lëndëve që trajtohen nga ky institucion. Sipas tij, pavarësisht ngarkesës së shtuar, kapacitetet njerëzore vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme.

“Me ndryshimet e ligjit për Prokurorinë Speciale është zgjeruar kompetenca e kësaj prokurorie, gjë e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e numrit të lëndëve të pranuara dhe të trajtuara dhe se kjo rritje është reflektuar edhe në raporte statistikore, ndërkohë që kapacitetet njerëzore kanë mbetur të pamjaftueshme për përballimin e ngarkesës aktuale.. Duke marrë parasysh situatën në Prokurori Speciale pa i dëmtuar dhe prokuroritë e tjera, vlerësojmë që shpallja për avancim do të mund të bëhej në katër pozita dhe jo në shtatë”, tha ai.

Gashi theksoi se mungesa e prokurorëve nuk është problem vetëm i Prokurorisë Speciale, por i të gjithë sistemit prokurorial, veçanërisht i prokurorive themelore.

Ai bëri të ditur se aktualisht është duke u zhvilluar procesi i rekrutimit për 27 pozita të prokurorëve, por vlerësoi se nevojiten edhe kapacitete të tjera shtesë për përballimin e ngarkesës me lëndë.

“Gjendjen që e kemi në të gjitha prokuroritë nuk e kemi mirë, duke marrë parasysh faktin sidomos në prokuroritë themelore në departamentin e përgjithshëm askund nuk e kemi gjendjen mirë, diku e kemi keq e diku keq e më keq, për shkak mungesës të madhe të prokurorëve në sistem, ne jemi në proces të rekrutimit të 27 pozitave që i kemi të prokurorëve, kemi kaluar fazën e parë. E konsideroj shumë urgjente që të kemi prokurorë të tjerë shtesë jo vetëm këta që i kemi në proces”, tha ai.

Ndërkaq, Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, u pajtua me nevojën për shtimin e kapaciteteve në Prokurorinë Speciale, por theksoi rëndësinë e kujdesit gjatë procesit të avancimit, duke marrë parasysh gjendjen në prokuroritë e tjera dhe procesin e pranimit të prokurorëve të rinj.

Ai tha se dinamika e punës në Prokurorinë Speciale ka ndryshuar dhe se trajtimi i rasteve, përfshirë ato që kërkojnë bashkëpunim vendor dhe ndërkombëtar, e bën të domosdoshëm shtimin e numrit të prokurorëve.

“Pajtohem në argumentet e UD të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, por edhe ato arsyeshmëritë që dhatë. Është e vërtetë që duhet të jemi të kujdesshëm sa i përket avancimeve, sidomos në kohën e pranimit të prokurorëve të rinj. Gjendja nuk është e mirë sa i përket kapaciteteve apo numrit të prokurorëve dhe seancat që kanë.. Unë jam konsultuar dhe jam në konsultim me UD, dinamika e zhvilluar në Prokurorinë Speciale është krejt ndryshe dhe një frymë krejt ndryshe dhe sa i përket bashkëpunimit në shumë raste nivel vendi dhe ndërkombëtare janë disa raste që duhet trajtim dhe domosdoshmëri sa i përket numrit të prokurorëve”, tha Gashi.

Me vendimin e KPK-së, Prokurorisë Speciale do t'i hapet mundësia për shtimin e katër prokurorëve përmes avancimit.