Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), përkatësisht anëtarët e Bordit, kanë diskutuar për shumë çështje në mbledhjen e mbajtur të mërkurën. Ndër të tjera është konstatuar se ekziston ende rreziku për humbjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Më herët kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte paralajmëruar se Kosova rrezikon të humbë organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, pasi Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka ngritur shqetësime për mospërmbushjen e detyrimeve financiare dhe vonesat në procesin përgatitor.
KOK-u ka njoftuar se në javët në vijim pritet të mbahet një takim në Athinë me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, ku Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” do të përfaqësohet me nga dy përfaqësues nga Qeveria, Komuna e Prishtinës dhe KOK-u.
“U propozua krijimi i programit për përgatitjen e federatave për LM Prishtina 2030, nismë kjo që buron nga Ligji për LM Prishtina 2030”, shkruan KOK-u të mërkurën.
KOK-u ka bërë të ditur se u vendos që ceremonia e Laureatëve 2026 të mbahet më 21 janar.