KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Arberi

Η Συμμαχία προτείνει αναλογική σύνταξη για όσους έχουν καταβάλει εισφορές αλλά δεν έχουν συμπληρώσει 15 χρόνια.

Teuta Haxhiu

Aleanca ka propozuar ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, përmes të cilit synon t’u mundësohet pensioni kontributpagues proporcional edhe qytetarëve që kanë paguar kontribute para 1 janarit 1999, por nuk e kanë plotësuar periudhën e nevojshme për të përfituar nga skemat ekzistuese.

Deputetja Teuta Haxhiu në një konferencë për media ka prezantuar propozimin për shtimin e nenit të ri 8/B, i cili parasheh që pensioni të llogaritet në përpjesëtim me vitet, muajt dhe ditët për të cilat qytetarët kanë paguar kontribute.

Haxhiu tha se propozimi synon të adresojë rastet kur qytetarëve u mungojnë vetëm disa muaj apo ditë për të plotësuar periudhën e kërkuar, duke theksuar se skemat ekzistuese dhe të drejtat e personave që tashmë përfitojnë nga to do të ruhen.

“Bëhet fjalë për njerëz që kanë punuar dhe kanë paguar kontribute para 1 janarit të vitit 1999. Për njerëz që kanë vite pune të dëshmuara, por që sot nuk kualifikohen për pension kontributpagues për shkak se nuk e arrijnë periudhën e kërkuar. Dikujt i mungon një vit. Dikujt disa muaj. Dikujt mund t’i mungojnë vetëm disa ditë. Pyetja që sot e shtrojmë është e thjeshtë. A duhet që mungesa e disa muajve apo ditëve t’ia mohojë qytetarit mundësinë për të përfituar nga vitet për të cilat ka paguar kontribute? Unë konsideroj se duhet të gjejmë një zgjidhje të drejtë. Nëse një person nuk e plotëson periudhën për pension sipas kushteve aktuale, ai duhet të ketë mundësi të marrë një pension në përpjesëtim me kontributet që i ka paguar”, tha Haxhiu.

Ajo sqaroi se propozimi nuk parasheh ndryshimin e kushteve për pensionin kontributpagues të moshës dhe pensionin parcial kontributpagues për personat e larguar nga puna si rezultat i masave të dhunshme.

Haxhiu theksoi se pensioni i ri proporcional do të shqyrtohej vetëm në rastet kur qytetarët nuk i plotësojnë kushtet për të përfituar nga dy skemat ekzistuese.

“Do të thotë se fillimisht administrata duhet të shqyrtojë nëse qytetari ka të drejtë të përfitojë sipas skemave ekzistuese. Duhet të marrë parasysh edhe periudhën që i njihet për largimin nga puna nga masat e dhunshme, kur plotësohen kushtet ligjore. Nëse qytetari kualifikohet, pensioni i tij përcaktohet sipas asaj skeme. Nëse nuk e plotëson periudhën e kërkuar, atëherë shqyrtohet e drejta për pensionin e ri proporcional. Askush që përfiton sipas skemave ekzistuese nuk kalon te formula e re për shkak të këtij propozimi”, theksoi ajo, raportoi EO.

Haxhiu dha një shembull me pensionin prej 300 eurosh, të cilin e ndau në 15 vjet kontribute, duke e paraqitur si bazë prej 20 eurosh për çdo vit.

“Po e shpjegoj me një shembull. Nëse pensioni i plotë kontributpagues i kategorisë përkatëse do të ishte 300 euro në muaj, këtë shumë e pjesëtojmë me 15. Rezultati është 20 euro pension mujor për çdo vit kontributesh. Një qytetar me 14 vite kontribute do të përfitonte 280 euro në muaj. Një qytetar me 14 vite e gjashtë muaj kontribute do të përfitonte 290 euro në muaj. Një qytetar me 12 vite muaj kontribute do të përfitonte 200 euro në muaj”, shtoi.

Sipas Haxhiut, propozimi do t’u mundësonte të aplikonin sërish edhe personave të cilëve u është refuzuar më herët kërkesa për pension për shkak të periudhës së pamjaftueshme të kontributeve.